Mid‘had Frashëri për opinionet e të huajve
Një ditë në shtëpinë e një miku, kur ra fjala për karakterin e shqiptarëve, aftësitë, sociologjinë, mënyrën e jetesës dhe të punës, të pranishmit thanë: “Në përgjithësi shqiptarët na i kanë përshkruar si një popull primitiv (për të mos thënë fis), që nuk kanë tjetër aftësi veç të luftojnë”.
Por, përveç vetive të luftëtarit që përballojnë vdekjen, pa u frikësuar prej saj, nuk duhet të përjashtohen virtytet e tjera dhe atdheu i shqiptarëve, aq i copëtuar dhe i sakatuar fizikisht, i ka dhënë jetë një diversiteti të madh dispozitash natyrale dhe prirjesh banorëve të vet.
Kështu, nëse ka ndërmjet tyre ushtarë të shkëlqyer, nga ana tjetër nuk mungojnë tregtarë të mirë, artizanë shumë të afte dhe punëtorë të fuqishëm.
Shumica e udhëtarëve i kanë njohur shqiptarët vetëm si KAVASS, si roje apo pjesëtarë të gardës së bukur të Sulltanit në Kostandinopojë. Kështu, ata kanë menduar se shqiptari është një djalosh i fortë e i bukur, besnik dhe i aftë, të cilit mund t’i zihet besë gjithmonë, por nga i cili nuk mund të presësh punë, prodhim, domethën; “një njeri i admirueshëm, që krekoset për gjithçka, por pa bërë asgjë”, siç thotë me humor një francez i mbushur me frymëzim.
Fjalët e mësipërme janë si një dackë miqësore mbi shpatullat e shqiptarëve, sepse ashtu si “krekosjen” askush nuk ka marrë guximin të vërë në dyshim vetitë e tyre.
“Shqiptari është një njeri besnik deri në vdekje. Mbasi ka dhënë fjalën, një arnaut është jo vetëm shërbëtori më i sigurt dhe shoku më i sinqertë në gjithë Lindjen, por është mbrojtësi në çdo vështirësi që paraqitet”, thoshte H. Charles Vods tek “Turqia dhe fqinjët e saj”.