Ndre Mjeda: Djali pa nanë si nata pa hanë
Pra ‘i djalë i vorfën kuej nuk i dhimet,
Kur, si mue t’shkretin, t’a mlojn mjerimet?
Tepër shpejt bora, tuj ra n’vorfunim,
Njatë qi për mue ish’ diell n’agim.
Emnin e kandshëm m’ia ndie kot prita
Njasajë qi n’kobe do t’ m’ishte drita:
Kuej nuk i dhimem, askush s’m’kujton,
Sado qi zemra vec gjak m’pikon.
Kur, un i mjeri, rrijshe tu shpija,
Me nanë, me motër, ah! sa dashtnija
Vlote n’ kët zemër, qi sot s’ka gzim,
Vetëm pse nana m’la n’ket vorfnim.
Ç’ at ditë qi e bora, mue s’m’knaq natyra,
Ndër gzime t’shekllit nuk m’qeshet ftyra;
Kurr s’m’hiqet mendjet kur nana m’ tha:
T’laca me Zotin! – e diq e m’ la.
Ah! se fort m’dote, se fort m’pat gzue,
Sa gjallë, e mjera, rrite me mue!
Por që, se unë nanën sot ma s’e kam;
Un nafakpremi, c’se i vorfën jam!
Kur, n’agim t’ditve, m’ra me shtegtue,
Si dola shpijet, tuj u largue,
E kqyra s’mramit e aq m’përmalloi,
Sa dysh mue zemrën, dysh m’a coptoi.
E kush kalote at ditë bri meje,
At ditë qi dhima m’kish xjerrë mendt kreje,
Thotë përajshem: Paska metë shkret!
Zot, njitja dorën, majën ti ngiet!
Ç’at ditë, si zogu, larg fluturova,
E n’dhe t’panjoftun treta, u largova;
S’desht kush me m’kqyrun, s’diejta kue’ i flas,
Nji dorë ndimtare ç’at herë s’m’u qas.
E kur vetmija mue m’lodhte naten,
Un n’ gjuj u ulshëm, thojshëm uratën;
Kujtojshëm nanën para Tenzot,
E syt m’u mushin gjithherë me lot.
Ah! po, kujtimet e asajë dite
Uratë e kandshme ti m’i përsrite:
O nanë e dashtun, a thue t’thrras kot,
Ç’se fusha e mali me za t’em lot?
Ah! po, se dhima zemret nuk m’shkepet,
Ç’se gjithkund nanën me e lypun m’nepet;
Do t’m’mysë mjerimi, s’kam si gjallnoj,
Pse deka e nanës zemrën m’a imtoj.
Por, ndale vajin, jeto pa droje,
Mendo se drita prap do t’agoje,
Kur ndër Qiell t’epra Zoti tash t’thrret:
Rrethue me lule, nana aty t’pret.