Albspirit

Media/News/Publishing

Partizani, largohet trajneri Ilir Daja

Ilir Daja nuk do të jetë më trajner i Partizanit. Rezultatet jo pozitive dhe humbja në derbi bëri që tekniku 55-vjeçar të mbyllë aventurën me demat pas vetëm një viti e gjysmë.

Drejtuesit nuk ishin të kënaqur me paraqitjet e skuadrës këtë sezon dhe në këtë mënyrë të dyja palët ranë dakord të ndërpresin kontratën me mirëkuptim.

Me teknikun 55-vjeçar në krye, Partizani luftoi deri në momentet e fundit për titullin kampion sezonin e kalaur, ndërsa ky vit nuk nisi mjaft mirë. Në 15 javë të luajtura demat morën 18 pikë, duke fituar 4 ndeshje, barazuan 6 dhe humbën 5.

Një pjesë e futbollistëve kanë zbritur në fushën e blertë këtë të hënë për të vijuar me seancat stërvitore. Ekipi është drejtuar nga zv.trajneri Reinaldo Kalari. Do të qëndrojnë në krye të  skuadrës deri në momentin që drejtuesit do të vendosin trajnerin e ri.

Pas Dajës, i larguari i radhës është futbollisti Andrija Filipoviç. Sulmuesi nuk ka bindur drejtuesit dhe këta të fundit kanë vendosur të ndërpresin bashkëpunimin me 24-vjeçarin. Filipoviç luajti vetëm, 6 ndeshje me të kuqtë, ku nuk la asnjë gjurmë. Ndërsa  në Kupë në 4 sfida shënoi vetëm 2 gola kundër Tërbunit.

Please follow and like us: