Albspirit

Media/News/Publishing

Traktati i Varshavës është gjallë: Çekosllovaki 1968 – Kazakistan 2022 (Rusia, e cila ndërhyn ushtarakisht në vendet e CSTO, i kërkon NATO-s të mos bëjë as stërvitje në vendet anëtare)

Shaban Murati

Rusia ndërhyri me forca ushtarake në Kazakistan në 6 janar 2022 për të mbrojtur regjimin autokrat prorus nga protestat popullore.

Ndërhyrja e kontigjentit të 2500 forcave ushtarake të drejtuara nga komandanti i përgjithshëm i forcave desantuese elitë të forcave ajrore ruse, gjeneral-koloneli Andrej Serdjukov, u maskua me etiketën e “ndërhyrjes kolektive” të aleancës ushtarake CSTO, e krijuar nga Rusia me gjashtë shtete ish-republika sovjetike, si dhe me “ftesën” e regjimit të korruptuar në fuqi në atë vend.

Forcat ushtarake ruse morën nën kontrollin e tyre aeroportin e Alma Atës dhe institucionet më të rëndësishme shtetërore të Kazakistanit.

U përsërit skema klasike e ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Çekosllovaki në vitin 1968, e cila u maskua atëhere si “ndërhyrje kolektive” e Traktatit ushtarak të Varshavës, të udhëhequr nga Rusia, si dhe me “ftesën” e forcave besnike të Moskës në Pragë.

Statuti i CSTO thotë se vendet anëtare japin ndihmë ushtarake direkte vetëm në rast agresioni të jashtëm ndaj një shteti anëtar. Nuk pati asnjë agresion të jashtëm këto ditë të para të janarit 2022 në Kazakistan, por vetëm protesta antiqeveritare.

Nuk pati atëhere agresion të jashtëm as në Çekosllovaki. Rusia është e njejta, që në historinë moderne po mban në fuqi regjimet proruse me ndërhyrjen e saj ushtarake.

Moska po ringjall Bashkimin Sovjetik me forcën e armëve. Ironia është që Rusia, e cila ndërhyn ushtarakisht në vendet e CSTO, i kërkon NATO-s të mos bëjë as stërvitje me forcat e saj në vendet anëtare të Aleancës Atlantike.

Le të shpresojmë që hija e zezë e ndërhyrjes së tanishme ushtarake ruse në Kazakistan të dominojë në bisedimet e reja të fundjavës SHBA-Rusi dhe NATO-Rusi.

—-

Nga rubrika e autorit: “Shënime nga blloku diplomatik”/gazeta dita

Please follow and like us: