Profesorët shqiptarë të Universitetit të Durrësit, 5 shekuj më parë
Burimi: Mbishkrimi epigrafik dhe busta e Ndre Durrsakut në Kuvendin Domenikan të Dubrovnikut.
Jahja Drancolli, profesor në fakultetin e Filozofisë, Prishtinë
Burime që dalin nga arkivat dhe bibliotekat e Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Dominikan në Dubrovnik, përveç njoftimeve të rëndësishme për historinë tonë ofrojnë edhe njoftime për të parin universitet në Ballkan, Universitetin e Durrësit (“Studium generale“, në vitet ’80, të shek. XIV), universitet ky i themeluar nga dominikanët durrsakë, që vepronin prej vitit 1224 në Kuvendin e Shën Maurit në Durrës.
Nga burimet arkivore bëhet e ditur se, për shkak të luftërave, një pjesë e madhe e profesorëve të Universitetit të Durrësit, detyrohen ta braktisnin vendlindjen për t’u vendosur sidomos në qendra të Dalmacisë dhe të Italisë. Me vete kishin bartur edhe fonde me dorëshkrime të pasura me miniatura, të cilat gjatë shek. XV janë vendosur në Bibliotekën e Kuvendit Dominikan në Split, si dhe në Bibliotekën e Kuvendit Dominikan në Braç (Kroaci).
Tashmë është e njohur se profesori Gjon Durrsaku kishte vajtur në Zarë dhe atje ishte caktuar për rektorin e parë të Universitetit të Zarës (1396). Ndërsa, Ndre Durrsaku (mesi shek. XIV-13 qershor 1393), një profesor tjetër i Universitetit të Durrësit, që po zbulohet rishtazi, i njohur edhe si doktor i shkencave teologjike (Universiteti i Bolonjës, 1380), në vitin 1387, qe emëruar për arqipeshkv të Arqipeshkvisë së Raguzës!