Albspirit

Media/News/Publishing

Vangjush Saro: SI E KALUAT VITIN E RI?

 

 

Tregim

 

Shumëkujt mund t’i dukej (dhe mund t’i duket edhe sot) krejt e natyrshme një pyetje këso. Por jo neve… Ka qenë fillimjanari dhe sapo ishim kthyer në shkollë, pas pushimeve të dimrit. Dy orët e para, kishim hartim. Pasi shkroi në dërrasën e zezë temën – pikërisht ajo ishte edhe çudia – zysha na dha edhe disa shpjegime të tjera të fundit dhe u ul në katedër e lodhur, indiferente, a thua donte të na hiqte qafe për ato dy orë: “Tani, vrafshi veten!”

E si mund të mendoje ndryshe, kur tema e hartimit, që ajo sapo e kishte qëndisur në dërrasën e zezë, ishte një e tillë: “Si e kaluat Vitin e Ri?” E papërfytyrueshme! Sfidë! Si e kaluat Vitin e Ri?… Kjo nuk shkonte fare. Ne, gjer më atëherë, ishim mësuar me të tjera tema, me të tjera përfytyrime. Vetë zysha, kur përpiqej të na udhëzonte, përdorte lloj-lloj figura, klithje e gjysmëfjali, që tani i kishin mësuar përmendësh edhe ata më të dobëtit e klasës; për shembull: “Oh, ç’mëngjes i bukur”, “Rrezet e diellit pranveror”, “Shkëlqimi i majave të maleve”, “Vinçat në qiellin krenar”, si dhe “Qyteti ynë ka sot shkolla, kopshte, fabrika…” e të tjera këso, që ne i zhgrapnim lehtë e lehtë, madje të bindur se kështu kishim shkruar plot frymëzim. Ashtu siç edhe donte zysha.

Si e kaluat Vitin e Ri? Ku “Mëngjesi pranveror”, ku Viti i Ri? Po vinçat si t’i fusnim në këtë dreq hartimi? Pastaj, krahasimet me të kaluarën, që zysha i donte doemos (“Kasollet me baltë, ku tymi të nxirrte sytë…”) si mund të lidheshin me një gjë kaq të thjeshtë dhe, njëkohësisht, kaq të ndërlikuar si ky hartim për Vitin e Ri?

 

 

Thonë se çudia më e madhe zgjat tre ditë. Në klasën tonë, zgjati vetëm tre minuta. Pas kësaj ndërkohe të mbushur me pëshpëritje, hezitim dhe zhgaravina gjithfarë, ne ulëm përfundimisht kokat mbi fletore edhe iu futëm punës vendçe.

“Është mëngjes, shpërtheu e para një shoqja jonë, që gjithnjë mësonte përmendësh. Dielli pranveror, shkëlqen me rrezet e tij të arta…” Një tjetër, që e dinte se zyshës i pëlqenin thirrjet dhe psherëtimat, e filloi hartimin e vet ndryshe: “Ah, ç’ditë e bukur! Zemra ime nuk përmbahet prej gëzimit. E vallë, përse jam kaq e lumtur? Oh, lulet shumëngjyrëshe na kënaqin me aromën e tyre…” Dikush e kishte filluar hartimin në një mënyrë krejt origjinale: “Shikoj qytetin në këtë ditë. Mbushur plot e përplot me kopshte, çerdhe, spitale, shkolla, fabrika… I madhërishëm qëndron aty një vinç…” Kurse një tjetër, që mendonte se kushedi, mbase zysha donte të shkruanim diçka edhe për ‘të kaluarën’, po e ‘grinte’ sallatën e vet pak a shumë kështu: “Atëherë njerëzit jetonin në kasolle me baltë. Tymi iu nxirrte sytë. Bukë të hanin nuk kishin. Të pasurit bënin qejf. Mjerimi sundonte kudo.”

Kështu pra, thuajse shumica e klasës e kishin parë të udhës të kapërcenin paksa nga tema dhe të përsërisnin fraza të njohura, pas të cilave ndiheshin gjithnjë më të sigurtë. Vetëm unë po vrisja mendjen dhe vështroja përhumbshëm nga dritarja… Si e kaluat Vitin e Ri? Pa hë! Zura të përshkruaja se si kishim ndjenjur në radhë, për të blerë vezët dhe një pulë; babi, jo unë. Më tej, tregova se si na ishte prishur televizori. Babi, gjithnjë ai, shkoi me ngut te tekniku. Ky quhej Duli dhe mbahej nëpër qytet më rëndë se ai ‘i pari’ i asaj kohe. Erdhi dikur, por ishte tërë hundë e buzë. Hapi kapakun e monitorit, nxori mekanizmin përjashta, i fryu gjithë duf pluhurit që kishte qenë me shumicë aty brenda dhe pastaj filloi të tundte kokën, a thua se e gjithë bota priste tani një fjalë, vetëm një fjalë prej tij…

-Dëgjo, byrazer – tha më në fund, teksa përplaste çantën – kini djegur një llampë… Dëgjo! Dy llampa…

Ai filloi të ngatërronte nëpër dhëmbë ca bashkëtingëllore, përndryshe emrat e atyre llampave të flamosura, PC, PCL, gjëra krejtësisht të pakuptueshme. Gotën e rakisë, që ia kishte vënë nëna përpara, e thau menjëherë. Dhe ajo e shkreta, i shtiu sërish. Madje i nxori edhe një copë nga pula që sapo ishte pjekur. (E mjera pulë e tallonit!)

-Dëgjo, byrazer! – vazhdonte tekniku Duli; dhe këtej përlante diçka nga copa e pulës, andej vërtiste si ujë gotën e rakisë. – Dëgjo! Nuk gjenden kollaj këto llampat…

-Usta, – i lutej babai i ligështuar. – Të lutem, usta!…

Dhe Duli, qetë fare, gjithnjë duke u përtypur:

-Dëgjo! Do bëjmë një gjë ne. Mirëpo tani… – dhe sytë te pula e pjekur. Dhe prapë – Dëgjo, byrazer…

Nëna, pa ç’pa, i nxori një copë tjetër. Nga pula e pjekur. Kurse babi nxitoi t’ia mbushte edhe njëherë gotën. E ndërkaq, usta Duli vërtitej rrotull televizorit e përqark tavolinës si ndonjë hienë. Fuste duart në çantë, nxirrte diçka, i çonte (duart gjithnjë) në televizor, pastaj në pulë, prapë në çantë, në televizor… E kështu me radhë. Kur më në fund, e ndreqi disi defektin dhe televizorit iu kthye figura, shifra që ai i kërkoi babit, na ra si bombë. Nëna u hutua kaq shumë, saqë harroi në furrë ëmbëlsirën; veç kur kundërmoi era dhe nga stufa filloi të dilte tym… Ajo rrëmbeu sakaq mbajtëset e tenxhereve dhe u përpoq të shpëtonte ç’të mundte. Mirëpo ëmbëlsira ishte përzhitur. Nëna zuri të grindej. Motra e vogël ia krisi të qarit. Babi ende vështronte i trishtuar teknikun. Oh, sa bukur po na shkonte!

Sikur të mos mjaftonin gjithë këto, në pikë të mërzisë, na vjen në shtëpi vëllai i madh, i shoqëruar nga një polic. Po ai ç’donte te ne?! Kjo ua vuri kapakun të gjithave. Puna ishte se vëllai kishte shkuar për të gjetur një degë bredhi, si ta them, pemën e Vitit të Ri. Mirëpo ai nuk e kishte vrarë mendjen gjatë se ç’mund të sillte këputja e një dege dhe kështu, tani polici kërkonte gjobën.

Deshi s’deshi, babi e nxori sërish kuletën e tij të vogël…

 

 

Ja, këto kisha shkruar pak a shumë në hartimin tim. Njëlloj rrëfimi në ‘gaz’, siç më kishte ardhur; me gjuhën dhe fjalorin e atëhershëm, merret vesh. Apo… kishte qenë ndryshe kërkesa?

Pas disa ditëve, zysha na solli fletoret, për të bërë korrigjimin e hartimit; kështu thuhej. Ajo na i shpërndau ato, duke bërë ndërkaq vërejtje dhe duke vlerësuar nxënësit… që kishin shkruar ‘më mirë’. Të gjithëve iu tha ndonjë fjalë inkurajuese: edhe nxënëses që kishte folur për diellin pranveror; edhe asaj që kishte numëruar kopshtet e çerdhet; madje edhe dikujt që kishte shkruar në fund të hartimit: “Rroftë Viti i Ri!” Vetëm mua më shkoi përanash kokëvarur. Dhe pas pak, m’u lëshua me gojën plot:

-Po ti, ç’i kishe ato budallallëqe? Jo po u dogj revania, jo po u prish televizori… Duli andej e Duli këtej. Në estradë jemi ne këtu? Hartimi kërkon fjalë të zgjedhura… frymëzim… shpërthime…

Ashtu vërtet. I mërzitur sa s’thuhet, po vërtisja nëpër duar fletoren time të mjerë. Gati po pendohesha që nuk kisha shkruar edhe unë për diellin pranveror, edhe pse ishim në pikë të janarit. Më erdhi të qaja; dhe ndoshta kam qarë, kush e mban mend. Mirëpo kur dolëm për pushimin e madh, në korridor, për çudinë time, zysha më kapi për supesh dhe më tha me ngrohtësi:

-Megjithatë, biri im, hartimi yt ishte… Nuk di si ta them, u gajasa së qeshuri…

Zysha nuk më ishte dukur asnjëherë aq e çuditshme dhe enigmatike sa atë ditë, pas korrigjimit të atij hartimi çapraz. Kohë të shkuara…

 

 

Please follow and like us: