Çerçiz Loloçi: Sharlatanët kundër Nënë Terezës
Ditën e mërkurë ndoqa një emision televiziv që i kushtohej festave shqiptare, por u ndjeva shumë keq kur disa sharlatanë që s’përfaqësojnë asgjë ndërmorën një fushtatë shpifjesh dhe denigrimesh ndaj Nënë Terezës.
Natyrisht nuk jam kundër që të debatohet edhe për të sepse kjo i bën mirë njohjes më të gjerë të kësaj personalitete të madhe në shkallë planetare, për fat me origjinë shqiptare, por që të flitet aq papërgjegjshmërisht dhe të mos ketë asnjë ndërhyrje nga moderatorët, mu duk e mjerushme, por edhe e dënueshmë njëkohësisht.
Nënë Tereza, tashmë një ikonë ndërkombëtare, ka në thelb të saj përkushtimin ndaj personave të pambrojtur, të nëpërkëmbur nga pushtetet apo nacionalizmat dhe arriti të spikaste me bamirësitë e saj në një vend relativisht të madh, por me popullsi shumë të varfër.
Nënë Tereza punonte përditë në territore fare të shkreta, larg kameras dhe zhurmës mediatike e megjithatë ajo u bë pikë referimi dhe vlerësimi jo vetëm për ata të besimit të saj, por edhe të shumë të tjerëve.
Nënë Tereza, fituese e Nobelit të Paqes u bë e famshme fal përkushtimit të saj të paprecedentë, por arriti të kthehej edhe në një pasaportë sui generis për ne shqiptarët që duhet të krenohemi për të.
Ka pak rëndësi të përmend këtu emisionin apo kanalin televiziv dhe të ftuarit, por nëse kjo do të ndodhte në një vend tjetër normal strukturat ligjzbatësuese do të ndërhynin energjikisht për të mos lënë llapasihane të shpërndajnë diare të kësaj natyre.
Agnes Gonxhe Bojaxhiu lindi në Maqedoni në 1910 nga një familje me prejardhje shqiptare. Në moshën 18 vjeç, shkoi në Indi dhe iu përkushtua ndihmës ndaj të varfërve. Në 1948 bëhet qytetare indiane dhe themelon urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë në Kalkuta në 1950, i cili u bë i njohur për punën e tij për të mbështetur të varfërit dhe ata që vdesin në atë rajon.
Për mbi 45 vjet ajo u shërbeu të varfërve, të sëmurëve, jetimëve dhe vdekjeve, ndërsa udhëhoqi zgjerimin e Misionarëve të Bamirësisë, së pari në Indi dhe më pas në vende të tjera, përfshirë ndërtimin e bujtinave dhe shtëpive për të varfërit dhe të pastrehët.
Puna e Nënë Terezës është njohur dhe vlerësuar në të gjithë botën. Ajo mori çmime dhe vlerësime të shumta, përfshirë Çmimin Nobel për Paqe në 1979 “për punën e ndërmarrë në luftën për të kapërcyer varfërinë dhe shqetësimet, të cilat gjithashtu përbëjnë një kërcënim për paqen”.
Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997, në moshën 87-vjeçare. Kombet e Bashkuara caktuan 5 shtatorin e çdo viti si Dita Ndërkombëtare e Bamirësisë, që është përvjetori i vdekjes së Nënë Terezës.
Zoti i mëshiroftë gjethurinat që iu sulën si skifterë Nënë Terezës!