SI MË MBROJTËN TRIFON XHAGJIKA DHE STAVRI RAFAEL?
Sadik Bejko
SI MË MBROJTËN TRIFON XHAGJIKA DHE STAVRI RAFAEL?
Këta të dy nuk i kam takuar kurrë, por… më kanë mbrojtur. Se si ka ndodhur, lexojeni më poshtë.
Ishte viti 1965. Kisha shkruar një poezi “Letër nënës”. I ndikuar nga poeti italian Salvatore Quasimodo, nobelist. Në shqip atëherë njihej vetëm një poezi me titull “Letër nënës”, përkthim nga rusi i vetëvrarë S. Eenin.
Italiani S. Quasimodo e titullonte poezinë e tij “Mater dulcissima”, me sa më kujtohet.
“Mater dulcissiman” e kisha lexuar bashkë me një tufë poezish, një dorëshkrim klandestin… përkthime shkruar me penë, me bojë mbi letra format A 4. Mbase përkthimi i librit “Et subito sera” që atëherë në Tiranë në rrethe të ngushta qarkullonte dorë më dorë pa emrin e përkthyesit.
Në poezinë time “Letër Nënës”, vjeshtë 1965, kishte një strofë me shumë helm, për kohën.
Aty thuhej se: në këtë vend ka më shumë trumcakë që shtypen nga elefantë.
Thuhej se në këtë vend ka të vdekur aq të rëndësishëm, sa të gjallët i tërheqin thellë nën baltë.
Poezinë ua lexova Ahmet Golemit, boksier, poet dhe Klito Fundos. Të dy miq të mi me të cilët lexonin shkrimet tona. Me ta kisha lexuar Quasimodon, por edhe poezi në përkthim klandestin nga greku nobelist Jorgo Seferis.
– Ku të shpje mushka, a ke mend në kokë… drejt në burg shkon më këtë poezi, – më tha Ahmet Golemi.
Kliton Fundua, korçari demoniak, qeshi.
– Mos e tremb djalin, tha. Do t’ia falin, e ka për herë të parë. E shumta, mund t’i presin bursën. Të mos i vazhdojë më studimet e larta.
– E pranoj të më presim bursën për studimet, u thashë. Babai im do të shesë lopën, delet… që të kem lekët për të vazhduar studimet.
Kjo që thashë, ishte gjëja më me pa mend që mund të thuhej. Isha edhe nën efektin e verës. Ishte një përgjigje krejt naive. Se nuk dija: i mbulonin a jo shpenzimet e studimeve të mia lopa dhe delet e shitura të atit tim. (Por vallë …a i shiste im atë bagëtitë për poezitë e mia)?
….nuk kishte asnjë gjë të sigurtë në atë deklaratën time petetike.
Ahmet Golemi dhe Klitua më duartrokitën. Ah, më thanë, sa e bukur. Djali bën poezi të dyshimta politike dhe lopët e delet e babait ndërhyjnë më bulurima e blegërima për ta marrë në mbrojtje. Pa, pa, pa…
Kuptova që po talleshin.
Vera më kishte turbulluar.
Por pa pritur ata me seriozitet më thanë:
– Hap sytë, Trifon Xhagjikën e vranë, Stavri Rafaelin këto ditë e mbyllën në hapsanë. Mos e krruaj kokën me shtetin, o i marrë…
Poezia ime ato ditë u botua në gazetën “Drita”. Strofën me elefantë, me të vdekur të fuqishëm, që të marrin më vete në baltë, redaktorët, fare pa më pyetur mua, e kishin hequr, censuruar.
Por nuk e harroj:
Klito Fundua dhe Ahmet Golemi më kishin paralajmëruar. Më patën thënë: ruaj kokën, mos e pëso si Trifon Xhagjika, si Stavri Rafael.
Please follow and like us: