Albspirit

Media/News/Publishing

STRATEGJIA E PRESIDENTIT PUTIN PËR TË DËMTUAR DEMOKRACITË NË EUROPË DHE NË BOTË

Po e filloj këtë shkrim me dy deklarata të presidentit Putin:
“Para së gjithash vlen të përmendet se rënia e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit”. VP 2005.
“Nëse do të dëshiroja, për dy ditë forcat ruse mund të shkojnë jo vetëm në Kiev, por gjithashtu edhe në Riga, Vilnius, Tallin, Varshavë dhe në Bukuresht”. VP 2016.
Vladimir Putini është një nga presidentët më jetëgjatë të këtij shekulli. Ai është një autokrat i dhunshëm, llafollog i madh, njohës i shkëlqyer i gjeostrategjisë dhe i gjeopolitikës, një ish spiun me eksperiencë në luftën dhe operacionet e fshehta, politikan me influencë të madhe në botë, multibilioner dhe super i korruptuar.
Që në momentin e emërimit të tij në krye të Federatës Ruse në fund të vitit 1999, ai filloi një plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë strategjik për herë të parë pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Objektivi i tij është që bota të mos jetë njëpolare (pra në botë të mos jetë vetëm SHBA superfuqi e vetme), të prishë rendin botëror në mënyrë të veçantë në Europë dhe ta zëvendësojë atë me mbizotërimin e fuqisë së Rusisë nëpërmjet përdorimit të fuqisë së butë, fuqisë së fortë, luftës së parregullt, luftës hibride, luftës kibernetike, keqinformimit, luftës me intensitet të ulët, luftës së parregullt, përdorimit të fuqisë ekonomike, fuqisë ushtarake duke përdorur forcën dhe diplomacinë aktive.
Por kjo nuk mund të realizohet fillimisht pa nënshtrimin e fqinjëve që ndodhen në kufijtë e tij dhe integrimit të tyre në sferën e sistemit politik dhe ekonomik rus, neutralizimin e Europës dhe dobësimin në maksimum të marëdhënieve transatlantike të tyre me SHBA-të.
Në të njëjtën mënyrë, strategjia ruse ka si qëllim provokimin dhe përhapjen e serive të ndryshme të krizave globale, të cilat dobësojnë rolin dhe aftësitë e perëndimit dhe dëshirën e tij për të influencuar në çështjet globale, ndërkohë që në të njëjtën kohë promovon interesat e Rusisë dhe të aleatëve të saj.
Sigurisht në rast se analizon me kujdes intervistat dhe deklaratat e tij, ato nuk shfaqin asnjë ambicie përtej ‘kufijve’ të tij. Por vizioni i Putinit për të ardhmen e botës është bërë i qartë nga një model i qëndrueshëm i sjelljes përçarëse me përdorimin e forcës dhe intrigave diplomatike, keqinformimit të publikut, sulmeve të fshehta, luftës së parregullt, goditjes, helmimit dhe vrasjes së kundështarëve të tij politikë, etj të cilat demonstrojnë qartazi strategjinë e tij për të ringritur Rusinë si një fuqi botërore.
Putin e shikon Europën lindore në të ardhmen nën kontrollin e Moskës dhe të integruar në sferën e influencës kulturore, ekonomike dhe politike të Rusisë, në të njëjtën mënyrë po përpiqet në maksimum që edhe Europa Perëndimore të jetë e varur nga enegjia ruse, një politikë izoluese dhe më e rëndësishmja anti-amerikane.
Drejtuesit Europianë deri tani janë shfaqur të verbër sa i përket strategjisë së tij të largët. Presidenti Obama iu përgjigj pa forcë pushtimit të Krimesë në vitin 2014, duke e paralajmëruar Putinin se: “Ju jeni në anën e gabuar të historisë”, ndërkohë duhet pranuar se Putini po shkruan “historinë” e tij. Në këtë kontekst, autori i shquar amerikan Ralph Peters jo pa të drejtë ka shkruar se: “Obama flet, Putini vret”.
Në këtë këndvështrim gjykoj që është e rëndësishme të nënvizojmë se konfliktet dhe luftërat ndërkombëtare që ka realizuar deri më sot Putini kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se të 12.500 jetëve civile dhe ushtarake.
Deri më sot Putini nuk ka shfaqur asnjë shenjë që të tërhiqet nga objektivat e tij, ndërkohë që sasia e trupave ushtarake ruse në kufi me Ukrainën ka kaluar 110.000 ushtarë përfshirë këtu edhe teknikën më të avancuar të luftës, ndërkohë që ai pas saj sytë i ka drejt izolimit të vendeve Baltike edhe pse ato janë anëtare të NATO-s dhe BE-së.
Në këtë këndvështrim, gjykoj se është e rëndësishme që drejtuesit tanë dhe jo vetëm të kuptojnë në thellësi dhe në gjerësi se çfarë po planifikon Putini në Ukrainë, Bjellorusi, vendet Baltike, Moldavi, Kauzaz, Suedi, Norvegji, Ballkan, Europën Qëndrore, Azinë Qëndrore, Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore, SHBA dhe në Azinë juglindore.
Ky shkrim dhe disa të tjerë pas tij do të kenë si objektiv shfaqjen e planeve të tij për të ekzekutuar në çdo vend, rajon dhe në sferën globale. Gjykoj se do të ishte e udhës që të analizojmë se çfarë ka arritur deri më sot, çfarë po planifikon në ditët e sotme dhe cilat janë planet afatgjata në të ardhmen në këto shtete dhe rajone?
Planet e tij afatgjata përfshijnë zbatimin e luftës së parregullt, të kombinuar me masat aktive (aktivnyye meropriyatiya), luftën asimetrike (asimetrichnym), konfrontimin informativ (informatsionnoye protivoborstvo), mohimin, mashtrimin (maskirovka) dhe strategjinë e gjeneralit Gerasimov: “Doktrinën Ushtarake Gerasimov” ose “Luftën e Gjeneratës së Re” e cila nënkupton implementimin e një strategjie dhe modeli të ri operacionesh ushtarake, pasi rregullat e sotme të luftës kanë ndryshuar.
Me urdhër të gjeneralit Gerasimov, agjencitë ruse kanë shfrytëzuar gjithashtu organizatat në hije për të ndihmuar në kryerjen e operacioneve të informacionit, sulmeve kibernetike dhe operacioneve luftarake, duke përfshirë kompanitë private ushtarake si Wagner Group, Agjencinë e Kërkimeve në Internet (IRA), Kaspersky Lab, rrjete dhe persona në internet të quajtura “Guccifer 2.0”, etj.
Në vitin 2021, vlerësimi i inteligjencës amerikane arriti në përfundimin se: “Presidenti rus Putin autorizoi një sërë organizatash qeveritare ruse të realizojnë operacione influencuese që synonin… cënimin e besimit të publikut gjatë procesit zgjedhor dhe përkeqësimin e ndarjeve sociopolitike në SHBA”.
Në të njëjtën kohë, agjencitë ruse të inteligjencës kanë financuar rrjete të supermacisë së bardhë dhe rrjete të tjera të së djathtës ekstreme në SHBA dhe jashtë saj, kryesisht përmes grupeve frontale duke përhapur propagandë të supermacisë së bardhë dhe të tjera të ekstremit të djathtë në internet dhe media sociale përmes mjeteve klandestine….
Sipas Putinit dhe Gerasimov aktorët dhe mjetet jo ushtarake janë të rëndësishme për të arritur objektivat politike, strategjike dhe në shumë raste ato kalojnë edhe fuqinë e përdorimit të armëve dhe efektivitetin e tyre”. Kjo do të bëjë që në të ardhmen disa prej këtyre vendeve dhe rajoneve të kthehen në një rend tjetër të ribërë sipas vizionit të Putinit dhe padyshim që në këtë moment konseguencat e paqes globale, prosperitetit dhe sigurisë së Botës do të jenë në rrezik potencial.
Si përfundim, pikërish duke patur parasysh fuqinë ushtarake, ekonomike, diplomatike, informative, të inteligjencës dhe aleatët e SHBA-ve si NATO-n, BE-në etj nëpër botë, me qëllim arritjen e objektivave të tij afatgjata strategjike Vladimir Putini ka afirmuar edhe një herë aleancën me “mikun” e tij të ngushtë sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Qëndror të Kinës presidentin Xi Jinping, me Iranin dhe shtete të tjera.
Dritan Demiraj, Ph. D.
Ish Ministër i Brendshëm.
Please follow and like us: