Prokuroria kërkon 20 vite burg për Francesco Becchetin
Prokuroria e Tiranës i kërkuar Gjykatës të dënojë me 20 vite burg biznesmenin italianFrancesco Beccheti. Organi i akuzës e konsideron atë fajtor për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, krijimin e një skeme mashtrimi me TVSH, pastrim parash dhe falsifikim dokumentesh.
20 vite burg janë kërkuar edhe për ortakun e tij, Mauro de Renzis ndaj të cilit rëndojnë të njëjtat akuza. Prokuroria kërkoi gjithashtu 8 vite heqje lirie për bashkëpunëtoret Liliana Kondomiti dhe Erjona Troplini. 6 vite burg kërkon prokuroria për Fetah Dervishin dhe 4 vite heqje lirie për Stavri Pecin.
Hetimet ndaj biznesmenit italian nisën në vitin 2015 kur edhe u kërkua sekuestrimi i televizionit Agon Channel ndërsa ndaj Becchetit nisën hetimet për evazion fiskal dhe pastrim të parave. Nën sekuestro preventive u vendosën kompanitë Agon set, Energji shpk, etj në pronësi të Becchetit. Prokuroria kërkon që aksionet, llogaritë bankare dhe pasuritë e luajtshme e të paluajtshme t’i kalojnë shtetit.
Vetë Beccheti i ka kundërshtuar më herët akuzat duke e dërguar çështjen në gjykatën ndërkombëtare të arbitrazhit ku ka fituar në 2 shkallë. Biznesmeni italian vazhdon të jetë në arrati dhe për të ka një mandat arresti ndërkombëtar.
Tv Klan