Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: “Një Vit i Ri, një axhendë e re”!

Si fillim dua t’i uroj të gjithë lexuesve gëzuar 2022! Shpresoj që të keni kaluar sa më bukur me familjet tuaja dhe ta keni pritur me dashuri e ngrohtësi 2022-shin i cili erdhi pranë nesh, duke na rikujtuar edhe një herë, se shëndeti ka vlerë mbi gjithçka dhe sa falenderues duhet të jemi që gëzojmë shëndet të plotë, bashkë me të dashurit e zemrës. Ndonjëherë një gjëndje e lehtë gripale mjafton për të trazuar ujërat e shqetësimit, prandaj shëndeti duhet të jetë gjithnjë prioritet, në axhendën e çdo viti.
E di që jemi në epokën dixhitale dhe çdo shënim e mbajmë në celular, por unë i përkas kategorisë së njerëzve që vazhdojnë të shkruajnë në letër, sidomos çështjet që i kanë afër zemres.
Dhe në fakt, axhenda është shumë më efektive nëse ne vendosim ta mbajmë në një bllok të vogël, axhenda është motivim dhe disiplinë, është një dashuri e vogël me produktivitet të lartë, e cila nanuk merr shumë kohë për ta shkruar por kërkon të gjithë energjinë tonë për ta vënë në zbatim.
Ne jemi përpara një bilanci shpirtëror çdo fundvit, cilat objektiva kemi arritur dhe cilët jo?
Por nëse ne nuk i përcaktojmë qëllimet tona në formë të detajuar dhe preçize, duke vizualizuar në detaje mënyren sesi do realizojmë çdo objektiv, atëherë shanset janë që këto ëndrra të vdesin, ose të dërgohen në botën e “së nesërmes, apo të “vitit tjetër”.
Pa axhendën e detajuar të qëllimeve, e cila rezulton të jetë shumë nxitëse dhe produktive, viti 2030 do të na gjeje ende këtu, duke ëndërruar akoma për qëllimet e 2022-shit.
Ka shumë rëndësi të vendosim prioritete dhe objektiva të lartë, ndoshta nuk do të mund ti përmbushim ato plotësisht, megjithatë përpjekjet do të jenë maksimale. Është pikërisht kjo lëvizje dhe dalja nga zona e komfortit që do të na orientojë drejt eksperiencave dhe mundësive të reja.
“Unë nuk jam personi që isha një vit më parë” , jam një version më i mirë, me aftësi më të mira, marrëdhënie të shëndetshme dhe korrekte, stabilitet të ri financiar dhe emocional, sfida dhe mendësi të reja. Po kam ndryshuar dhe ndryshimi është e vetmja gjë e mirë që njoh, çfarë nuk ndryshon, gradualisht vdes.
Çdo vit ne marrim vendime të reja, por nuk i shkruajmë në mënyrë të detajuar dhe nuk kemi një plan specifik për mënyrën sesi do ti realizojmë dhe çfarë ndodh? Në fund të vitit i kemi harruar… kjo krijon një gjëndje depresioni dhe pakënaqësie me veten.
Prandaj, këtë vit do të synojmë të jemi versioni më i mirë i vetes dhe çfarëdo që të na sjellë universi do ta “gatuajmë” me pasion.
Organizimi është një çelës suksesi. Nëse dëshirojmë suksesin e madh atëherë duhet të nisim me fitoret e vogla, duhet të organizohemi, motivohemi dhe çfarë është më e rëndësishmja “vetëdisiplinohemi”.
Axhenda, ka një rol të veçantë në jetën time, ajo ekziston edhe në ditët e pushimit…sepse ka gjithmonë diçka për të bërë, ka një kohë cilësore për familjen, një shëtitje me qenin, leximi i një libri të ri, dieta e shëndetshme, të mësosh të thuash “Jo” për gjërat të cilat nuk të japin asgjë, nuk të përmbushin shpirërisht.
Priremi të ankohemi sepse punojmë shumë dhe lodhemi vërtet… por sa po punojmë për veten? Sa punojmë me veten?
Në fund të ditës financat janë të rëndësishme, por kur ka qënë koha që ju jeni ndjerë realisht produktivë?
Kur keni mësuar një aftësi të re, jeni trajnuar me mendësi të reja dhe keni vendosur të ndiqni pasionin e jetës tuaj?
Ndonjëherë ia vlen gjithçka, për një ëndërr të cilën e besoni vetëm ju.
Please follow and like us: