Luli dhe Shqupi janë tashmë faqja e zezë e demokratëve
Ilir Levonja
Nëse Sali Berisha e ka seriozisht kur thotë se, nga sot ajo nuk është më selia e Partisë Demokratike, por Ministria e Brendshme e Edi Ramës, duhet urgjentisht të ndryshojë kursin e opozitarizmit. Nuk e kam kuptuar se përse Shqupi u kthye në një fiksim i proçesit më spektakolar si Foltorja. Shqipëria nuk ka nevojë për Shqupin, por më të domosdoshmen, frymën jetike, opozitarizmin. Madje sot ato protestues duhet të ishin në shesh përpara qeverisë. Eshtë naive të bësh kundërshtar Lulzim Bashën, ka humbur përjetësisht dhe sot u vërtetua publikisht se ai i ka shitur demokratët. Kishte kaq ditë që denoncoheshin kapuçonët, njerëz të paguar brenda Shqupit. Policia nuk reagoi asnjëherë, madje i injoronte faktet. Ato janë aty, publike dhe të gjalla në internet. Megjithatë një arsenal i tërë shtetëror iu përgjigj për 2 minuta telefonit të Lulzim Bashës. Kur shikon se si dhunohen demokratët me shkopinj bejsbolli, e gaz lotësjellës nga brenda Shqupit, është e neveritshme të mendosh se ajo është tashmë shtëpia e tyre. Zoti e deshi që nuk u vra kush, pasi janë kthyer në rite normale në Shqipërinë tonë. Dhe as mos e çoni nëpër mend drejtësinë. Ajo ka vdekur në Shqipëri. Ka vdekur dy herë…, e para nga mandatet false të xhaketave të jurispudencës, e dyta nga togat e zeza të një shtypi tmerrësisht të angazhuar. Sot Shqupi nuk është më Partia Demokratike, por një shtojcë e Partisë Socialiste. Partia Demokratike janë ata që mbërritën nga gjithë vendi, që u dhunuan, që u shtynë, që u masakruan nga shteti. Shqupi është… Njësoj si Partia Social Demokrate e Gjinushit e cila iu shit Tom Doshit. Eshtë aleat me siglat vagonë që vetëm emrat e llafollogëve të rremë u ka mbetur…, i keni aty, Ngjela, Beqiri, Milo. Ashtu si dhe nga ata që janë strehuar tek ju. Klani i Zemunit përshembull, apo Vangjeli, Roshi, Ndoka a Mediu. Nuk përmirësohet jeta e shqiptarëve duke u hequr qafe një dështak si Lul Basha, por Edi Ramën. Ideja e një rithemelini tingëllonte si herezi para një viti, sot duhet të jetë temë urgjente e një tryeze burrash. Burrash e burrneshash, nga ato që rrëzoheshin në bulevard nga gazi helmues. Një hapje më e gjerë për të nxituar së pari për të mundur inatin karshi Shqupit. Dhe së dyti kulturën kolegjiale të pushtetit të votës. Aleanca e vetme që duhet të bëjnë demokratët, janë qytetarët. Brenda së djathtës ka vdekur tashmë edhe lidhjet gjoja konservatore. Kur shikon ca dallkaukë që gjoja rrjedhin nga shtresat e persekutura, të cilët i gëzohen dhunës, të vjen në mendje ajo shprehje bajate, “i themi babë atij që të ka lëruar nënën”. Sot ka një tabllo tërësisht aleancash të ulta të interesave personale, sa, është e neveritshme të dëgjosh nga profesorët unin si çëshjte themelore të ndërtimit të vendit. Sot Shqipëria ka degraduar në një demokraci totalisht lindore, aq sa çështja kombëtare gjykohet me mendësinë e komunizmit. Një garnizon i tërë uniformash vërshoi dhunshëm pa përdorur rregullat minimale të rendit, burra, gra të dhunuara, megjithatë plot diplomaxhinj pohojnë me kënaqësi se mundën Sali Berishën. Edhe sikur të ishte vrarë kush aty, ata prapë do deklaronin se mundën Sali Berishën. Shumë syresh kërkuan të arrestohej edhe ideatori, megjithatë në protestat e janarit 2011, nuk e paraqitën këtë kriter. Eshtë një vdekje totale, por normale e një shoqërie me pensione lëmoshë, pasi jetesën ua mbulojnë fëmijët emigrantë. Eshtë një vdekje totale e një shoqërie që është gati të ripranojë një tjetër diktaturë… Ndaj spektri opozitar duhet ta harroj urgjentisht nocionin seli, nocionin Shqup. Pasi tanimë ajo godinë është faqja e zezë e CV-së së demokratëve.