Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI: ÇELO PICARI, GUXIMTARI I SHEKUJVE

Në përkujtim të 220 vjetorit të lindjes së Çelo Picarit (Xhelil Mehmet Bega), këmbar i historisë kombëtare, trimit që jehon shekujve, mençurisë labe që udhëtoi si kalorësiak fisnik dhe me bëmat e tij ushqeu brezat me mësime historie luftarake shqiptare. Kur nderohet Çelo “palla” siç e quante Ali Pasha, nderohen edhe Mete Peçi i “Botës së Guximtarëve”, Picari, 17 fshatrat e Kurveleshit, mbarë Labëria, si dhe krenohet Shqiptaria…

 

 

 

Gjeneralizmi shqiptar që ndriçon si meteor qiejve të Europës

Historia, studimet historiografike lëvrojnë thellë nëpër heronj luftëtarë, gjeneralë, strategë, prijësa botërorë, ndërkohë që botërorët i kemi në mesin tonë, në tokën arbërore. Guximtarët e shekujve, shqiptarët e paepur jo rrallë kanë dalë në shesh të mejdanit, shpatëzhveshur përballë rreziqeve. Ka guximtarë madhorë që nuk i “fshinë” dot as shekujt as kalemxhinjtë fqinjë dhe kuzhinat prapa tyre. Historia ka folur dhe pluhuri i harreqës nuk ka mundur të gjejë vend pikërisht për një luftëtar të mençur të formatit gjeneralist, me mendje të mprehtë, me veti drejtuese të spikatura gjeneral dhe ushtar në organizim, në drejtim dhe në luftë të drejtpërdrejtë. Një pjesë e studjuesve historianë shqiptarë dhe të huaj u janë qasur, kanë nxjerrë në dritë dhe ndriçuar, por dhe kanë marrë dritë nga ndriçimi i guximtarëve të shekujve. Dietarë të shqiptarizmës të revistës “Albania”, “Dituria”, “Shejzat”.., pena letrare e historike si Kristoforidhi, Mitko, Fishta, Çajupi, Konica, Noli, si dhe ata që sollën në shqip Shekspirin, Ibsenin, Edgar Alan Poeja, Don Kishotin e Servantesit e dhjetra të tjerë kanë sjellë edhe fragmentizime nga gjeneralizmi ushtarak i shekujve, përfshi këtu edhe Herodotin, Tukididin, Strabonin, që në shkrimet e tyre “shëtitën” vendin e Pellazgëve, Epirin, “Pllakën” athinase, vunë sinore në Ambraki. Shekujt do të kalonin dhe në Arbëri Gjergj Kastrioti ndriçonte dhe ndriçon si meteor qiejve të Europës, traktatet ushtarake të këmbësorisë, artilerisë dhe kavalerisë së Gjergj Basta mësoheshin në Akademinë ushtarake të Vjenës dhe jo vetëm. Në planin e brendshëm në katër vilajete shkëlqejnë emra historikë si, Çelo Picari, Ismail Vlora (i parë), Zylyftar Poda, Tafil Buzi, Shahin Delvina, Zenel Gjoleka, Idriz Sulli, Asllan Kuca, Dervish Cara , Veliko Jaçe, Rrapo Hekali, etj., një gjerdan i tërë prijësazh nga Ambrakia në gadishullin e Istrës. Elita intelektuale e kohës të shkolluar apo që kishin bërë “shkollën e kaçakut” u bënë bllok për të përballuar reformat e reja të “Tanzimatit”, që nuk ishin gjë tjetër por veç përpjekje për forcimin e Perandorisë Osmane, për t’i dhënë oksigjen një shteti kufomë që po jepte shpirt. Për shqiptarët këto reforma sollën pakënaqësi të mëdha, rëndimin të zgjedhës osmane, përkeqësimin e gjendjes ekonomike, taksa dhe nizamë.

Historia ka dokumentuar se pas rënies së Pashallëkut të Janinës dhe Luanit të Epirit Ali Pashë Tepelena, prijës popullorë si Çelo Picari, Zylyftar Poda, Tafil Buzi, Zenel Gjoleka, Abdyl Koka, Shahin Delvina, Cane Myftar Smokthina, Rrapo Hekali, Latif Elmazi, Muharrem Kolonja, Sulo Zeneli ishin krye të qendresës antiosmane. Më 7.11.1828, përfaqësuesit e Vlorës, Gjirokastrës, Mallakastrës, Delvinës, Çamërisë, Kolonjës, Leskovikut, Skraparit, Tomorricës, Dëshnicës, Himarës organizuan në Berat një kuvendin “Lidhja Shqiptare”, ku u vendos të mos i jepeshin ushtarë osmanëve, të dëboheshin qeveritarët pushtues osmanë nga krahinat e tyre dhe vendin ta qeverisnin vetë shqiptarët dhe t’i mbronin vetë trojet e tyre në rast sulmi. Në krye ishin shqiptarë të njohur: Çelo Picari, Ismail bej Vlora, Zylyftar Poda, Shahin Delvina, Tafil Buzi, Sulejman bej Konica, Spiro Gjika, Tahir Abaz Dragoti, Sulo Zeneli i Greshicës, Veiz Cakrani, Alush bej Frakulla e shumë të tjerë. Kur vendi ishte ndezur në flakë kryengritjesh jehonë kishte bërë edhe beteja tre ditore e Greshicës kundër osmanëve, atje ku sot quhen “Varret e labërve” në Ferobehaj, ku u vranë 60 djem nga labëria ndërkohë që osmanët patën 230 të vrarë e 315 të plagosur e 800 robër, por edhe nga Greshica u vranë 34 luftëtarë dhe u plagosën 79 banorë. Të tilla episode lufte kishte në çdo trevë, krahinë e vilajet shqiptar, që nuk përkuleshin para pushtuesve. Në Labëri, Mallakastër dhe gjithë shqiptarinë u rrit pakënaqësia dhe shpërtheu një valë kryengritjesh në gjithë vilajetet shqiptare në gjithë hapësirën etnike shqiptare, që filloi në vitet 1830 dhe që vijoi për më shumë se katër dekada, deri më 1870, por që kulmoi me LSHP. Epiqendra fillimisht u bë Berat në vitet 1830, përfshiu edhe trevat e tjera shqiptare. Berati ngriti në kryengritje më 1834 mbi dhjetëmijë kryengritës, që u përhap furishëm në Gjirokastër, Vlorë, Tepelenë, Tomoricë, Mallakastër, Shkodër, Malësinë e Mbishkodrës, Mirditë, Ulqin etj., kryengritje që nuk u ndalën edhe pas vitit 1840 si në Dukagjinë, Prishtinë, Shkup, Kumanovë, Dibër, Tetovë e Gostivar etj që kërkonin të qeverisin vendin shqiptarët. Sulltanati vazhdimisht dërgonte forca për të shtypur me zjarr e hekur kryengritësit dhe përndiqte prijësat. Kështu ndodhi edhe më 1844, por edhe në vitet 1847 që ishte vit i vrullshëm zhvillimesh, pasi shpërtheu një kryengritje në Shqipërinë e Jugut dhe filloi në Kurvelesh dhe u përhap në të gjithë trevën e Çamërisë, Përmet dhe në Mallakastër. Kryengritjet e anti Tanzimatit kishin karakter popullor, përbashkues, që synonin përbashkim të të gjithë shqiptarëve pa dallim feje edhe pse këto kryengritje nuk arritën suksesin e dëshiruar të shqiptarëve, e shkundën portën e “Babë Aliut” nga themelet edhe pse dhuna dhe ashpërsia e Osmanëve vijoi deri në pavarësinë e Shqipërisë. Krerët si Çelo Picari e kishin kuptuar mirë se ilaç shpëtimi për shqiptarët ishin bashkimi në luftë ndaj osmanëve, veçanërisht pas masakrës osmane të 9 gushtit 1930 në “drekën” në hipodromin “Anllar Yni”, të përshkruar dhe nga historian francez Evgjen Ruzhad (cituar M. Peçi Bota e Guximtarëve, 2010, f.15), por në histori mund të gjendet edhe me dy data masakre për shkak të kalendarit (allaturka). Referenca kryesore ishte për “amnistinë” e Sulltanit, që Mehmet Reshit Pasha, kishte përgatitur si masakra e pashembullt historike, që historikisht njihet si “shqiptari tradhëtar”, që organizoi grackën e tradhëtisë. E megjithatë pavarësisht dy masakrave të Manastirit dhe të Janinës, zjarri i kryengritjeve nuk u shua por u ndez edhe më shumë, sepse edhe poeti popullor nuk ka periudhë historike që nuk e ka veshur me këngë: “Çelo të pimë dollinë,.. Çelua ynë me mustaqe,/Mori hak e zbardhi faqe…”. Pushtuesi bënte “ftesa” që të shtronte popullatën rebele si dhe në kurthet osmane ranë Asllan Kuca progonati, Veliko Jaçe, Karafil Sinani, Abaz Thana nga Picari e shumë të tjerë, por nuhatën planin e kurthit osman Zylyftar Poda, Çelo Picari, Tafil Buzi, Hodo Nivica, Abdyl Koka, Osman Kuci nga Fushëbardha (Zhulati i përtejmë) etj. Bashkëpunimi ishte një ndër karakteristikat thelbësore të prijësave dhe sulmi ndaj armikut gjithmonë kërkohej të ishte rezultativ, “të sulmohet armiku, kur t’i shikoni të bardhën e syrit”, një zakon i luftëtarëve shqiptarë, një taktike të përvetësuar mjeshtërisht nga prijësat si Çelo Picari me shokë. Prandaj kënga flet qartë. Një varg i saj sa një ngjarje e rëndësishme historike: “Ra tërmet dhe u tund vëndi,/Po lufton Çobo Golemi/Mustafai…Çelua arap i zi,/Tafili një grusht njeri,/Bashkë me Veis Vasjarë,/Ikënë e zunë Beranë… Çelo Picari me vulë,/I mban topat në buzë,/Lufton me Sulltan Mahmunë, që ka topa e gjyle shumë,/Dyzet vjet se sosi barutnë”, dhe më tej “Çelo Picari fërtunë,/U zu me Sulltan Mahmunë,/ Seç u zu hundë për hundë,/Tha Sulltani: Ç’dreq’o punë,/ Nuk e le në vend “hajdunë”,/ Se ngre vend’ e më prish punë,/ Pra në Konj’ syrgjyn e shpunë…/, vargje që qartësojnë kohëzgjatjen e betejave, qëndrimin luftarak, tre internimet dhe sërish qëndrimin burrëror deri sa e helmojnë pabesisht kapedan Çelo Picarin.

Një jetë në beteja për liri e mëvetësi

Çelo Picari ishte lindur 220 vjet më parë në fshatin picar, por emri i vërtetë i Çelos ishte Xhelil Bega. Babai i tij ka qenë Mehmet Bega dhe nëna Xhiko. Të dhënat dokumentare historiografike rregjistrojnë vitin 1801 si vitlindjen e kapedanit të labërisë, djalin që lindi në një familje të thjeshtë picarjote. Kështu që prindërit e tij e dërguan që sa mori këmbët me dhën. Fakt është se Çelo Picarin me emrin e fëmijërisë Xhelil Mehmet Bega e njohin pak, sepse njohin mirë mbarë shqiptaria me emrin e trimërisë, mençurisë dhe lavdisë Çelo Picarin e njeh mbarë kombi, ndërkohë që emrin e ka çuar përtej dy shekullor. Trimërinë e kishte në thua sepse nga gjyshi i tij Seferi e këtej në tre shekuj histori kënga tregon historinë: “Sefer Bega, Sefer Bega,/O kazan me tetë vega…”, që flet për madhështinë e histori të oxhakut të “Çelo Bërrucit”, për shkak të bërrucit/sharkut që mbante krahëve. Xhelili i vogël shquhej për zgjuari dhe zhdërvjelltësi që ra në sy të ekspeditave të Pli Pashës që i binin vendit kryeq e tërthor dhe në moshën 14 vjeçare e morën dhe e çuan përpara Ali Pashë Tepelenës rreth vitit 1815. U fut dhe në oborrin madhështor të pashait të Janinës, Ali Pashë Tepelenës duke kaluar me sukses provën midis dhjetra rojeve të armatosura. Aliu përplasi duart si shenjë për rojet për ta kapur, por djali picarjot nuk u tremb. Me gjakftohtesi nxori pallën dhe mori pozicion vetëmbrojtje me shpatë në dorë. Veziri duke buzëqeshur u drejtohet rojeve që ta lejonin, sepse në gojëdhënën popullore dhe jo vetëm janë gdhendur fjalët e Aliut: “Ky bën për mua”. Në fakt Çelo Picari vlente dhe bënte më shumë se një shërbëtor sigurie në oborrin e Ali Pashës. Këtë e vërtetoi historia, sepse ka me dhjetra e qindra detaje që mbështetur në fakte historike dhe folklorin e popullit, ngrenë lart figurën e luftëtarit të sa e sa luftrave në shërbim të mbrojtjes së tokës shqiptare. Në jetën e tij të gjatë do luftonte ndaj çdo pushtuesi osman por edhe atij grek. Në Janinë Çelua u formua si luftëtar dhe i shërbeu Aliut deri sa ky u vra në 1822. Labërisë e veçanërisht picarjotët i këndojnë Çelos si më trimi ndër të zgjedhurit në oborrin e Aliut, përfshi këtu edhe më i fortë se Marko Boçari i famshëm. Prandaj edhe kënga gati dy shekullore thotë: “Marko Boçari suliot/ Qan e të këput me lot/ Se me Çelon se del dot/ Është djalë picariot”. Më 1821, Çelua 20 vjeç djalë komandonte trupat e Pashallëkut të Janinës që mbronin Tepelenën kundër ushtrisë osmane, ndërkohë që më 1922, pas disfatës së Ali Pashës në Janinë ai u internua në Prevezë, por që shpejt do të ishte i lirë, i pjekur tashmë dhe i hedhur në frontin e madh antipushtues. Çelo Picari kishte shumë miq, por një ndër miqtë e tij të ngushtë ishte miqësia me oxhakun e Vlorajve dhe pikërisht me Ismail Vlorën, gjyshin e Ismail Qemalit, themeluesit të Shqipërisë. Në Kurvelesh dhe mbarë Labërinë ka qenë traditë kënga për trimat, për të rënët dhe zgjuarsinë në luftime duke i kënduar fuqishëm fitoreve si frymëzuese për të tjera. Në nëntorin e 1828, vetëm gjashtë vjet pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës, Çelo Picari ishte në krah të Zylyftar Podës, Tafil Buzit dhe të tjerëve që vendosën të ngrenë Jugun e Shqipërisë në kryengritje kundër reformave të “Tanzimatit”. Në fakt “Tanimzati” ishte një valë reformatore në Sulltanatin Osman që do të thotë sipas origjinalit “Riorganizim”, reforma që nisi më 1839 dhe përfundoi me shpalljen e kushtetutes së 1876. Dekreti perandorak i sulltan Abdyl Mexhidit të 1839-tës solli një varg reformash administrative, financiare, ushtarake dhe arsimore për centralizim dhe forcim të ushtrisë. Por këto reforma u kundërshtuan fuqishëm nga kapedanët shqiptarë nga Çelo Picari me shokë. Po ashtu edhe dekreti osman i 1856 u kundërshtua hapur. Në pikëpamje kronologjike më 1827, Çelua i ishte lutur, e kishte shoqëruar gjatë një mikun e tij, që të mos i përgjigjej ftesës së valiut të Janinës, por nuk e dëgjoi dhe u vra pas festës. Që në atë kohë aftësia e mosbesimit ndaj këtyre ftesave duket se ka qenë ngulitur fort te Çelo Picari. Kjo do përsëritej disa herë. Kryengritësit shqiptarë, por edhe ata fqinj kërcënonin zotërimet perandorake dhe është i njohur veprimi dinak i Sadrazemit Mehmet Reshit Pasha për “amnisti”, që përfundoi me kasapanë ndaj parisë shqiptare. Por erën e gjakut dhe dredhisë e nuhati Çelo Picari me shokë dhe bojkotoi Manastirin dhe vetë sulltanin. Në gushtin e 1830, krerët shqiptarë ranë në kurth në kazermën madhështore të Manastirit, ku mes 600 të masakruarve ishin dhe Asllan Kuca kurveleshas dhe mik i Çelos si dhe Veliko Jaçe, që Çelua e kishte si vëllam. Në pranverë të 1833 Çelua së bashku me Tafil Buzin, Zenel Gjolekën, Balil Neshën, Çobo Golemin etj., në krye të çetave shqiptare, u përlesh me forcat osmane në afërsi të fshatrave Kakavijë, Guver, Peshkopi dhe triumfuan mbi ta, po kështu edhe në vjeshtë 1833, në Luzat të Tepelenës, çeta e Çelo Picarit shkatërroi plotësisht një repart ushtarësh osmanë. Por duke qenë mjeshtër i situatave Çelo Picari bëhej edhe i “urtësuar”, kur i ofronte paqe sulltanit, në këmbim të një vendi pune të sigurtë, ku jetoi disa kohë si mbikëqyrës i kufirit greko-osman në Thesali, por duke pasur gjithnjë mosbesimin e osmanëve, të cilët e dinin fort mirë se kishte plane dhe bashkëpunonte me revolucionarët grekë. Në një rast e thirrën për të “biseduar” në Stamboll, për nizamët, megjithëse pranon kur del garant kreu i fesë myslimane Sheh-Ul Islami, por që ishte një mashtrim dhe e burgosin e më tej e internojnë. Një jetë e mbushur me luftë e sakrifica për vatanin, dekada që në tre internime të tij (I-1838-1844; II-1847-1852;III-1877 i mbetur në tentativë). Viti 1847 është viti që i lartësoi më shumë prijësat si dhe luftëtarët, që mundësuan edhe besëlidhje, kuvende, oda e beteja të përgjakshme antiosmane, besëlidhje me 47 vula e 89 firma kapedanësh e prijësash ku shquhet paria labe e Çelo Picarit, Zenel Gjolekës, Çobo Golemit e më tej edhe Tafil Buzi, Hodo Nivica etj. Është e njohur se Çelua jetoi edhe në Janinë disa kohë dhe mori pjesë në luftën greko-turke të 1854 dhe shkroi faqe lavdie në luftën e Mecovës dhe jo vetëm. Ishte koha kur Shqipëria kishte trima me bollëk dhe shkruante trimëri përditë, prandaj edhe pushtuesve po i rrëshqiste toka nën këmbë. Prandaj edhe kur Çelua ishte 76 vjeçar më 1877 u përbashkua në nismën e Abdyl Frashërit për kuvendin e Janinës. Këtë moment historik e ka kapur edhe poeti: “Kurvelesh t’u rrit nami,/Ju kërkon Çelo Picari,/Mbi të gjithë parësinë,/mexhlisi në Janinë,/Abdyl e Gjoleka ynë (Myslim Gjoleka pasi Zenel Gjoleka ishte vrarë më 1852,/Të flasim për Arbërinë…”. Ndërkohë që në këtë periudhë athinasit e quanin Çelon, luftëtar ballkanik kundër osmanëve`, por më vonë në Athinë ishte arrestuar disa herë nga policia për pavarësinë e mendimeve dhe nuk është e vërtetë se ka punuar ndonjëherë ndezës i fanarëve të  athinasve. E kundërta është reala: ka qenë gjithmonë ndëzësi i shpirtrave të fikur, kryengrytës rebel, luftëtar i pashembullt, prijës që ja shtoi lavdinë dhe krenarinë Labërisë dhe Shqipërisë, një model i atdhetarit të përkushtuar dhe luftëtar i paepur për lirinë e mëmëdheut. Të tillë i pati edhe bijtë Shahinin, Ilijazin e Rustemin, që ja kushtuan jetëm çështjes shqiptare, pa e njohur tituj, grada e ofiqe. Vetëm Çelo Picari ishte “aga”, titull që nuk buronte nga pasuria, por ishte thjesht një ofiq i fituar nga shërbimi. Megjithëse duhet thënë se Çelua ndihej i barabartë me luftëtarët në betejë dhe printe gjithmonë në ballë, ishte frymëzues dhe garant i fitores. Por në fakt Kurveleshi nuk kishte bejlerë, agallarë, por kapedanë e prijësa luftarakë Çelo Picarit, që u trashëgua trimëria në mbrotje të truallit shqiptar. Në shkurt 1878, kur bandat andarte zbarkuan në Lëkurës të Sarandës, të tre djemtë e Çelo Picarit luftuan me trimëri ndaj pushtuesve, si babai i tyre dhe pushtuesit u detyruan të largohen nga trojet shqiptare të ish Vilajetit të Janinës, por nuk harruan dhe sërish do të vinin. Viti 1880 është viti kur Çelo Picari ndahet nga jeta i helmuar nga antishqiptarizmi fqinj, dhe të tre djemtë e morën nga Athina trupin e tij dhe e varrosën në Janinë në xhaminë e namazgjasë, ku pas disa vitesh kur kjo xhami prishet për ngritjen e ndërtesës së organeve juridike të Janinës, dokumentohet se eshtrat e Çelo Picarit u rivarrosën në xhaminë e Asllan Pashës në Kalanë e  Janinës. Vepra e Çelo Picarit është flakadan lirie për brezat, në roje të lirisë dhe së drejtës, ku në rreth tetë dekada jetë gjashtë dekada ka qenë me shpatë në dorë. Më 23.7.1880 Lidhja shqiptare e Prizrenit mblodhi kuvendin e saj në Gjirokastër, ku Abdyl Frashëri, risolli në vëmëndje një figurë mitike popullore Çelo Picarin, që ishte shuar në mënyrë misterioze para pak muajsh në moshën 79 vjeçare. Abdyli i fliste djalërisë gjirokastrite dhe jo vetëm me modelin e kordhëtarit lab. Epitafi në pllakën e varrit të Çelo Picarit flet për një histori që nuk do të shterret kurrë: “O vizitor, mos u tremb nga vdekja, bota është e guximtarëve, e atyre që luftojnë për vatanin!”. Fakt është se të djemtë e Çelos ndoqën rrugën luftarake të babait dhe ishin mbështetës të LSHP dhe Avdyl Frashërit: Rustemi ishte zgjedhur në kryesinë e Lidhjes së Prizrenit, Dega e Janinës, Iljazi ishte në kryesinë e Degës së Gjirokastrës, sipas “Trima të Kryengritjeve popullore” të Mexhit Kokolarit. Kapedan Çelo Picari, guximtari që ja shtoi lavdinë Labërisë dhe gjithë shqiptarisë ngeli guximtari i shekujve, një emërmadh historik i kombit shqiptar.

Publikuesit e historisë i bëjnë nder kombit dhe lartësojnë figurën e Kapedan Çelo Picari

Historia e shqiptarëve është histori qëndrese për mbijetesë nëpër shekuj dhe këtë e provojnë përballja luftarake në çdo epokë historike. Naim Frashëri tek “Shqipëria”, ka qenë qiriri i ndezur i shqiptarizmës, kur si udhërrëfyes i hollë shkruante: “Bota që kur është zënë,/ Shqipëria gjall ka qenë,/ Pellazgj u thoshin më parë,/ Më së fundi shqipëtar..”, vargje mençurie që u tregonte udhën brezave, që nuk i linte të fikeshin shpresat. Dhe shpresat të ndezura i mbajti një popull i tërë, por edhe historianët, që vlen të jenë pishtarë të së vërtetës historike të së shkuarës së lavdishme shqiptare. Një ndër jetëshkruesit e kapedan Çelo Picarit është Mete Peçi, i cili nuk është vetëm autor i librit me 87 faqe vlerë “Bota e Guximtarëve – Kapedan Çelo Picari” që përshkruan bindshëm figurën e kordhëtarit emërmadh të Labërisë, Çelo Picarit e gjithëpranuar në historinë gojore dhe dokumentare shqiptare, që ka zënë vend me të drejtë edhe në letërsinë tregimtare të heronjve dhe dëshmorëve të kombit tonë. Fjalërt encilopedikë shqiptarë dhe më tej e njohin nga pena e Mete Peçit, Eqrem bej Vlorës, Mexhit Kokalarit në “Trima të Kryengritjeve popullore”, Dora D’Istria (Elena Gjika), Thimi Mitko, Aristidh Kolës, Historisë së Shqipërisë dhe Historisë së Popullit shqiptar, Prof. Petrika Thëngjillit e Koli Xoxi (1923-2013), Nasip Meçaj; Xhemil Çelaj e Fatmir Toçi tek “Enciklopedi e Kurveleshit”, Prof. Rami Memushaj në “160 vjetori i një kryengritjeje që nuk duhet harruar”, Profesor Bardhosh Gaçe, Profesor Bernard Zotaj, Dr.Hasan Luçi, Agim Rusto, Vladimir Bizhga, Gëzim Zilja, Mitat Kondi, tek këngët popullore të rapsodit anonim popull. Në këtë fushë me guxim mund të lëvrojnë më shumë profesorë të Akademisë së Shkencave, të ASA-së dhe të Universitetit të Tiranës, por edhe të dy akademive të spektrit të sigurisë sikurse janë AFA dhe AS-ja. Fakt është se edhe kur e harron politika, Çelo Picarin nuk e harron populli për historinë që shkroi në të mirë të vendit, ndërkohë që kapedani lab e meriton bustin në një ndër sheshet më të përzgjedhura të Tiranës dhe jo vetëm në Picar dhe Gjirokastër, meriton emra rrugësh, shkollash dhe punime të tjera dokumentarë dhe filma për një periudhë të ndritur të shqiptarëve, që e mbrojtën shqiptarizmën me atdhetari e patriotizëm të flaktë. Rrëfenja për Çelo Picarin është e gjallë, në armët dhe veshjet, në këngët dhe trashëgiminë popullore, në kostume dhe fustanellë, aq sa edhe burrështetasi grek Spyridon Trikoupis (1788-1873), i kërkoi piktorit rus Nikolai Vasilyeviç Orlov, një tablo ku Çelo Picari të ishte në Parlamentin grek, si hero i luftrave dhe demonstratave të fukarait në Athinë, ku shpirti i popullit të varfër dhe fjala e tij të buçiste në parlament. Porosia nga Greqia ishte e këshilluar edhe me Leon Tolstoin mik i Orlovit, që ndante pikëpamjet e tij me të, kur bëhej fjalë për udhëheqësa popullor fshatar, që pena dhe fjala nuk i pushonte. Tregimtarë tregojnë se Tolstoi i dha idenë, që Çelua me fustanellë është në qendër të kompozimit, ku fjaloset me kryetarin e parlamentit, ku ndrin fustanella e luftës, që përcjell në mesazh kuptimplotë të një trimi të çartur, por që kishin “harruar” se fustanella qënkish nga fisi ilir i Kaonëve dhe jo greke, siç mundohen të “argumentojnë” pikturën që flet sa mijëra fjalë. Është kjo arsyeja që Çelo Picari është subjekt i shpeshtë i këngëve popullore shqiptare të jugut në lidhje me Ali Pashën, Revoltën shqiptare të një bllok viteve të rebelimit luftarak shqiptar më 1834, 1847, 1854, 1878 e deri në shpalljen e pavarësisë. Në vargjet e popullit kanë hyrë trima të shumtë krahas Çelo Picarit siç është Zenel Gjoleka, Hodo Aliu në Nivicë, Veiz Vasjari Tepelenë, Hadër Sulo, Kaninë, Dervish Aliu Dukat, Mato Haxhiu Brataj,Lilo Qendro, Osman Kuci në Fushëbardhë, Fejzo Çika Borsh, Hodo Aliu Nivicë, Dule Zoto Smokthinë, Lulo Abazi Tërbaç, Kamber Delo Tragjas, Mete Çobo Vranisht, Selim Agai Vlorë, Hito Dauti Mavrovë, Sheh Aliu Tepelenë, Spiro Stoja Labovë, Foto Kopali Himarë, Gjikë Thanasi Qeparo, Sokrat Leka Qeparo etj. Shqiptarët në Jug dhe në Veri rezistuan fuqishëm pushtimeve dhe kapedanët shqiptarë që që luftuan në mbrojtje të territoreve shqiptare mes të cilëve shkëlqeu edhe Çelo Picari, me meritë janë futur futur thellë në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve.

-&-

 

Please follow and like us: