Prof. Donik Sallova: Këshilltar konstant i interesit kombëtar
Libri i ambasadorit dhe studiuesit të mirënjohur z.Shaban Murati, i titulluar “Vetëvrasja diplomatike e Kosovës dhe e Shqipërisë”, i cili përmban mbi shtatëdhjetë shkrime e analiza të shkruara në periudhën e viteve 2018-2021, përbën, nëse mund të themi kushtimisht, një “ditar politik” refleksionesh, kritikash, këshillash e vlerësimesh të autorit mbi zhvillimet politike kombëtare, me theks të veçantë zhvillimet diplomatike, rajonale e ndërkombëtare, të cilat kishin dhe kanë ndikim në interesin tonë si komb dhe si shtete shqiptare.
Duke shkruar vazhdimisht dhe për një kohë të gjatë, dhe me këtë rast duke shkruar në kohë reale, autori Murati ka bërë detyrën e tij si profesionist dhe si veprimtar, duke reaguar në kohë ndaj sfidave politike e diplomatike me të cilat u ballafaquan shtetet tona.
Pra, ai ishte një këshilltar konstant i interesit kombëtar dhe i ka dalë borxh kombit. Ndërsa, duke e botuar këtë libër me shkrimet e tij të përmbledhura, të cilat së bashku mund të lexohen edhe si një “udhërrëfyes politik”, ai tashmë u del borxhit edhe studiuesve dhe brezave të ardhshëm, duke ua lënë një tekst që në mënyrë të detajuar paraqet çdo zhvillim politiko-diplomatik të rëndësishëm për Kosovën dhe Shqipërinë, të ndodhur në periudhën 2018-2021.
Prandaj, si i tillë, libri përbën literaturë kritike për studentët e studiuesit, që duan t’i kuptojnë zhvillimet politike të kësaj periudhe, gjenezën e tyre historike dhe ndikimet e diplomacisë e të politikës botërore në këto zhvillime.
Konsideroj që dy janë segmentet kryesore të trajtesave në kuadër të librit, njëra lidhet me dialogun Kosovë-Serbi, ndëra tjetra raportet Shqipëri-Serbi dhe interferimi i tyre në çështjen e Kosovës.
Në secilin zhvillim të rëndësishëm të ndodhur në këto dy segmente ambasadori Murati ka mbajtur qëndrimin e tij kombëtar e profesional, duke reaguar, këshilluar e kritikuar, sikurse edhe duke denoncuar gabimet dhe rrezikimet, që elitat politike të Kosovës, Shqipërisë, apo edhe ato të shteteve e vendeve aleate ia shkaktonin interesit kombëtar.
Në shkrimet e tij të përfshira në këtë libër autori ka denoncuar nismën për ndryshimin e kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, si një akt të rrezikshëm që cënonte integritetin dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Më tutje, propozimi që kryeministri i atëhershëm i Kosovës bëri për thirrjen e një Konference Ndërkombëtare për të zgjidhur raportet Kosovë-Serbi u denoncua nga ambasadori Murati si një gabim politik e diplomatik, që mund të çonte në hapjen e diskutimeve për statusin e Kosovës, i cili duhet të konsiderohet i mbyllur që me shpalljen e pavarësisë më 2008.
Në këtë kontekst, është denoncuar edhe dukuria e “vetë-shantazhimit” e shumë libderëve politikë të Kosovës me Rezolutën 1244, të cilët e përdorin si justifikim ndaj kompromiseve që kanë bërë apo duan të bëjnë në bisedime me Serbinë, duke pohuar gabimisht dhe padrejtësisht se pa u shfuqizuar kjo rezolutë “çështja e Kosovës” do të mbetet e hapur.
Për këtë, autori vë në pah argumentet që jep Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Ndërlidhja e gabuar dhe e tejkaluar e Kosovës me rezolutën 1244 është argument i Serbisë dhe do të rrezikonte çuarjen e statusit të Kosovës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duke përfshirë në tryezë faktorë armiqësor ndaj Kosovës si Rusia dhe Kina.
Bisedimet Kosovë-Serbi nuk kanë të bëjnë me statusin e Kosovës, prandaj nuk kanë të bëjnë as me antarësimin e Kosovës në OKB e as me Këshillin e Sigurimit, konstaton ndër të tjera ambasadori Murati.
Kur jemi tek bisedimet Kosovë-Serbi për normalizimin e raporteve reciproke, autori i librit në shumë prej shkrimeve ka denoncuar indiferencën e negociatorëve europianë ndaj realitetit politik të Kosovës dhe anshmërinë e tyre të hapur ndaj interesave të Serbisë, duke pranuar të hapin për diskutim tema, që dalin përtej tagrit të normalizimit të raporteve mes dy subjekteve të pavarura.
Prandaj, përfshirjen e faktorit amerikan ambasadori autori e konsideron kusht për epilogun e suksesshëm të këtyre bisedimeve, me njohje reciproke mes dy shteteve. Por, këtu duhet theksuar se në shkrimet e tij ambasadori Murati ka denoncuar si të gabuar qasjen e të dërguarit të atëhershëm amerikan për zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi përmes marrëveshjesh ekonomike, duke aluduar gabimisht sikur gjeneza e këtij problemi ka qenë ekonomike.
Thelbi i problemit të raporteve Kosovë-Serbi është politik dhe kushti për t’i zgjidhur ato është njohja që Serbia duhet t’ia bëjë shtetësisë së Kosovës.
Në analizën e raporteve Kosovë-Shqipëri, përkatësisht të qëndrimeve që qeveritë dhe elitat politike në Shqipëri kanë mbajtur ndaj zhvillimeve politiko-diplomatike rreth Kosovës, autori ka mbajtur qëndrim kritik, madje duke denoncuar indiferencën e Shqipërisë zyrtare ndaj cënimit të interesave të Kosovës, duke e konstatuar një prirje të tillë tek të gjithë krahët politikë-partiakë.
Në këtë logjikë të indiferencës ndaj interesit kombëtar shqiptar, që në këtë rast është interesi për të mbrojtur Kosovën përballë Serbisë, ambasadori Murati e ka denoncuar iniciativën e “Mini-shengenit ballkanik”, që më pastaj u emërtua si “Open Balkan”. Këtë iniciativë autori e konsideron si një iniciativë të Serbisë për të përfshirë në sferën e vet të interesit shtetet e tjera fqinje ballkanike dhe në thelb për ta theksuar si të pënevojshme njohjen e shtetit të Kosovës edhe në kontekst të bashkëpunimit rajonal.
Analizave të këtij libri nuk iu ka ikur asesi shqyrtimi i rreziqeve që i kanosen shtetësisë së Kosovës nga përpjekja e Serbisë për imponimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Marrëveshja mbi Asociacionin e nënshkruar nga udhëheqja e atëhershme kosovare, përveç që ishte një gabim historik, ajo u gjykua edhe si anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Autori e denoncon Asociacionin si një instrument të Serbisë për të bosnjizuar Kosovën, pra për ta defunksionalizuar atë përmes gërryerjes së sovranitetit të institucioneve qëndrore të Republikës së Kosovës.
Ky libër, duke qenë i plotë në përfshirjen dhe shqyrtimin e ngjarjeve dhe zhvillimeve të rëndësishme kombëtare e rajonale, kompetent në qasjen studimore të problemeve politiko-diplomatike, kritik në denoncimin e gabimeve politike me konsekuenca në rrezikimin e interesit kombëtar e shtetëror, minimalisht duhet të jetë në tryezat e politikbërësve në ministritë tona të punëve të jashtme, në Kosovë dhe në Shqipëri.