Fritz RADOVANI: IN MEMORIAM, DON KOLEC PRENNUSHI
Fotopllakat nga Fritz Radovani
Pjesa e I. Në pragun e 120 vjetorit që asht le:
DON KOLEC PRENNUSHI
(1902 – 1950)
Don Kolec PRENNUSHI u le në Shkodër me 1 Janar 1902 nga prindët Pjetër e Nine Prennushi. Ishte nipi i At Mati Prennushit, Provinçial i Fretenve të Shqipnisë nga viti 1943, që u pushkatue nga sllavokomunistët në vitin 1948, pa pranue asnjë akuzë.
Don Koleci ka përfundue studimet teologjike me At Pjetër Meshkallen, mikun e gjithë jetës së tij në Linz të Austrisë në vitin 1925, prej ku u kthye në Atdhe.
Ishte i pesti klerik i Familjes Prennushi në shekullin XX, mbas Don Matisë, At Matisë, Imz. Vinçencit, At Karlos dhe i fundit Don Koleci.
Don Koleci u shugurue meshtar në Shkodër me 25 qershor 1925. U emnue famullitar në Dajç të Bregut të Bunës, ma vonë në Barbullush, ku u pat njohtë me Don Ndre Mjedjen, që ishte atëherë famullitar në Kukël. Prej Barbullushit shkoi në Mal të Kolaj dhe prap me kërkesën e fshatarëve u këthye në Dajç të Bregut të Bunës, ku mbylli jetën e tij në moshën 48 vjeçare, ditën e diele, me 2 korrik 1950, në pragun e 25-vjetorit të meshtarisë.
Zotnonte nandë gjuhë të hueja dhe ka zanë vend ndër letrarët e vitit 1941, në Antologjinë ”Rreze Drite”.
Ndër ma të vlefshmit përkthime në gjermanisht asht kenë ”Kanuni i Lek Dukagjinit” dhe një libër për përdorim të përditshëm “Visari Shpirtnuer”, edhe ky Gegnisht.
Librat e Don Kolecit me përmbajtje filozofike dhe teologjike janë vlersue edhe nga të huejtë për zbërthimet e temave pa u largue nga origjinalet, mbasi Don Koleci njihte Ebraishten aq mirë sa, perkthimet e disa kapitujve të Biblës i ka vlersue edhe dijetari At Zef Valentini S.J.
Mbas vitit 1944 merrej me përkthime me përmbajtje fetare. Ka ba edhe përkthime të tjera si librat “Juan Mizeria”, “Si mbaroi dashunia”, “Shna Rroku prej Montpellier“ etj., ku spikat mënyra me të cilën Don Koleci e ban librin aq të dashtun për lexuesin shqiptar, sa shumë vetë i kujtonin si vepra origjinale të Tij dhe jo përkthime
Materialet e përkthyeme para vitit 1944, si edhe veprat e tij filozofike dhe jofetare i rrezikonin jeten. Ai nuk ka njohë asnjë lëshim në çeshtjet dogmatike.
Me 14 shtator 1931 botoi edhe librin “Rrimë shtremtë e flasim ndrejtë”. Libri, që në parathanje ka pikëpamjet filozofike të Don Kolecit, i cili shkruen: “Me fitimin e lirisë e të pavarsisë s’onë kombtare asht mbyllë nji kaptinë e mjerueshme e njiherit e lumnueshme në histori shqiptare. Shqiptari i ka ulë armët e bartuna për sa kavaljete aq me nderë e ndjekë në qetinë e pagjës udhët e naltsimit shpirtnuer. Për ditë ma tepër vjen tue e kuptue gjejën e kohës së tashme; ai e ndien se botën në dit’ t’ona e sundon fjala, idea, përparimi, armë ma të fuqishme se të çeliktat, qi kalojnë ngadhnjyeshëm mbi popuj tue mkamë e tue rroposë frone…”.
“E kështu shofim na në ditët t’ona kah shpërthen si duhi revolucioni.
Prej kumonarëve, kishave, universitetëve njitet tymi i zi e përhapët mbi qytetet e trondituna prej degame. Votra kulture mijvjeçare rrokullisën e bijnë nën majin e liberal-radikalit qi, mbi gërmadhat e parimëve të moçme kremton triumfin e ides së lirisë. Gjaku i pafaj i atyne qi guxojnë t’ushqejnë tjera ide shkon rrkajë nëpër rruga të qytetit. E në ket gjak ai njynë dorën e vet trueshkyese e shkruen mbi flamur të ri: Liberté, égalité, fraternité. O kulturë fetare, o bolshevizëm.”…
Parullën: “Liberté (point) Egalité (point) Fraternité (point)”, Don Koleci e përkthen në gjuhën shqipe: “Liri (aspak) Barazim (aspak) Vllaznim (aspak)”.
Ték libri “Zoti asht” lexojmë një dialog aktual me ateistet dhe, pikërisht këtu, asht vlera e këtyne librave: Aktualiteti, edhe pse librat janë shkrue 80 e sa vjet ma parë.
Në librin “Për Krishtin o kundra Krishtit”, parashikohet ajo që ngjau në 1944…
Don Koleci, ka edhe shumë artikuj të një rendësie të veçantë në revistat: “Leka”, “Kumbona e së Diellës”, “Hylli i Dritës”, “Cirka”,“Zani i Shna Ndout”, “Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, etj., ku, shpesh Ai përdorë edhe pseudonimin Mujs Polemi.
Don Kolec Prennushi ka hy në Antologjinë e Shkrimtarëve Shqiptarë(1941), si letrar me prozën “Të vershuemit”(fq.221). Ernest Koliqi, në 1960, tha në Radio “Vatikani”: “Don Kolec Prennushi pat një jetë të shkurtë, por ajo që ndërpreu krijimtarinë e tij letrare në kulmin e saj, kje mortaja komuniste, që pushtoi Shqipninë”.
Don Koleci me guxim shkruan për At Fishtën: “Poemi epik ”Lahuta e Malcis” asht nji vade mecum i çdo atdhetari”.
Për At Anton Harapin shkruan: “Mendje dialektike qi shkruen kryeartikuj ndër të cilët disa janë kryevepra. Dieja e thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i holl, stili i peshuem dallojnë gjith shkrimët e tija. Mund të jetë i thatë, i ftoftë, por ai asht i drejt e i pafajshëm.” (“Hylli i Drites”, 1936, fq.583)
Kardinal Mikel Koliqi në vitin 1992, thonte: “Don Koleci ishte nji bashkpuntor i emi, ishim edhe moshatarë. Ai kishte nji gjuhë të pastër dhe të pasun. Edhe sot njifet stili i veçantë i shkrimeve të tija. Shpresohej shumë prej tij si letrar, mbasi ka shkrue pak proza, por janë të bukra. Vdiq i ri si shumë të tjerë.., edhe ate e mori vala komuniste”.
Ai njihej ndër pesë predikatarët ma në za të klerit përkrah Imzot Gasper Thaçit,
At Anton Harapit, Don Lazër Shantojës dhe Don Ndre Zadejës.
Forca e mendimit dhe elokuenca e të folunit, e banë të dashtun dhe të paharrueshëm.
Deri në vitin 1938 ai shkonte në Vienë dhe predikonte natën e Krishtlindjeve në një Kethedrale të randësishme. “Aq mirë e fliste gjuhën gjermane, sa kam ndigjue unë tue pyet vienezët – thonte At Meshkalla, – në cilën kishë të Vjenës asht ky prift, se do të kishe shkue përditë me e ndigjue tue predikue?” (Dëshmi e At Meshkallës në 1964).
Kur jezuitët e Shkodrës banin ushtrimet e shpirtit, tregonte At Meshkalla, ishte Don Koleci i vetmi prift katolik shqiptar që ftohej për me folë për tema të veçanta në Kuvendin e Jezuitve, mbasi ata jo vetëm e respektonin, por edhe e donin shumë për vetë seriozitetin e tij. At Zef Valentini S.J., ndër ma të njohunit dhe të ditunit jezuitë që ka kalue vite të tana në Shqipni dhe ka shkrue shumë për shqiptarë, e që disa vepra të njohuna i ka botue edhe mbas 1944 në Itali, e vlerësonte Don Kolecin me këto fjalë: “Don Nicola Prennushi, il futuro Cardinale d’Albania”.
Tregonte z. Nush Tukja kur ishte në burgun e Burrelit, se një ditë, rreth vitit 1948, kishte pyetë me keqardhje At Frano Kirin: “Po ju qesin faret Padër, a ka mbetë kush bre burrë gjallë, veç jush që jeni këtu në burg?” At Frano Kiri i ishte përgjegj: “Po, po, ka mbetë ma i riu e ma i dituni, Don Kolec Prennushi. Sa të kemi atë, kemi boll!..” At Frano Kiri kur fliste për té, thonte: “Ishte shpnesa e fundit e jona!…”.
At Gjergj Fishta kishte parashikue dhe i kishte shpreh nanës së Don Kolecit në vitin 1916, kur Ajo kundërshtonte vëndimin që ky kishte marrë me u ba prift, po At Fishta i tha: “Zoti ta ruejt Kolecin, ai do të bahët nji prift i mbrekullueshëm se ia kishte shndritë Zoti deri edhe ftyrën, kur e kishte thirrë për meshtar”.
Prej thonjëve të komunistëve nuk kishte si me shpëtue as Don Koleci, këte edhe Ai e dinte mirë. Kur fshatari besnik i tij Lac Gjushi, nga Dajçi, që e mbylli jetën “kulak” dhe burgjesh vetëm se ishte mik i priftit dhe nuk pranoi me dëshmue në hetuesi kundër Tij, i pat propozue Don Kolecit tue i sigurue me e nxjerrë jashtë Shqipnie bashkë me far’e fis, për me i shpëtue arrestimit, Don Koleci i tha: “Jo, kjo punë nuk bahet prej meje, se jam betue nji ditë mbi Elterë kur jam shugurue meshtar se, po kje nevoja edhe unë do të derdhi gjakun tem si Mesuesi em Jezu Krishti, në krye të popullit tem, në tokën teme shqiptare”.
Natën e Shën’Kollit, me 5 dhetor 1948, rreth orës 22.00, kur Don Koleci ishte në sofër me nanën dhe motrat e Tija, me kafshatë buke në gojë, forcat e Sigurimit komunist, me njëfarë vagabondi e rrugaçi, Ahmet Suji, që ishte shoferi i sigurimit, hyjnë dhe i venë prangat tue e akuzue: “Ka propaganduar në favor të Italisë fashiste për pushtimin e Shqipërisë.
Ka propaganduar kundër Pushtetit Popullor. Ka strehuar kriminelë të arratisur. Duhët dënuar për vëprimtari armiqësore.” (Dosja D.K.Prennushi nr.1072, 1989, 1143, 2452, 3359/1, Arkivi i Ministrisë P. Mbrendshme, Tiranë, 1998).
Mbasi doli nga Sigurimi mbas 11 muejsh ”i pafajshem”.., me grupin e Klerikve me të cilët qeveria e Tiranës mendonte me firmue ”Statutin e Kishës Katolike Shqiptare”, ka ardhë në Famullinë e Dajçit Bregut Bunës, e ka tregue se në gjithë kohen e hetuesisë, nuk ka pranue asnjë fshatarë me i dalë dishmitar.
Don Koleci mori pjesë vetëm ne dy mbledhjët e para per ”Statutin e Kishës Katolike” (1949), ku ndër tjera ka thanë: “Këta do të na kërcnojnë se do të mbyllin kishat tona, në kjoftë se na, nuk miratojmë këte projekt- statut kështu si asht këtu. Ky projekt-statut nuk duhët miratue prej nesh se, edhe mbas miratimit të tij këta kanë me i mbyllë kishat prapseprap. Jam i sigurt se do të na thonë se, do t’ju vrasim, por asht ma mirë me ba shka kanë ndër mend sot se ma vonë. Lé të na vrasin ma mirë sot me faqe të bardhë, sësa me firmue këte dhe nesër prap kanë me na mbytë por, na do të vdesim me faqe të zezë. E, na, nuk duhët me harrue se me këta na jemi hupë se hupë. Komunistët kështu kanë ba ku e kanë marrë pushtetin, në Rusi, në Spanjë e kudo. Na nuk jemi të parët që nuk po i njofim se kush janë…Këta janë gjithkund njisoj!” (At K.Gjolaj nё librin “Çinarët”, fq.125).
Vazhdoi detyren e Famullitarit ku plot mbas 7 muejsh, me 2 Korrik 1950, vdiq nga shkatrrimi i zemres prej torturave të bame nga sigurimi i shtetit sllavokomunist.
Porosia e Don Kolecit ishte: ”Ky Statut nuk duhet firmue, mbasi me këta jemi të hupun se t’ hupun!”, sigurisht i bazuem në dogmat komuniste.
Në shënimet autobiografike që At Pjetër Meshkalla S.J., i ka lanë në vitët e fundit të jetës së Tij aty nga 1987, shënon: “…Dhimbja ma e madhe që kam ndie në zemër kur ishe në burgun e Burrelit, asht kenë ajo e vitit 1950, kur mora vesht vdekjën e shokut dhe mikut tem të vetëm të të gjithë jetës, Don Kolec Prennushit.”
Vdekja dhe vorrimi i Don Kolecit tek vorri Dr.Emid Tedeschinit asht një tragjedi. E poashtu kohen e fundit edhe perkthimi i ”Kanunit Lekë Dukagjinit” gjermanisht…
Ditën e dielë, me 2 korrik 1950, aty nga ora 11.00 para dreke Don Koleci ishte në agoni të plotë…Don Ernesto ka tregue se, kur ka hy në dhomë Don Koleci ka folë këto fjalë: “Don Ernesto, më jep të zgjidhun se janë tue më pritë një tubë engjuj, mbasi më asht hapë qielli e më dukët se po shkoj tek Jezu Krishti,..”
***
NGA DON KOLEC PRENNUSHI: 84 VJET MBAS BOTIMIT…
Tek Libri: ”PER KRISHTIN O KUNDER KRISHTIT” Botue në 1938.
BESIM E SOÇIALIZEM
Per të tanë besimi do të jét punë private thonë soçjalistat.
- Pyetje: Kuer besimi të zhduket në jetën botore zhduket edhe në jeten private. Prandej Häckel e soçjalizem duen shkollen pa Zot, shtet pa Zot, jetë botore pa Zot, letratyrë e arte pa Zot – ata duen me e sekularizue jeten botore me e bâ krejt ateiste.
– Besimi â punë private, por edhé botore. Â punë private d.m.th., seicilli do t’i sherbejë Zotit mbas dijenije e ndergjegjes së vet e seicilli mbas deke do të dalë privatisht d.m.th. krejt vetem para gjyqit Hyjnuer. Shterngim ndergjegje s’ ka. Besimi â punë private per né e pabesimi â kryekreje per soçjalista.
- Me kênë soçjalist don me thanë me kênë njiheri antikrisht; ngadhnimi i mbramë s’ â i mundun pa rroposjen e krishtenimit. Kështu thotë Losinsky në 1902 e bolshevikët e soçem (soçjalista radikal) janë tue e vertetue me fakte dita me ditë.
- Besimi âsht edhé nji punë botore. Pse:
- Seicilli â i detyruem prej ligjve të natyrës me e nderue Hyjn jo vetem msheftas, por edhé ballafaqe, me e dishmue në disa rasa besimin e vet, me nderue Shejtnin’ e bésë, me u ndigjue auktoriteteve per ndergjegje, prá per urdhun të Zotit me krye tjera detyra besimtare botnisht si katolik; me pá meshë në ditë dielle etj.
Jo vetem seicilli nieri, por edhè shoqnija nierzore â detyrue prej ligjve të natyrës me i sherbye Zotit e m’u drejtue religjozisht d.m.th., mbas vullnetit të hyjnueshem.
Familja do të pshtetet mbî bazë religioze, mbî martesë; e të gjitha marrdhanjet e familjes ndermjet burrit e grues, prindve e fëmijve do të rendohen e rregullohen mbas parimeve besimore e jo, mbas epsheve (pasjoneve) të natyrës së prishun.
- Jeta e perbashkët e shtetnore gjênë vetem në besim nji temel t’atillë.
Justitia est fundamen regnorum. Drejtsi e vertetë pa besim â nji absurd si edhè morali pabesim. Të tana veprimet e jetës botnore në politikë e qeverisje, n’arte e dituni, në shtyp e letratyrë, në tregti e industri, në shkollë e edukatë, n’ekonomi e çashtjet soçjale do të bazohen në besim, do të frymsohen e rregullohen prej shpirtit besimtár.
Pa ket frymë besimtare, kristjane, mugullon anarkija e egër me grushtat kovardhi të hekurt perpjetë, kërcnohet nihilismi me bombat e veta, dermon soçjalizmi në të tana ledhet e rendit e të mirvojtjes së popujve: Pa besim artet bijnë në llom, ditunija në terr, bota shoqnore në robni e barbarsi paganizmi.
- Besimi jo, nuk âsht punë private. Kisha së mbrami sado qi s’ â prej ktij shekulli, âsht në ketë shekull, e âsht si nji institut publik, nji shoqni temelue prej Hyjit, e pashme, e plotsueme, qi per t’ arrijtë qellimet e nalta të veta (mësim, drejtim e shêjtnim i nierzve) ka tager per të gjitha mjetet e nevojshme toksore, e ket tager e merr shi prej gurrës së drèjtsisë qi thotë: ”Mue m’âsht dhanë çdo pushtet në qiell e mbî tokë. Prandej shkoni e mësoni të gjithë popujt”.
———————————————————————–
Shenim F.Radovani: Botohet pa asnjë ndryshim nga origjinali.
Gjatë vitit 2022 do të botoj tek artikujt: ”Zamakët e Flamurit Gjergj Kastriotit Skenderbeut”, disa nga shkrimet per Klerikët e pushkatuem dhe të mbytun nga sigurimi komunist i Ever Hoxhës, të cilët janë Martirë të Vertetë t’ Atdheut e të Fesë.
Melbourne, 30 Dhjetor 2021.