Poetja e mirënjohur Irma Kurti boton librin e shtatëmbëdhjetë në gjuhën italiane
Poetja dhe shkrimtarja e mirënjohur Irma Kurti boton librin e saj të 17- të në gjuhën italiane: bëhet fjalë për vëllimin me poezi “Mesazhe nga lart”. Përmbledhja poetike mban siglën e Shtëpisë Botuese Youcanprint, ndërsa imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini.
Në parathënien e librit shkruhet: “Mesazhe nga larg është një përmbledhje me tetëdhjetë poezi. Lajtmotivi kryesor është nostalgjia për vendin e origjinës dhe dashuria, kjo e fundit në sensin më të gjerë dhe universal, pra ajo për prindërit dhe në çift. Gjithçka rrjedh me ritëm të shpejtë, në një përditshmëri të vrullshme që nuk të jep kohë as të mendosh për veten, në një jetë që ndonjëherë sillet keq, me spektaklin (e saj) të gjatë dhe monoton që lodh. Ka dashuri që ekzistojnë përtej çdo logjike dhe përtej vdekjes, ashtu siç ka dashuri apo puthje që lindin ose vdesin në një çast. Pavarësisht nga qielli gri dhe me re, autorja kërkon gjithmonë dhe fton mijëra rreze dielli në përqafimin e saj. Një përmbledhje me poezi e shkruar me një stil të thjeshtë e të rrjedhshëm, por që gjithsesi arrin të shpalosë kompleksitetin e ndjenjave njerëzore”.
Irma Kurti është nderuar me shumë vlerësime për poezinë dhe prozën e saj. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
Në 2018 i jepet titulli “Accademico Ononario” nga Akademia Universum në Zvicër.
Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane.
Irma Kurti ka botuar 23 libra në gjuhën shqipe dhe gjashtë libra në gjuhën angleze. Librat e saj janë përkthyer gjithashtu në gjuhën spanjolle, gjermane, serbe, rumune etj.