Sadik Bejko: SHTETI, ELITAT DHE “RRJEDHJA E TË DHËNAVE”
Për shumë nga ne që varemi nga ato çfarë jep shtypi, çfarë transmeton media në tërësi, “rrjedha e të dhënave” përjetohet si një nga ato çuditë, që qofshin dhe çudia më e madhe, zgjatin vetëm tri ditë. Pastaj vdesin e harrohen në pritje të çudisë tjetër.
“Tërmeti” është ende në veprim. Dhe se valët e goditjeve vijnë përherë e më të dobëta…
Ndjehet në “krrak”, një kërcitje, një tronditje spontane, rutinore nga ky publikim të dhënash. Njerëzit ende mallkojnë, çirren, bërtasin…
Për këta që mezi e nxjerrin jetesën, është e pakonceptueshme kjo lloj jetese prej “princash”. A nuk frymojnë dhe këta në të njëjtin ajër e në të njëjtë dritë të diellit? Nuk e kishin marrë me mend këtë diferencim poshtërues…
Disa thonë se tronditja ndodh nga ajo që ne vijmë nga mendësia e barazitizmit të pagave, të mirëqenies, barazitizëm që na e nguli në kokë komunizmi.
Disa thonë se jo të gjithë e kuptojmë logjikën e tregut. Sipa tyre, ka një treg të mediave dhe në këtë treg secili shpërblehet në bazë të kërkesës dhe të ofertës. (Të jetë kaq e thjeshtë)? Shumë e bukur për të qenë e vërtetë!
Disa thonë se ata paguhen nga politika, se gazetarët, bosët e mediave, janë menaxherë politikë, më shumë sesa agjentë mediatikë.
Disa thonë se shpërblimet vijnë nga biznesi i pareve të pista.
Të tjerë mendojnë se është investim i shërbimeve të huaja.
Ka një kaos në këto hamendësime. Jo për sqarim. Më shumë për ta mjegulluar, për ta fshehur burimin e së vërtetës.
Për mua që jetoj me shtresën më të fundme të shoqërisë, jetoj me shitësin me pakicë të frutave, pi kafen në atë bar-kafen që hapet në orën 5 të mëngjesit, shkëmbej “njatjeta” me taksistin e lagjes… gjindje kjo që më zor e nxjerr jetesën… Unë vërej se njerëz të tillë e ndiejnë veten të tradhtuar.
Të tradhtuar, po nga kush? Nga gazetari, nga TV- të, të cilat i kanë besuar. Janë pre e iluzionet të tyre, e gënjeshtrave që i kanë marrë për të vërteta, e korruptimit të së vërtetës, që është shkollë, që është mjeshtëria më e madhe e mediave.
Mediat gjithmonë prodhojnë karrema që të kapin në rrjetat e tyre peshqit.
Dhe këta njerëz që me syrin ngulur pas ekranit, kanë besuar, u kanë dhënë kohën, u kanë dhënë mendjen e zemrën idhujve të tyre të ekranit, tani ndiejnë se këta qenkan mjeshtra të korruptimit të mendjeve dhe të zemrave të tyre. I paskan mashtruar paq.
Por indinjatë e tyre, e këtyre personazheve të tabanit të shoqërisë, është afatshkurtër.
Prandaj thonë: Çudia më e madhe zgjat tri ditë. Këta që përbëjnë tabanin, që janë kripa e tokës së çdo kohe e të çdo shoqërie, do gjenden idhuj të tjerë që ata prapë të vetëmashtrohen.
Problemi është me ndërgjegjen shtetërore, me ndërgjegjen juridike të shqiptarëve. Elitat gjithmonë do t’i tradhtojnë shqiptarët?
Nëse vazhdon kështu, këto elita janë përgjegjëset kryesore në atë të mosndërtimit të themeleve të shtetit shqiptar. Këto elita janë kazma që i shkallmon themelet e shtetformimit shqiptar. Janë aleate me pjesën më të kalbur të politikës. Në bashkëpunimin më kriminal me politikanët që asgjë më shumë, kanë dashur vetëm pushtetin dhe pasurimin e vetes, duke e nëpërkëmbur shoqërinë, duke e minuar në themele shtetin.
Nuk dua të bëj moral. Vetëm këta gazetarët e lartë, këta bosa të mediave, a janë në rregull me evazionin fiskal? A i kanë deklaruar të dhënat, fitimet, pronat… i kanë paguar detyrimet ligjore financiare?
Apo janë fshehur në “dyfytyrësinë” e listave, janë fshehur pas një pagë “ligjore” marrë në borderonë zyrtare dhe pas një liste të padeklaruar, marrë nën dorë prej zarfave?
Please follow and like us: