Ymer Çiraku: Libër për Cile Mukën e Gjirokastrës dhe të tjerë…
Para disa ditësh, Vasil Muka, një shok i fëmijërisë sime më dha për lexim dorëshkrimin e një libri të shkruar prej tij, kushtuar gjyshit të vet, basho Ciles, aq të njohur për gjirokastritët dhe më gjerë. Ishte pikërisht ai njeri, pronar i një taverneje të vogël, por përherë plor njerëz të hareshëm, përmes të cilit merr shkas edhe ai shkrimi i Dritëro Agollit, që për kohën bëri aq bujë: “Cile Mukën e kam pranë dhe kulturën përkarshi”. Ku dilte në pah kontrasti me heshtjen që vihej re në pallatin e kulturës të qytetit. Për kënaqësinë e të interesuarve, sidomos të atyre që e kanë njohur apo kanë dëgjuar për këtë njeri, po sjell impresionet e mia nga leximi i këtij libri, që po përgatitet për botim:
Në faqet e librit, krahas njerëzve të tjerë, përshkruhet veçanërisht jeta e Vasil (Cile) Mukës (1883-1972), një figurë emblemë e qytetit të Gjirokastrës. Ai pati emër në kohën e tij dhe vazhdon që ta ketë të pashlyer atë emër edhe sot e kësaj dite, jo pse ishte protagonist i ndonjë ngjarjeje të madhe historike, apo se u dallua për ndonjë akt të veçantë apo të çartur të atij qyteti. Jo, ai ishte dhe mbeti qytetari i përkushtuar në atë lokalin e tij fare të thjeshtë nga jashtë, por që ishte aq i madh e i begenisur për njerëzit e shumtë frekuentues dhe kuvendet që lëvonin atje.
Mblidheshin në atë lokal njerëz të të gjitha shtresave e profesioneve: shoferë, tregtarë, postierë, intelektualë, shkrimtarë, gazetarë, nëpunës, gjykatës, studentë, pushtetarë partiakë, librarë, hamenj, ushtarakë, mjekë…, të cilët, gjenin atje pa diferencim mes tyre, shërbimin e pastër e plot përkushtim, pa ato salltanetet e jashtme formale e pa bereqet. Ai ambient, ishte për ta, një fole e ngrohtë, ku zienin diskutimet si në agoratë antike, pa u ndjerë fare hierarkitë e pushteteve të çdonjerit. Transmetoheshin lajmet më të fundit mes tyre dhe nën zë – deri edhe nga ato më delikatet e qytetit dhe të botës mbarë. Njeriu këtu, nën aromën e qofteve me nam të Ciles dhe nën avujt e kupave të verës e rakisë qelibar e ballë kazani, përjetonte një copë herë kënaqësinë e kuvendit të lirshëm, pa sinore mendimesh e prapamendimesh.
Libri është shkruar nga Vasil (Baçi) Muka, pasardhësi i Ciles, një mësues i talentuar dhe për shumë vite drejtues i arsimit në rrethin e Gjirokastrës. Kjo doemos që krijon një emocion të veçantë, sepse dëshmon lidhjen dhe respektin e mirënjohjen mes brezave, si shenjë qytetarie dhe nderimi për traditat. Dhe kjo është e natyrshme pasi Gjirokastra, në fakt është vet traditë dhe tërë ansambli arkitekturor dhe shpirtëror i saj, e rrazaton më së miri e më qartazi këtë ndërlidhje, kaq të harmonishme e mbresëlënëse mes brezave dhe epokave.
Duhet vlerësuar se gradualisht, po krijohet edhe te ne tradita e jetëshkrimeve të familjeve, të cilat, janë ato qelizat vitale, prej të cilave, krijohen krahinat e pastaj vet atdheu, ky universi ynë i shenjtë/shtrenjtë. Për jetën në Gjirokastër, për trditat zakonore dhe karakteristikat gjuhësore, janë shkruar jo pak kronika, jetëshkrime e studime me vlerë si p.sh. ato nga Musine Kokalari, Lefter Dilo, Muzafer Xhaxhiu, Mimoza Karagjozi Kore, Baftjar Dobi, Shpëtim Emiri, Andon Lula, Sotiraq Paskali dhe të tjerë.
Ky libër i ri, është veçmas i veçantë edhe për mua. Kam kaluar fëmijërinë dhe rininë e parë në lagjen “Pazar i vjetër”, shtrirë nën kalanë e qytetit, fare pranë mitropolisë, ku ngjitur ishte shtëpia e basho Ciles. Kam qënë pothuaj moshatar me Vasilin, autorin e këtij libri. Kemi ndarë lojrat dhe bisedat me njeri tjetrin. Si banorë të asaj lagjeje rrëzë kalasë dhe ndofta më e vjetra e qytetit, kemi patur rastin të jemi ndër të zgjedhurit edhe në festat e krishtera – për të marrë pjesë plot zell në ceremonitë fetare, që organizoheshin për krishtlindje apo në ditët e Pashkëve, në mjediset e mitropolisë. Kemi patur privilegjin të vishnim petkat ceremoniale, për të kaluar të përkulur nën ritmin e korit kishtar të burrave, poshtë tryezës hijerëndë, ku qendronte libri i shenjtë. Pastaj vazhdonim ritin e ecjes disa herë rrotull mitropolisë, nën dritën e qirinjve dhe duke përsëritur formulat e lutjeve biblike. Ishte si një endërr magjepsëse e plot mister për ne, që e përjetonim me aq seriozitet e devotshmëri, sado që ishim ende fëmijë.
Pikërisht asaj rruge të lagjes sonë (Pazar i vjetër), kam parë të kalonte hijerëndë për në lokalin e tij basho Cilen dhe tërë dinastinë Muka, të rritur e të vegjël, ku seicili prej tyre, kishte rolin e tij, kush duke mbajtur tepsite e qofteve, taset e mëdha të urles, trastat me bukë e zarzavate etj. Vetëm në atë qytet, kam ndjerë atë lidhje e harmoni të mrekullueshme familjare, që funksiononte si një koshere bletësh, ku seicili, kishte dhe kryente rolin e vet. Kujtoj p.sh. një shtëpi, diku nga fundi i agjensisë së udhëtarëve, që ngjante si një kështjellë nga përmasat (ashtu si edhe ajo e Ciles në pjesën e sipërme), ku thuhej se jetonin në harmoni një varg vëllezërish me fëmijët e e nipërit e tyre. Plaku i shtëpisë, babazoti si e thërrisnin, hijerëndë e me këpucët me proka, që i kërcisnin autoritetshëm në kalldrëmin e Qafës së Pazarit, kur hynte në dyqanin e bukës, e shihja të ndjekur nga një tufë nipërish nga pas, tek u vendoste nëpër trasta mbase edhe 20 copë bukë. Ishte furnizimi ditor i asaj shtëpie kështjellë, ku tregonin se jetonin bashkë disa dhjetëra frymë njerëzish.
Në rrugën e kësaj lagjeje të nënkalasë, shikoje të kalonin banorë të profesioneve, moshave e tipave nga më të ndryshmit e më të çuditshmit. Rrallëherë, andej kalonte edhe dhespoti i mitropolisë, për të cilin, ne fëmijët kishim dëgjuar se në vitet e luftës kishte lënë kishën dhe kishte dalë malit si luftëtar antifashist dhe që vazhdonte të mbante ende koburen e luftës në brez. Me veladonin e tij të zi, dhespoti dukej të ecte aq lehtazi dhe hijshëm, thuaj sikur më shumë kishte të bënte me qiellin se me tokën. Lidhjen me tokën, ngjante se ia siguronte vetëm bastuni i tij impozant, me trokitjen ritmike mbi kalldrëm. Po ashtu, mund të shihje të ecte ngadalë e i kërrusur paksa mbi bastun, i përhumbur në botën e tij, poetin e motshëm dhe flokëborë Ramiz Harxhi, një personazh mjaft i njohur ky, qysh i kohës së rilindjes. Madje edhe vatran i përkushtuar në vitet e emigracionit të tij në SHBA, ku flitej se kishte patur njohje me Nolin, Konicën e të tjera figura të shquara të mërgatës atje.
Autori i librit, në qendër ka vendosur figurën e Cile Mukës, por atë e ka vështruar të pashkëputur me rrethin e njerëzve dhe të mjedisit, ku ai jetoi e punoi, Kjo sigurisht, që e ka pasuruar galerinë e personazheve dhe tërë ngjarjeve e situatave të llojllojshme, të ndodhura nëpër kohë e mjedise të ndryshme. Prandaj, mund të thuhet se nëpër faqet e librit, është e endur me vërtetësi dhe plot kolorit një kronikë e gjallë enciklopedike e jetës së atij qyteti. Jeta e basho Ciles, me tërë travajet, peripecitë, dramat dhe gëzimet me të cilat ishte ndeshur, nuk përshkruhet thjesht dhe vetëm brenda jetëshkrimit personal. Figura e tij pasqyrohet në raporte të shumta me njerëzit e familjes, me miq e me shokë të niveleve, profesioneve e krahinave të ndryshme. Kështu që përmes jetëshkrimit të tij, në fakt, lexuesi ka rastin që të njohë më shumë se kaq. Njihet me kohët e vështira, kur edhe një djalë fare i ri e jetim si ai, endet rrugëve të vështira të kurbetit. Pastaj vjen rruga e vështirë e kthimit, endjet deri përtej viseve ballkanike për të kërkuar e gjetur babain. Dhe më pas, hapja e lokalit, krijimi i folesë së familjes, mbushja e asaj foleje me fëmijët e tij e pas tyre plot nipër e mbesa. Dhe Cile Muka, shihet të mbetet përherë në komandë të punës e të familjes, plot autoritet dhe i drejtë, me dinjitetin e një sovrani. Të mrekullon vizioni i tij për t`i dhënë aq frymëmarrje të madhe një lokali modest për nga përmasat. Shpirti i tij tregtar dhe plot fantazi, kishte kuptuar se me çfarë mund të tërhiqeshin klientët: me pak shpenzime dhe të provonin sa më shumë kënaqësi për atë që konsumonin. Kishte krijuar menynë e tij aq të shijshme, por kishte krijuar në mjediset modeste të baçeve rreth shtëpisë edhe një furnizim bio me llo-lloj zarzavatesh të përzgjedhura, disa prej të cilave, me fidanë të sjellë vet nga vise e krahina të ndryshme, deri prej Italisë. Ishte njeriu me intuitën e tregtarit aq praktik, sa që kishte menduar qysh shumë vite më parë, kur ende nuk ishte krijuar kjo kulturë, të mbulonte me siguracione jo vetëm shtëpinë e tij, por edhe lopën e thërritur “balike”, madje edhe hauret e barit.
Mund të thuhet se libri është edhe një album me vlera dokumentare i atij qyteti, ku pasqyrohen njerëz e kronika ngjarjesh, në periudha të ndryshme historike të tij. Këtu gjejmë të dhëna historike, antropologjike, toponomastike, kulturore, zakonore. Të mbeten në mendje edhe objektet e përshkruara brenda shtëpive karakteristike gjirokastrite me sepetet, kandarët, muslluqet, petsat, satëret, çengelët, jukun e shtrojeve…Pse jo, mund të thuhet se është një lloj enciklopedie në miniaturë e botës shpirtërore të atij qyteti.
Sikundër lexojmë në faqet e këtij lbri, të shkruar me aq dashuri e përkushtim nga V. Muka, nuset e djemve basho Cilen e thërrisnin plot nderim “imzot”, kurse nipërit e mbesat “babazot”.
Dhe për gjithë gjirokastritët dhe të tjerët prej anëve të ndryshme që e njohën, Vasil (Cile) Muka, mbeti një zotëri i vërtetë.