Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Pak energji për Kosovën

A mundet Shqipëria e Edi Ramës, kjo që ka gjoja rritje ekonomike, rezerva energjitike, të shtrij një linjë teli për të minimizuar sado pak krizën energjitike të Kosovës? Absolutisht që nuk ka. Arsyeja është e thjeshtë, ka dështuar më keq se Kosova. Po të kishte, linja do ishte shtrirë me daulle e prerje shiritash. Aktualisht Kosova është zhytur në një terr energjitik për faktin e amortizimit të sistemit të prodhimit. Aty energjia prodhohet me qymyr, me termocentrale. Kosotja del shumë e lartë dhe për më tepër e pa mjaftueshme për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Eshtë ajo koha e Shqipërisë tranzitore kur trotuaret i pushtuan gjeneratorët. Megjithatë edhe sot kësaj dite Shqipëria vuan për energji elektrike.

 Në raport me investimet politike, investimet strategjike janë zero të krahasueshme. Kanë investuar në magazina shitjesh, importesh, sallone, bare e restorante, përfshi këtu pallatet e dasmave, po asnjë qindarkë në ashtin kombëtar drejt një imuniteti a pavarsie ekonomike. Megjithëse Prishtina ka hyre totalisht në një krizë energjie, Tirana nuk ndihet fare. Sot qytetarët e Prishtinës dalin në sheshe. E drejta civile. Kurse Tirana nuk ofron asgjë. Madje pas perdeve fërkojnë duart, ndofta duan edhe rrëzimin e qeverisë Kurti. Nga ana tjetër, vet janë mësuar tashmë me të lypur. Në tërmetin e 26 nëntorit 2019, Kosova zbarkoi me tërë arsenalin ushtarak për të shpëtuar jetë shqiptarësh nën rrënojat e qyteteve tona.

Sot Shqipëria nuk ndihet të japi sikur ca kova me energji. Kushedi sa marrëveshje janë nënshkruar këto 30 vjet demokraci. E fundit në një nga restortet e peshkut në Elbasan. Po asgjë nuk është parë, vetëm fasada. Një nga fatkeqësitë më të mëdha shqiptare është fakti, se po zhvillojnë demokracinë me kultin e individit, jo me ekonominë e tregut apo gjuhën e shifrave. Kjo është arsyeja që sot nuk ka jo vetëm një linjë energjie të ndërsjellë, as një linjë të hekurt Tiranë Prishtinë, por ka me shumicë dogana e trarë taksash. Elementë të shpërbërjes, jo të unifikimit kombëtar.

Please follow and like us: