Albspirit

Media/News/Publishing

Gjelok Marko: Katër kalorësit e Apokalipsit

Zbulesa 6:

2. Dhe unë pashë, dhe ja, një kalë i bardhë. Dhe ai që e kalëronte kishte një hark; dhe atij iu dha një kurorë, dhe ai doli jashtë si fitimtar dhe për të fituar….

4. Atëherë doli jashtë një kalë tjetër i kuq; dhe atij që e kalëronte iu dha të hiqte paqen nga dheu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin, dhe iu dha atij një shpatë e madhe.

5. …”Dhe pashë dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që e kalëronte kishte një peshore në dorën e tij.

6 Dhe dëgjova një zë në mes të katër qenieve të gjalla duke thënë: “Një kenik gruri për një denar, dhe dy kenikë elbi për një denar; dhe mos dëmto vajin, as verën”.

7 Kur ai hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e qenies së katërt të gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko”.

8. Dhe unë pashë, dhe ja një kalë i zbehtë; dhe ai që e kalëronte emrin e kishte Vdekja dhe Hadesi vinte pas tij. Dhe iu dha atyre pushtet …

Këtu kemi të bëjmë me një gjuhë simbolike e profetike që duhet shpjeguar. Në gjuhën simbolike të Biblës një njeri që kalëron mbi një kalë të bardhë është një emisar i paqes; një person me hark e shigjeta simbolizon një njeri të poshtër, një person që të vret prapa krahëve. Kombinimi i të dyjave tregon se kemi të bëjmë me një person të poshtër e të pabesë po që vjen e do të maskohet si emisar i paqes, po qëllimi i tij i vërtetë është të të vrasë prapa shpine. Pra, mesazhi i vargjeve të sipërme është i qartë: Kur të vjen një udhëheqës politik, i cili dihet që është një njeri i poshtër, dhe ky të propozon një projekt paqeje. Në qoftë se ky person pranohet si person i besueshëm, kur pranohet paqja e “mirësia” që ai të ofron, është një hap me pasoja tragjike. Kështu i ke hapur rrugën luftës, e gjithë pasojave të tjera. Po e lejove të kalërojë pa penguar personin e poshtër që të vjen me mashtrim mbi kalin e bardhë nuk i pengon dot të vijnë dhe kalorësit e tjerë.Një paqe e ndërtuar sipas projektit të një të poshtri, sipas projektit të një njeriu gjakpirës e të pabesë sjell në mënyrë të pashmangshme luftën. Dhe kjo nuk është një luftë me efekte afatshkurtra sepse strukturat e gabuara ekonomike ,të ndërtuara sipas paqes së rreme, prishen e sjellin urinë dhe si pasojë shumë njerëz të pafajshëm vuajnë e vdesin.

Vërtet u bë Bashkimi Evropian, por para se të bëhej ky hap fillimisht u dënua gjithë srtuktura kriminale e Nazizmit, pastaj u demaskua propaganda naziste në shkolla e në gjitha srtukturat e shoqërisë, dhe u krijuan sisteme kontrolli, luftimi e parandalimi të propagandës naziste në të gjitha strukturat. Kjo bëri të mundur të dilte në Gjermani një brez i ri i lirë nga i Nazizmi dhe idetë e tij. Me daljen e këtij brezi të ri u bë i mundur bashkëpunimi midis Gjermanisë e Francës, u bë i mundur Bashkimi Evropian.

Le të imagjinojmë sikur pas Luftës së Dytë Botërore forcat aleate të kishin dënuar vetëm Hitlerin e bashkë me të vetëm dy ose tre gjeneralë, po të kishin lënë të paprekur sistemin Nazist të qeverisjes e të propagandës, sistem i cili të vazhdonte të funksiononte pas luftës në Gjermani sipas parimeve Naziste të Hitlerit, të funksiononte sipas të njëjtave parimeve, me të njëjtat sruktura e me të njëjtit kuadro drejtues. Le të imagjinojmë një Gjermani të mbushur me monumente kushtuar SS, me monumente kushtuar komandantëve të Aushvicit e të kampeve të tjera të shfarrosjes. Le të imagjinojmë sikur në Gjermani, të rritej një brezi ri i edukuar në shkolla e nga të gjitha instrumentet e propagandës naziste, një rini e cila vendos lule e betohet para monumenteve të kriminelëve të luftës. Kështu kalojnë 20 vjet. Fryt i kësaj propagande është që në Gjermani zgjidhet në mënyrë “demokratike” si kryeministër Joseph Goebbels, ish ministri i propagandës së Adolf Hitlerit. Imagjinoni sikur Joseph Goebbels dhe një Gjermani Naziste, ku të shpalleshin heronj kriminelët e luftës, të ish personi e të ish shteti që të propozonte e të vendoste parimet e lidhjes e të bashkëpunimit të Bashkimit Evropian. A do të mund të ndërtohej Bashkimi Evropian sipas projektit të ideuar e planifikuar nga ish minstri i propagandës të Adolf Hitlerit? Dhe në qoftë se do të ndërtohej në këto kushte a do të mund të qëndronte? Po a nuk ishte Aleksandër Vuçiç, Joseph Goebbels i Millosheviçit?

Historia e Ballkanit është një shëmbull i qartë se një bashkim në bazën e gabuar ka pasoja katastrofale.

Idea e bashkimit të popujve të Ballkanit nuk është e re e lindur nga Vuçiçi dhe e përqafuar e propaganduar me bujë entuziazëm për herë të parë nga Edvin Rama. Kjo ide lindi e u propagandua e zbatua me entuziazëm nga perandoria Ruse dhe aleatët e saj menjëherë pas Luftës së Parë Botërore: “Le të bashkohen të gjithë sllavët e jugut në një mbretëri të vetme, le të krijohet Mbretëria e përbashkët Sërbo- Kroato – Sllovene, le të bëhen një popull, le ti quajmë Jugosllavë! Vetëm të mira do të na vijnë. Bashkimi sjell fuqinë paqen e begatinë!” Dhe për shumë u krijua iluzini se kjo ide funksionoi. Sidomos pas ardhjes së Titos. Le të kujtojmë propagandën Jugosllave në vitet 80: “Jugosllavia është një shtet simbol i vllazërim-bashkimit midis popujve. Kjo duket në begatinë e vllazërimin e vërtetë të kombeve e kombësive. Sa vjen e rritet numuri i personave të cilët regjistrohen jo më sipas nacionalitetit të tyre, por që kërkojnë që në pashaporta tu shkruhet: Kombësia – Jugosllave!

Po edhe përpjekjet për ta bashkuar Shqipërinë me Sërbinë e Jugosllavinë, për të krijuar një popull të përbashkët sërbo-shqiptar-jugosllav, nuk janë të reja. Që gjatë luftës kundër Nazizmit u krijua iluzioni: “Kemi një armik të përbashkët, le të bashkohemi!” U bashkuam, luftuam bashkë, po “vëllezërit” sërbë po na vrisnin prapa krahëve. Edhe në atë kohë Kosova e kosovarët u quajtën pengesë e idesë së madhe të iniciuar nga Perandoria Ruse për “vllazërim -bashkimin” e popujve të Ballkanit. Një vllazërim-bashkim sipas oreksit të Rusisë. Edhe atëhere udhëheqësit politikë të Shqipërisë  injoruan zërin i gjakut të pafajshëm. Le të bashkohemi se bashkimi do ti zgjidhë automatikisht të gjitha, deklarohej zyrtarisht. Në rrethet e ngushta thuhej: “Po të bashkohemi kosovarët na rrezikojnë pushtetin. Më mirë të jenë nën sërbët”. Enver Hoxha në fakt e nëshkroi dhe e dekretoi bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë, ish vetëm ndërhyrja e Stalinit që bëri që ky traktat, tashmë i nënëshkruar të mos zbatohej.

Dikush mund të na thotë: “Këto që na thua ti janë e kaluara, Ramën për “Ballkanin e Hapur” po e duartrokasin edhe përfaqësuesit e Parlamentit Evropian. Përgjigjja jonë do të ishte: “Shpesh ai që të duartroket do të ngrohë duart e tij! Evropa gjendet tani para një konflikti serioz në Ukrainë. Sh.B.A dhe Komuniteti Evropian po i kundërvihen politikës ruse në Ukrainë dhe në Evropën Lindore.Konfliktin e luftën në Ukrainë Evropa do ta evitojë me çdo kusht, po edhe duke bërë lëshime, duke i bërë favore politikës ruse në vende të tjera. Nuk duhet të çuditemi nga manovra e tyre e përkrahjes të një elementi të politikës Ruse në Ballkan. Të gjithë e dinë se “Ballkani i Hapur”  nuk është një projekt thjesht i Vuçiçt apo i Ramës, origjina e këtij projekti ashtu si dhe origjina e idesë për bashkimin e gjithë sllavëve të jugut në një shtet Jugosllav buron nga Moska. Edvin Rama faktikisht është vetëm një tellall i këtij projekti.Po si Rusisë ashtu dhe Sërbisë i intereson ta zmadhojnë rolin e Edvin Ramës në këtë projekt: kështu strategjia ruse në Ballkan maskohet, Sërbia e politika e saj legjitimohet, krimet e Sërbisë minimizohen dhe Kosova izolohet. Evropa durtroket Edvin Ramën duke shpresuar që Rusia të ngushëllohet, konflikti në Ukrainë të evitohet dhe vetë Evropa të ngrohet me gazin rus. Në fund të fundit është vetë kryeministri shqiptar që po e kërkon vetë “Ballkanin e hapur” të Rusisë. Kur shqiptarët dhe kryeministri i tyre janë gati të vetëskllavërohen përse do të ndërmerte Evropa një hap kundër dëshirave Ruse në Ballkan? Ata duan ta zbutin, jo ta ashpërsojnë konfliktin me Rusinë. Kështu ka funksionuar e funksionon gjithmonë diplomacia. Jo të gjithë janë gati të hanë bar për të mos shkelur parimet e tyre. Dhe më në fund gjitha goditjet bijen në kurrizin e budallait mëndjemadh. Përse do të luftojë me mish e me shpirt Evropa kundër çdo marrëzie e tradhëtie të politikanëve shqiptarë? Në fund të fundit, siç e ke kokën ashtu ta ve festen tjetri!

Luka 6:

47 Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t’i vë në praktikë, unë do t’ju tregoj kujt i ngjan.

48 Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s’e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.

49 Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh”.

Kushdo që do të ndërtojë një shtëpi të qëndrueshme duhet ta vendosë themelin në shkëmb.Që të mund të vendosim themelin në shkëmb duhet larguar dheu, duhet larguar plehu. Shtëpia e ndërtuar me themelin në rërë qëndron për një kohë. Po pikërisht në kohën kur vjen stuhia, në kohën kur streha e shtëpisë duhet më tepër se kurrë, pikërisht shtëpia që ka ndërtuar ndëshkon ndërtuesin e saj budalla. Në kohën e stuhisë ajo bije mbi kokën e atij që ndërtoi me mëndjelehtësi, atij që ndërtoi duke injoruar parimet hyjnore, atij që injoroi mësimet që jep historia. Shtëpia e ndërtuar në rërë vret dhe bëhet varri i ndërtuesit budalla.

Disa njerëz thonë: “Nuk kemi se çtë bëjmë!” Përgjigjja është bëj aq sa ke mundësi. Po të bëjë të gjithë pak, realizohet shumë. Po nuk luftove sot, sot kur po mbillet fara e keqe, mos u anko e mos akuzo Zotin kur të vuash nga frytet e saja nesër.Psalmi 115:

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

Çtë mbjellësh do të korrësh. Zoti të thotë: Mos u gënje, mos e prano premtimin e të pabesit! Kush e lejon të kalërojë pa pengesa kalorësin e parë të Apokalipsit, nuk mund ta pengojë ardhjen e të tjerëve. Kush nuk mbjell në pranverë nuk ka të drejtë të bëjë fajtor Zotin se nuk ka prodhim në vjeshtë apo se po vdes për bukë në dimër. Kush nuk i kundërvihet të keqes të mos çuditet kur e keqja triumfon. Zoti e ndihmon të drejtin të mposhtë një të poshtër që është shumë më i fuqishëm se ai vetë. Po kur i drejti trembet e i përulet skllavërisë, skllavëria triumfon. Historia na mëson se liria vjen atje ku luftohet. Shqiptarët duhet ta kuptojnë se ardhmja e Shqipërisë është në dorën e shqiptarëve.

Please follow and like us: