RTK PUBLIKON KËNGËN E FUNDVITIT, “MALLËNGJIMI”
Dy zërat e fuqishëm të Kosovës që kanë pushtuar edhe skenën e Eurovisionit, Gjon`s Tears e Rona Nishliu kanë sjellur një version magjik të këngës “Mallëngjimi” të Muharrem Qenës e Rashid Krasniqit.
Në kuadër të programit festiv për fundvit, Radiotelevizioni i Kosovës ka prezantuar projektin “Mallëngjimi”, i cili vjen interpretuar nga artistët e mëdhenj shqiptarë, pjesëmarrës në Eurovision,Gjon`s Tears dhe Rona Nishliu.
Nën orkestrimin e mjeshtrit të madh të muzikës, Valton Beqiri, shoqëruar nga një numër i madh instrumentistësh, vjen si dhuratë për shikuesit një ndër këngët më të bukura të Muharrem Qenës e Rashid Krasniqit, për atdhedashurinë dhe mallin për vendlindjen.
Drejtori i Televizionit të Kosovës, Festim Kabashi, ka thënë se ky është vetëm njëri nga projektet që u paraprijnë netëve festive në RTK, pasi Televizioni Publik është kujdesur që të sjellë te shikuesit program të larmishëm artistik, duke filluar nga nata e ndërrimit të moteve, për të vazhduar edhe gjatë ditëve të para të janarit 2022.
Kënga “Mallëngjimi” është interpretuar për herë të parë nga Muharrem Qena, kurse është krijuar nga kompozitori Rashid Krasniqi.