Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: PËRGJEGJËSIA INDIVIDUALE SI MËNYRË JETESE

Ka një ndryshim thelbësor midis mënyrës së jetës në shoqëritë e qytetëruara nga mënyra e jetës në shoqëritë tribale ose gjysëm-tribale. Në të parën jeta bazohet kryesisht në ligje. Janë ligjet e zbatuara nga institucionet shtetërore ato që drejtojnë jetën e individit. Por, përveç pushtetit të ligjit, jeta në këto shoqëri udhëhiqet edhe nga një sërë traditash dhe zakonesh shoqërore që shpesh konsiderohen tabu – mënyra si ushqehemi, maniret shoqërore, etj. Mes këtyre dy fushave, ekziston një fushë tjetër shumë e rëndësishme që drejton jetën e njeriut – përgjegjësia personale.
Për shumë çështje të jetews sonë, as ligjet shoqërore, as traditat, e as feja, shpesh nuk ofrojnë zgjidhje dhe përgjigje të gatshme. Ta zëmë, përgjigjën për mënyrën e jetës që duam ta bëjmë mund ta gjejmë vetëm brenda vetes sonë. Dhe, ne e dimë se sa e rëndësishme është kjo fushë. Janë pikërisht këto vendime dhe përgjegjësi personale që çojnë në ndryshimin e tabuve, duke përfshirë ndryshimet e rregullave sociale dhe politike. Ky është ndoshta thelbi, aspekti kyç që dallon mentalitetin tribal nga ai civil.
Vendimmarrja e bazuar në përgjegjësinë personale është karakteristikë e shoqërive moderne, e atyre njerëzve që përqafojnë filozofinë individualiste si filozofi të jetës. Kjo filozofi ka të bëjë me aftësinë e individit për të reflektuar në mënyrë racionale, nëpërmjet intelektit, për shumë çështje të jetës. Kjo mënyrë e të menduarit nuk është e re, daton që nga koha Heraklitit, por edhe me Sofistët, të cilët, në kërkim të një kushtetute më të mirë, filluan të mendojnë më racionalisht.
Sot, për shumë gjëra që kanë të bëjnë me jetën tonë në Kosovë e në Shqipëri, jemi të detyruar të reflektojmë në mënyrë racionale, që nga nevoja për sistem arsimor dhe shëndetësor më të mirë, gjykata më të mira, deri te përshtatshmëria e ligjeve që drejtojnë jetën tonë, e sidomos për mënyrën se si qeverisemi nga pushtetet politike. Edhe përgjegjësinë për vendimet tona duhet t’i marrim si individë, sigurisht, nëse duam të jetojmë si njerëz, e jo si turmë.
Ndoshta ky është edhe mesazhi kryesor i Krishtit: i vetmi fat që kemi si qenie njerëzore është ai i bartjes së kryqit mbi supet tona, nuk ka rrugë tjetër!
Please follow and like us: