Albspirit

Media/News/Publishing

Arben Velaj: Një kafe me Helena K.

Helena Kadare buzëqesh edhe kur flet. Madje edhe kur tregon se këtë natë e ngatërroi dhe humbi rrugën për në Fier. Iu desh të përshkonte rrugica të errëta, pa ndriçim në periferi të tij, derisa të arrinte ta gjente zemrekun e qytetit, që i dukej (sikur edhe më tha) të kishin 300 vjet që kishin humbur njëri tjetrin. Ajo dhe Fieri në mënyrë mistike e kanë rrëmbyer pazgjidhshmërisht njëri tjetrin. Helena Kadare, si në një lojë fëmijërie i ka rrëmbyer qytetit origjinën e vet, të cilën e mban varur brenda shpirtit të saj, si një emblemë të kahershme. Emblemë me peshë dhe hijerëndë. Qyteti u ngushëllua me rrëmbimin e imazhit të saj vajzëror, Duke e ushqyer dalëngadalë fitoi prej saj atë qeshje që di ta jap vetëm një mbesë gjyshërve dhe të afërmeve të saj nga nëna. Sonte çuditërisht secili prej dy rrëmbyesve, kanë rënë mbi krahët e njëri tjetrit. Janë ulur dhe po ngrohen në një zjarr të çuditshëm. Flakët e këtij zjarri e detyrojnë Fierin si një Robin Hud t’ia kthej mallin e rrëmbyer vite e vite më parë në dritë. Ndërsa Helenës zjarri ia përkthen mallin në trandje dhe qeshje.

Jemi ulur dhe po pijmë kafe në një nga lokalet në qëndër të tij. Ky është takimi im i tretë me këtë grua të pamoshë, shkrimtare me sqimë, romanciere e njohur, shqipëruese ekselente, bashkëshorte e gjeniut Ismail Kadare që siç ka deklaruar; “Helena është njeriu im më i afërt, që më ka dhënë gjithë gëzimet e kësaj bote dhe ndaj së cilës ndihem i detyruar për gjithçka”.

Na takoi fati. Ajo këtë natë rrëmbeu çmimin e radhës në memorialin e krijimtarisë së vet. Fondacioni Harpa e nderoi me çmimin e karrierës. Çmimet nga ky fondacion jepen çdo fund vit. Dhe në aradhën e artistëve, intelektualëve dhe njërëzve të shquar, patjetër që nuk do të mungonte emri i saj. Ulur në tavolinë, me një grup artistësh e botuesish, ku nuk mungonte Bujar Hudhri, ajo rrezatonte. E uruam për çmimin së bashku me prefektin e Qarkut Fier Lefter Shehaj. Ndërkohë që u ulëm të gjithë rreth tavolinës, Bujari iu drejtua zonjës Kadare:

“E ç’Helenë mund të jem unë, kur s’ka askush të më rrëmbejë”?

“Në anët tona, nuk e kanë rrëmbyer ende Helenën”, -iu përgjigja Bujarit. Ajo është e mbyllur nga lashtësia në qelën e Apolonisë së lashtë. Çelësat e qelës i ka marrë Homeri. Ai dremit mijravjeçarë buzë Semanit. Nëse i vjen drita e syve Homerit, atëherë do të ndodh rrëmbimi i Helenës nga Apoloniai thashë duke qeshur. Thjesht i tregova një synopsis nga një prej tregimeve të mia.

Helena qeshi. Ma shtrëngoi dorën dhe sërish vuri buzën në gaz. Një mori pyetjesh më endeshin në kokë, Gati po humbisja orientimin. Në fakt krijimtarinë e saj dhe sidomos të gjeniut Kadare e kisha ndjekur besnikërisht gjatë gjithë jetës time.

Pandemia e vitit të kaluar veç të tjerash, më ndihmoi ti rikthehesha kësaj krijimtarie dhe të rilexoja gjithë kolanën e botimit “Kadare”

-Jemi takuar dy herë rastësisht, Ky është takimi i tretë. Unë besoj të tria, -shtova unë

-Uaa sa bukur e the. Unë sot për pak e humba Fierin. Kam vite që nuk kam ardhur dhe ndihem në  borxh-nisi bashkëbisedën ajo . Kur përshkuam disa rrugë të errëta, pa ndriçim, gati dolën në fusha afër detit, mendova se ky nuk mund të ishte kurrësesi Fieri. U rikthyem dhe pas peripecisë, e gjetëm më së fundi qytetin dhe këtë vend ku organizohet kjo ceremoni- u shpjegua Helena.

Ndërsa fliste dukej se një mrekulli ndodhte mes shpjegimeve të saj dhe përpjekjeve të mia të pambarimta, betejës brenda meje për të bërë pyetje dhe për të rrëmbyer përgjigjet. Kisha patur fatin ta takoja në vitin e largët 1986 në një takim që u zhvillua në Berat me kolosin Kadare.

Vetëm ishim përshëndetur. Edhe në takimin e dytë në Tiranë në vitin 1988, në një ngjarje letrare ishim përshëndetur. E mbaj mend pamjen e saj që shquhej nga larg. Dallohej jo vetëm nga veshja, por sqima e të sjellurit, me sytë që pasi e përpinin dritën, e pasqyronin miqësisht përreth ndër të pranishmit, duke u veshur me disa ojna pikëllimi, që i krijojnë si një rimel vezullues, vetëm ai lloj femrash, që jetojnë nën pushtetin kulturor. Edhe në këtë natë Helena ngjante si një premierë festive, e shënjtëruar së brendshmi nga malli për Fierin e saj të fëmijërisë.

E ftoj për një kafe në qëndër të qytetit. Pasi përshëndoshemi me të ftuarit e aktivitetit të fondacionit Harpa, një lokal në periferi, zbresim Qafën e Koshovicës, ngadalë, gati duke medituar përpara një pamje që herë të kujton betejën për çlirim të dritave nga errësira që ka Dhjetori, herë një lloj qetësie të habitshme paqeje që krijohet mes një beteje. Në momentin kur zbriti nga makina, ajo ishte sa befasuese, interesante aq dhe e freskët,

Sa bukur- u shpreh, Fieri ka ndryshuar shumë. Por njerëzit janë po ata, të dashur dhe mikpritës.

“Myzeqarët janë njerëz të së ardhmes…”, ka thënë korifeu i letrave shqipe Ismail Kadare te libri i tij “Qyteti i Jugut”. Në lokalin që ne po shkonim për kafe, atje ku sot është “Premium Bleta” dikur në vitet e largëta, Kadare, pinte kafenë e zakonshme. Pikërisht në të njëjtin vend, ku hija e viteve e Kadaresë, dërgonte sinjale për Helenën, përballë sheshit kryesor të qytetit, shesh i lidhur me nyjet e rrugëve që duket sikur formojnë në çdo kënd të tyre shenjën “Vinceremo”, urbanistikë e hartuar që në krijimin e qytetit nga arkitektë italianë, në atë vend pra, ne u ulëm për të shijuar kafen e Dhjetorit.

-E meziprita këtë ardhje në Fier- rinis Helena. – Jam rritur si një mbesë në këtë qytet dhe mbaj mend shumë mirë që shtëpia e gjyshërve të mi ishte një shtëpi dy katëshe. Përpara portës së saj saj ka qënë një mbetje e madhe prej celiku, Atje luaja. Gjyshi im, ka qënë një tregtar i madh dhe i njohur në zonë. Tregojnë se njëherë shkoi të shiste vaj ulliri dhe blerësi, i tha se nuk ishte e njëjta cilësi. Gjyshi im këmbnguli që ishte e njëjta. Ai i tregoi mostrën. Gjyshi e mori dhe e rrëkëlleu të gjithën. E shikon tha që është i njëjti vaj? Ahaha tha blerësi. Tashmë u tregove i zgjuar. Nuk kam më mostër për të bërë krahasimin, dhe qeshi. – Fieri ka histori të bukura, nuk duhet lënë kurrë që historia e tij të zvetënohet dhe mbulohet nga harresa- shtoi ajo. Mbaj mend që më tregonin për portin e Semanit, tregtinë me Italinë nepërmjet këtij porti, apo moli siç e quajnë vendasit. Këta janë njërëz të bukur. Unë jam rritur në një familje që përherë i ka dashur njerëzit. Nuk kam qëndruar kurrë e vetme në familje, por edhe gjatë gjithë jetës. Se si më duket tani atje në Durrës, në shtëpinë ku po jetojmë me Kadarenë. Duket shtëpi me lagështirë dhe me vetmi. Vijnë vetëm bluza të bardha që na vizitojnë dhe askush tjetër. Më lodh vetmia. Dua të shoh dhe takoj njerëz. E kam thëmë edhe më parë. Jam mësuar nga familja ime të pres dhe përcjellë njerëz. Kjo më ka ndihmuar shumë në jetë”.

-Po Fieri ka histori dhe njerëz të bukur plotësova unë. I rrëfeva për kontratën e shitblerjes së Fierit hartuar në kohën e Portës së lartë, ku blerësi ishte Kahreman Pasha, e sjellë nga historiani dhe publicist Nuri Plaku, përkthyer nga osmanishtja prej profesor Dritan Egro. Pastaj biseda rrodhi për këngëtarin Kiu Poro, për urën e gurtë të ndërtuar në vitin 1777 nga e bija e pashait të Beratit, Rrapushja . Ajo dhe kasha e Shën Gjergjit ishin dy nga veprat më të rëndësishme të Fierit. Njëra u hodh në erë nga nazistët gjermanë në 15 Tetor 1944 dhe kisha u rrëzua me diagaç të ushtrisë në 1967.

-Nga Fieri kam dhe plot kujtime të tjera. Po shkruaj një tregim ‘Stasa’ mendoj ta quaj… Kam në kujtesë atë grua se si e mblidhte bukën nën sqetull dhe na e sillte për të ngrënë në fëmijëve. Mbaj mend se ishte një karrocë me kal që unë e pëlqeja shumë ta ngisja. Një ditë e mora karrocën me kalin e mprehur dhe mbaj mend se u solla nëpër rrugica duke e ngarë aq sa i zoti i karrocës u merakos. Sepse kali nga zëri im fëmijëror nuk ndalonte po rendte me gallop”- qeshi ajo. “Do ta botoj së shpejti te Bujari apo jo Bujar?

Bujari vë buzën ne gaz dhe pohon me kokë. “Ex libri” i tij, u vlerësua nga

Fondacioni Harpa për punën dhe vlerat që përcjell te lexuesi.

-Unë nuk e shijoj dot leximin në kompjuter. Ndjesia më e bukur është të shfletosh një gazetë letrare apo libër dhe të duket sikur përqafon njerëz, – ndërhyn Helena

-Më ke lodhur,- i them me shaka Hudhrit, – ku nuk kam kërkuar për një libër, botimin tuaj. Nuk e kam gjetur. Bëhet fjalë për “Biseda në Paris” të Branka Bogavac…

-Ah, Branka- ndërhyri Helena. Kam patur fatin ta njoh dhe ta kem mike këtë grua të rrallë.

-E kam lexuar parathënien tuaj në këtë libër- shtova unë.

Me Brankën kam plot histori të çuditshme. Gati të pabesueshme. Sapo ishim shpërngulur me Ismailin në Paris në vitet ‘90. Adresën nuk ia tregonim kurrkujt. U njoha me atë rastësisht dhe nisëm të takoheshim shpesh. Sidomos në kafenetë e bulevardit “Saint Germain” Ajo është malazeze dhe burrin e ka francez. Ai e ndihmonte shumë në pasionin që ka. Përherë ishte befasuese në shkrimet dhe artikujt e saj. Mbaj mend se kërkonte të njihte Ismailin. Por siç thashë ne ruheshim nga shërbimet e ambasadës tonë. Nuk tregonim adresë. Një ditë ishte takuar rastësisht me atë në metro dhe i kishte kërkuar që ta intervistonte. Kishte këmbëngulur aq shumë të dinte dhe shtëpinë ku ne banonim dhe Ismaili i ftohtë siç është, pyetjes së saj se ku banonte ishte përgjigjur “Në Paris”!

Kur erdhi në shtëpi më tregoi për një grua malazeze që i kërkonte intervistë. Qesha dhe i tregova se e njihja. Quhej Branka Bogavac dhe se në intervistat e saj ajo përpiqej të intervistonte vetëm kolosët e letrave dhe artit botëror. Branka është thesar. Ngaqë u bëmë shumë miq, e quanin mike e shqiptarëve në Mal të Zi. Por ajo nuk e vuajti kurrë këtë etiketim. Komunikimi, të shkruarit, njohja e thellë e autorëve të intervistuar, dhuntia që ka për të dëgjuar dhe mënyra se si e nxjerr intervistën nga mendja e saj dhe e hedh në letër është një art më vehte- Ajo i ka bërë nder artit botëror me punën e saj- theksoi Helena.

Stafi i bar ‘Premium Bleta’ kërkoi të bënte një foto. Helena u ngrit nga tavolina dhe iu plotësoi dëshirën.

Po afronte ora 22 00. Më bëri përshtypje vitaliteti i kësaj gruaje. Kaq e njohur, ajo ka aftësinë të të tërheq nëpërmjet buzëqeshjes së saj në fillin e bisedave dhe historive pambarim. Aq sa nuk do të mjaftonte një natë dhjetori. Pasionante dhe e dhembshur e çmallur deri diku pas një largese, siç e tha dhe vetë, 300 vjeçare nga Fieri, këtë mbrëmje dhjetori, Helena Kadare i ofroi Fierit një çast nga jeta e saj, Unë një kafe ndërsa Fieri ia pasuroi emblemën e mallit, varur në gjoksin e saj, me një lloj dashurie që nuk do të zërë ndryshk kurrë./exlibris

Please follow and like us: