Vdes në moshën 90-vjeçare heroi i anti-aparteidit, Desmond Tutu
Vdes në moshën 90 vjeçare kryepeshkopi i Afrikës së Jugut Emeritus Desmond Tutu. Laureati i çmimit Nobel për paqen njihej në mbarë botën për aktivizmin kundër aparteidit dhe si një mbrojtës i të drejtave të njeriut. Vdekja e tij u njoftua të dielën nga Presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa. Emeritus Desmond Tutu ishte shumë më tepër se një udhëheqës shpirtëror. Ai e kaloi jetën e tij duke mbrojtur të drejtat civile dhe duke folur kundër padrejtësive, korrupsionit e shtypjes. “Ai donte që çdo qenie njerëzore në Tokë të përjetonte lirinë, paqen dhe gëzimin që të gjithë ne mund të gëzojmë nëse e respektojmë realisht njëri-tjetrin. Dhe për shkak se adhuronte Zotin, ai nuk i frikësohej askujt. Ai përmendte gabime kudo që shihte dhe nga kushdo që ishin kryer”, tha Thabo Makgoba kryepeshkopi anglikan i Keip Taunit.
Në vitin 1984 Emeritus Desmond Tutu u nderua me çmimin Nobel për Paqe për aktivizmin e tij kundër regjimit racist të aparteidit të Afrikës së Jugut.
Ai strehoi Nelson Mandelën ditën e parë të lirimit të tij nga burgu.
Më pas, kryepeshkopi e prezantoi atë (Nelson Mandelën) para publikut si presidentin e parë me ngjyrë të vendit në vitin 1994.
Emeritus Desmond Tutu ishte në krye të procesit të shërimit të vendit pas aparteidit. Ai kryesoi Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit, gjatë seancave të së cilit u dëgjuan rrëfime të tmerrshme e padrejtësi.
Pavarësisht vështirësive me të cilat u përball, Emeritus Desmond Tutu do të mbahet mend për aktivizmin e tij paqësor dhe aftësinë për të falur.