ESEJA E EKONOMISTIT E NOBELISTIT ANGLEZ, JOHN MAYNARD KEYNES
ESEJA E EKONOMISTIT E NOBELISTIT ANGLEZ JOHN MAYNARD KEYNES (05.06.1883-21.04.1946) “MUNDËSITË EKONOMIKE TË NIPËRVE TANË (1928): SI DUKET PROFECIA PAS GATI 100 VJETËSH -NJË ARTIKULL I BOTUAR NË REVISTËN AMERIKANE The NEW YORKER NGA ELISABETH KOBERT 26 May 2014.
Që nga Nostradamusi njerzit i ka ngacmuar ideja për të parashikuar sesi do të jetë e ardhmja. Futurologjia nuk është dicka e panjohur edhe për shkencëtarët e fushave të ndryshme. Dikur, ekonomisti e nobelisti anglez John Maynard Keynes (05.06.1883-21.04.1946) në një ese të quajtur “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë” (1928) pati paralajmëruar për kohën e lirë të tepërt që do të kishin nipërit, pra brezi ynë 100 vjet më pas, pra rreth vitit 2030 si rrjedhojë e zhvillimit teknologjik që do të pasonte e begatisë ekonomike. Por tashmë që nuk jemi shumë larg këtij viti, ne jemi të zënë duke u ankuar se nuk kemi qenë kurrë më parë kaq të mbingarkuar… Më poshtë dua t’u përcjell një koment interesant mbi këtë ese të botuar nga revista amerikane the New Yorker para disa vitesh kur kjo ese kishte 85 vjetorin e botimit… Një ese që të bën të reflektosh se vecanërisht në ditët e sotme e ardhmja është bërë gjëja më e vështirë për ta parashikuar…
NUK KEMI KOHË – OSE SI DUKET PROFECIA E EKONOMISTIT E NOBELISTIT ANGLEZ KEYNES PAS GATI 100 VJETËSH -NJË ARTIKULL ANALIZË I BOTUAR NË 26 MAJ 2014 në The NEW YORKER NGA ELISABETH KOBERT MBI ESESË E KEYNES “MUNDËSITË EKONOMIKE TË NIPËRVE TANË” (1928)
Në dimrin e vitit 1928, ekonomisti anglez John Maynard Keynes përgatiti një ese të shkurtër që pati një jehonë të gjerë. Ajo qe titulluar: “Mundësitë Ekonomike të Nipërve Tanë”, dhe në të Keynes imagjinonte se si do të qe bota një shekull më vonë pra diku rreth viteve 2030.
(Shih: http://www.econ.yale.edu/smith/econ116a/keynes1.pdf – Economic possibilities for our grandchildren)
Sipas kësaj eseje, në vitin 2028, ai parashikonte se “standardi i jetesës në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara do të jetë përmirësuar aq shumë sa askush nuk do të shqetësohet mbi fitimin e parave. “Nipërit tanë”, thoshte Keynes, “ do të punojnë rreth tri orë në ditë, dhe ky orar i reduktuar do të përfaqësojë më shumë punë se sa është e nevojshme”.
Keynes e prezantoi një version të hershëm të esesë “Mundësitë Ekonomike të Nipërve Tanë” si një leksion për djemtë e një universiteti në New Hempshire të SHBA. Ai po punonte ende për rishikimin e esesë kur, në vjeshtën e vitit 1929, tregjet e aksioneve u rrëzuan. Disa mund ta kenë marrë këtë si një shenjë të keqe, por Keynes qe i palëkundur. Megjithëse ai e kuptoi shpejt se sa e rëndë qe gjendja – në fillim të vitit 1930 shkroi se ky falimentim ka prodhuar një “rënie që do të zërë vend në histori si një nga më të rëndat që është përjetuar ndonjëherë” – dhe se në terma afatgjata “kjo krizë do të jetë vetëm një ndërprerje e vogël drejt një prirje pozitive afagjatë dhe shumë më bujare”. Në versionin final të esesë së tij “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë”, të botuar më 1931, Keynes i nxiti lexuesit të shohin përtej “kësaj faze të përkohshme mospërshtatjeje” drejt një të ardhme më të mirë.
Sipas Keynes, shekulli i XIX dhe gjysma e parë e shek XX kishin prodhuar një valë të tillë inovacioni teknologjik – “elektricitet, naftë, çelik, gomë, pambuk, industri kimike, makineri automatike dhe metoda të prodhimit masiv” – sa rritja e mëtejshme qe e pashmangshme. Përmasat e ekonomisë botërore, parashikoi ai, do të rriten me shtatë herë në shekullin pasues dhe kjo do të vijë në kombinim me “përmirësimet teknike” gjithnjë e më të mëdha”, të cilat do të sjellin edhe javën e punës 15-orëshe”. Për Keynes, epoka e bollëkut që po vinte, megjithëse ishte e dëshirueshme, do të sillte një sfidë të re dhe në disa mënyra, shumë më të madhe. Me kaq pak nevojë për punë, njerëzit do të duhet të gjejnë se çfarë duhet të bëjnë me veten: “Për herë të parë që nga koha e krijimit njeriu do të përballet me problemin e tij real dhe të përhershëm – si të përdorë lirinë e fituar kur të çlirohet nga nevojat emergjente ekonomike, si ta zërë kohën e lirë”.
Ai ofroi shembullin e të pasurve të papunë, për të cilin tha se qe, “shumë depresionues”; shumica e tyre kanë “dështuar në mënyrë shkatërrimtare” për të gjetur mënyra të kënaqshme për të kaluar kohën e lirë. Në veçanti, ai vuri në dukje “gratë e klasave të pasura” në Shtetet e Bashkuara dhe në Angli, të cilave “u është grabitur nga pasuria e tyre”, zënia tradicionale me punë si gatimi, dhe “ishin në mënyrë të dukshme të paafta që të gjenin një mënyrë për të bërë diçka më argëtuese. Ndërsa një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë do ta gjente veten të çliruar nga puna me orë të zgjatura, Keynes u shqetësua se shoqëria mund të vuante nga një lloj “shkatërrimi nervor i përgjithshëm”. Do t’u takonte atyre që dinë të vlerësojnë “vetë artin e të jetuarit sesi do të jenë në gjendje të shijojnë bollëkun kur ai të vijë”.
Pasi ka kaluar katër të pestat e shekullit për të cilin Keynes shkroi, gjysma e vizionit të tij është realizuar. Që nga publikimi i esesë “Mundësitë Ekonomike të Nipërve Tanë”, Prodhimi i Brendshëm Bruto-PBB( GDP) i SHBA-së dhe i shumë vendeve në botë është rritur, në terma realë, me një faktor të gjashtëmbëdhjetë dhe PBB ( GDP per capita) për frymë është rritur shumë herë. Dhe ajo që vlen për Shtetet e Bashkuara vlen edhe për pjesën tjetër të botës gjithashtu: Përgjatë 85 viteve të fundit, ekonomia botërore është rritur në mënyrë të ngjashme.
Por nëse ne jemi bërë, po aq të pasur sa pati imagjinuar Keynes, kjo pasuri nuk është përkthyer në kohë të lirë. (Kur ka ndodhur për herë të fundit që dikush nga ju u ankua se nuk kishte me çfarë të merrej?) Në termat e teorisë ekonomike, kjo është çorientuese. Në termat e jetës së përditshme, është e mjaftueshme që të shkaktojë një krizë nervore.
Brigid Schulte( 27.05.1962-), një reportere e Washington Post, është ndër autorët e radhës që merret me pyetjen se ku gaboi Keynes me parashikimet e tij. Tek libri i saj “Të mbytur: Punë, Dashuri, dhe Lojë Kur Askush Nuk Ka Kohë”, (Overwhelmed: Work, Love, and Play When No One Has the Time, 2014), ajo analizon se pse amerikanët e shekullit të 21 duken kaq të zhytur në punë.
Schulte fillon me procesin ku wshtw “mbytur”, përpjekjen për të matur kohën e saj të lirë ose mungesën e kohës së lirë. Ajo kërkon ndihmë nga Dr John Robinson( 12.08.1936- 24.03.2019), një sociolog në Universitetin e Merilandit të SHBA-së, i cili është ekspert në përdorimin e kohës. Robinson e mëson Schulte se si të mbajë një ditar për përdorimin e kohës dhe i jep asaj një shembull (template) të mirëpërcaktuar në excel. Por Schulte zbulon se dita e saj është tepër “kryeneçe” për t’u futur në kuadratet e sakta të shembullit, kështu që në vend të tij vendos të mbajë shënim se çfarë bën, në blloqe shënimesh të vogla dhe të zeza. Një pasdreke, kur ajo është duke ngrënë drekë në tryezën e saj të punës ndërsa pret të flasë me farmacinë që furnizon EpiPens për djalin e saj dhe duke kërkuar njëkohësisht në internet se si të marrë një certifikatë vdekjeje për kunatin e saj, i cili ka vdekur në Kinë, ai merr në telefon Robinson për ta pyetur se si ta klasifikojë këtë lloj aktiviteti. Robinson i thotë asaj thjesht të vijojë të mbushë ditarin me të dhëna, ndërsa ai më vonë do të përcaktojë se si. Por kur ajo ia prezanton malin me shënime, ai trembet. Ato janë të pamundura për t’u lexuar, aq më pak për t’u analizuar. “Çfarë është kjo fjalë”, pyet ai duke treguar një shënim nga ora 2 pas mesnate më 16 shtator. “Panik”, i përgjigjet Schulte. “Zgjim në panik”.
Me pyetjet mbi vetë kohën e saj të lirë të mbetura pa përgjigje, Schulte vendos të niset për në Paris për takimin vjetor të Shoqatës Ndërkombëtare të Kërkimit mbi Përdorimin e Kohës. (“Ka shumë interes në përpjekjen për të kuptuar se pse presioni i kohës po rritet”, i thotë asaj një sociolog nga Oksfordi. “Aktualisht, kjo është tema e nxehtë në kërkimin mbi përdorimin e kohës”).
Ajo viziton Qendrën e Stresit në Jale, New Haven të SHBA; takohet me nëna të stresuara në Portland, Oregon; dhe ulet në një fokus grup në Fargo, Dakota e Veriut. “Jeta është shumë stresuese në Fargo”, i thotë organizuesi i grupit asaj. Gjoja në përpjekje për të reduktuar stresin e saj, Schulte merr pjesë në një aktivitet të hedhjes nga lartësitë (trapeze academy) dhe hidhet nga një platformë shtatë metra e lartë. Përgjatë rrugës, ajo diskuton shpjegime të ndryshme të mundshme për atë që pëlqen ta quajë “mbingarkesë”, a thua se kjo është diçka jashtë nesh, diçka e largët si Arktiku apo Amazona. Nëse bëjmë shumë punë, fitojmë shumë para dhe… rrjedhimisht, jetojmë shumë pak. Kjo duket se na bën të ndihemi të suksesshëm. Ambicia po na heq mundësinë për të shijuar atë çfarë kemi
Një teori me të cilën ajo dëfrehet që në fillim është se të qenët i zënë është kthyer në një status shoqëror. Sa më i zënë të jesh, aq më i rëndësishëm dukesh; për rrjedhojë njerëzit konkurrojnë të jenë ose të paktën të duken se janë të shqetësuar.
Një studiuese me të cilën konsultohet në Universitetin e Dakotës së Veriut, Ann Burnett (23.07.1972-), ka mbledhur letra nga pushimet të shkruara përgjatë pesë dekadave dhe ka zbuluar se këto letra janë bërë gjithnjë e më pak mbi kënaqësinë e pushimeve dhe gjithnjë e më shumë mbi të rrëfyerit se sa i ngarkuar ka qenë viti që kaloi. Bazuar në këtë arkiv, Burnett ka dalë në konkluzionin se të mbajturit të nivelit të njëjtë me komshiun më të pasur tashmë nënkupton që të kesh axhendë edhe më të ngjeshur. (Në një letër të kohëve të fundit, një nënë krenohet se i dërgon fëmijët e saj në kaq shumë aktivitete sa i jep makinës “përreth 200 km në ditë”). Burnett thotë se “ka një sjellje reale që synon të thotë ‘jam më i zënë se ti’”.
Një teori e dytë që Schulte merr në konsideratë, është se “mbingarkesa” është një funksion jo aq shumë i faktit sesa shumë gjëra amerikanët duhet të bëjnë, por sesa shumë kohë ata shpenzojnë duke menduar sesa shumë gjëra do të duhet të bëjnë. Një mjeke që po analizon një listë me dyqane ushqimesh ku ajo duhet të ndalojë rrugës për në shtëpi, nuk është në fakt më shumë e zënë sesa një tjetër që ka një punë në dorë, por ajo mund të ndihet më e rraskapitur.
Në një situatë të kundërt, një jurist që po luan me fëmijët e tij, teknikisht është në kohën e lirë, por nëse ai në të njëjtën kohë po kontrollon celularin për mesazhe nga zyra, mund të duket se nuk ka pasur asnjë minutë të lirë. Schulte i jep një term kësaj situate, e quan “fenomeni i kasetës mendore” dhe ajo argumenton se kjo po gërryen energjitë tona të çmuara, aq sa ne nuk mund të “vendosim se për çfarë duhet të mendojmë, të shqetësohemi mbi punët e shtëpisë ndërkohë që jemi në punë dhe mbi çështjet e punës, ndërkohë që jemi në shtëpi”.
Por asnjë nga këto shpjegime nuk e kënaq tërësisht Schulte dhe ajo vijon të kërkojë. Pas një copë here, ajo fiksohet mbi të njëjtin fajtor që e kanë zbuluar edhe shumë gra të tjera para saj: burri. Shumica e grave amerikane sot punojnë; më shumë se dy të tretat e nënave me fëmijë në moshë shkolle janë të punësuara jashtë shtëpisë. Shumë prej tyre tashmë fitojnë më shumë sesa bashkëshortët; në çifte me të ardhura nga të dy bashkëshortët, rreth një e treta e grave paguhen më mirë sesa burrat. Por, pavarësisht kësaj, studimet tregojnë se bëjnë pjesën e luanit ose më saktë, pjesën e luaneshës, sa u përket punëve të shtëpisë: diku mes 70 dhe 80 %. Nëse ato kanë fëmijë, pjesa më e madhe e kujdesit për fëmijët bie mbi ta. “Megjithëse burrat sot natyrisht kalojnë më shumë kohë duke u përkujdesur për fëmijët e tyre dhe po bëjnë më shumë punë të përditshme”, shkruan Schulte, “ende këto punë janë vetëm sa gjysma e atyre që bëjnë gratë në mënyrë rutinë”. Nuk është për t’u habitur, thotë ajo, se gratë kanë shumë më tepër gjasa sesa burrat të shfaqin “stres kronik dhe ndjesinë se jeta është jashtë kontrolli”.
Ekonomistët më të famshëm kanë vështirësi përballë pyetjes se pse njerëzit vijojnë të punojnë akoma më shumë edhe pasi kanë mbuluar nevojat e tyre. Ndoshta konsumi na është kthyer në mani të pathyeshme…
85 vjet pasi Keynes hartoi fillimisht esenë “Mundësitë Ekonomike të Nipërve Tanë”, një çift ekonomistësh italianë, Lorenzo Pecchi (12.10.1958) dhe Gustavo Piga (18.02.1964), filluan të diskutojnë mbi këtë ese. Pyetja që shtruan ata ishte “si mundej që një njeri me inteligjencën e Keynes, ka qenë kaq i saktë në parashikimin e rritjes ekonomike të së ardhmes dhe përmirësimit të standardeve të jetesës dhe kaq i gabuar mbi të ardhmen e kohës së lirë”? Ata vendosën ta shtrojnë këtë pyetje para kolegëve të vet në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Ndoshta disa prej tyre që u pyetën qenë gra; në çdo rast, të gjithë ata që u përgjigjën qenë burra. Rezultati ishte botimi i librit “Rishikimi i Keynes” (Revisting Kenynes) në vitin 2008 ku të dy këta ekonomistë, mbetën të hutuar nga “mbingarkesa”me punë ku ishin zhytur njerëzit.
Shumë kontribues në këtë analizë , gabimin e Keynes ia atribuojnë leximit të gabuar që ai i ka bërë natyrës njerëzore. Keynes supozonte se njerëzit punojnë në mënyrë që të fitojnë mjaftueshëm sa të blejnë atë që kanë nevojë. Dhe kështu, arsyetonte ai, ndërsa të ardhurat rriteshin, këto nevoja do të plotësoheshin duke harxhuar gjithnjë e më pak orë pune. Punonjësit do të dilnin nga puna gjithnjë e më herët derisa të mbërrinte koha kur ata do të iknin në shtëpi në mesditë pas pune.
Por kjo nuk është mënyra se si janë ndërtuar njerëzit. Në vend që ta mbyllin punën më herët, ata gjejnë gjëra të reja që i konsiderojnë nevojshme. Shumë nga këto gjëra të reja që ata kanë gjetur as që ekzistonin në kohën kur Keynes shkroi esenë si psh laptopë, mikrovalë, Xboxes, smartfonë, ora inteligjente, frigoriferë inteligjentë, çanta dore Prada, xhinse të markës True Religion, pastaj ftohëset portative për ta mbajtur birrën të ftohtë ndërsa e pi. “Shumica e gjërave të konsumit material janë të krijuara në mënyrë të fuqishme nga veset”, vërejnë profesorët e ekomoisë Gary Becker (02.12.1930-03.05.2014) në Universitetin e Cikagos dhe Luis Rayo (26.03.1974, professor i ekonomisë në Shkollën Ekonomike të Londrës LSE) në komentet e tyre për librin e Pecch& Pigas“Rishikimi i Keynes”( Revisting Kenynes).
“Pas një periudhe shijimi, konsumatori i zakonshëm mësohet me atë që ai ka blerë dhe… menjëherë aspiron të blejë produktin tjetër në pritje”, shkruajnë ata. Sipas mendimit të Becker dhe Rayo, kjo pangopësi është ngulitur thellë te ne. Njerëzorët fillojnë të evoluojnë “në mënyrë që të kenë pika reference që i prijnë për lart ndërsa rrethanat e tyre përmirësohen”.
Përkundër tyre, ekonomisti e nobelisti amerikan Joseph Stiglitz (09.02.1943), nga Universiteti i Kolumbias, merr një përqasje konstruktiviste. Zgjedhjet e njerëzve, argumenton ai, formohen nga shoqëria dhe, me kalimin e kohës, bëhen vetëpërforcuese. Ne “mësojmë si të konsumojmë duke konsumuar”, shkruan ai tek eseja “Si të shijojmë kohën e lirë duke shijuar kohën e lirë”.
Në mbështetje të këtij mendimi, Stiglitz citon eksperiencat e kundërta të europianëve dhe amerikanëve. Në vitet 1970, britanikët, francezët dhe gjermanët, por dukshëm, jo italianët – harxhonin po aq shumë orë në punë sa edhe amerikanët. Por pas kësaj kohe, europianët e stilit kejsianist, filluan të këmbejnë të ardhurat me kohën e lirë. I punësuari amerikan aktualisht punon mesatarisht rreth 140 orë më shumë sesa francezi mesatar. (Ligjet aktuale franceze e kanë kusht që punëtorët të marrin 30 ditë pushim të paguar në vit, ligji britanik e ka 28; shifra korresponduese në SHBA është zero). Stiglitz parashikon se europianët do të reduktojnë më tej orët e kohës së tyre të punës dhe do të bëhen edhe më të aftë për të marrë orë pushimi, ndërsa amerikanët, pasi janë bërë konsumatorë të përsosur, do të vijojnë të punojnë me orë të gjata dhe të blejnë më shumë gjëra. Televizorët, vëren ai, “mund të vendosen në çdo dhomë, si dhe në sediljen e përparme dhe të pasme të makinave”.
Një grup i tretë ekonomistësh i kundërvihet presupozimi kejsianist se koha e lirë është më e pëlqyer sesa puna. Puna mund të mos na bëjë ne njerëz të lirë, por ajo u jep kuptim ditëve tona dhe pa të ne do të ishim të humbur. Në këndvështrimin e Edmund Phelps (26.07.1933), profesor ekonomie i Universitetit të Kolumbias, NewYork, “ karriera siguron shumicën e qëllimit bazë për ta quajtur veten të vetëpërmbushur në shoqëritë moderne”. Ndërsa profesori i ekonomisë të Universitetit të Harvardit Richard Freeman (29.06.1943) është edhe më këmbëngulës. “Puna e vazhdueshme dhe në mënyrë të palodhur është e vetmja mënyrë për të ecur përpara”, shkruan ai. “Ka kaq shumë gjëra për të mësuar, prodhuar dhe për të përmirësuar, sa ne nuk duhet të shpenzojmë asnjë çast duke jetuar sikur të ishim në Koshtin e Edenit. Nipërit tanë vijojnë të na nxisin”.
Çudia e botës së sotme është se një punëtor i varfër ka shumë më tepër kohë të lirë se sa një menaxher i pasur investimesh. Dhe ky i fundit vuan më së shumti nga mbingarkesa me punë. Punëtori mesatar është, gjithsesi, një abstraksion; ajo që ka më shumë rëndësi nuk është mesatarja matematike, por përvoja e individëve të vërtetë, në përpjekje për të bërë jetën reale, ndërsa rrisin fëmijët. Dhe këto eksperienca ka gjasa se janë shumë të ndryshme në varësi të faktit nëse ky individ është i punësuar si një punonjës i thjeshtë në Walmart (rrjetin e supermarketeve të famshëm për paga shumë të ulëta), apo si menaxher në një fond investimesh.
Përgjatë njëzet viteve të shkuara, ndërsa të ardhurat reale të 1 përqindëshit më të pasur në botë kanë fluturuar lart, ato në thelb kanë qëndruar të pandryshuara për të gjithë të tjerët pra 99 % të pjesës tjetër. A mundet që zgjerimi i hendekut në të ardhura të shpjegojë enigmën kejsianiste? Nga pikëpamja intuitive, kjo duket se nuk ka kuptim. Pasuria e re e krijuar është kaq shumë e përqendruar në pak duar, sa vetëm pak njerëz kanë mundësinë të ndalojnë për t’u marrë erë trëndafilave, të cilat janë sjellë me shpenzime të mëdha nga Ekuadori.
Por faktet rezultojnë se janë kryeneçe. Ndërsa hendeku në të ardhura në SHBA është zgjeruar, në fakt janë punonjësit me paga të ulëta ata që kanë përfunduar të kenë më shumë kohë të lirë. Dhe janë ata që fitojnë shumë para, të cilët raportojnë se ndihen nën presion gjatë shumicës së kohës. Kjo është e vërtetë edhe për çiftet ku vetëm njëri punon jashtë shtëpisë. Psh Daniel Hamermesh (20.10.1943), i Universitetit të Teksasit në Austin të SHBA dhe Jungmin Lee, i Universitetit Sogang në Seul të Koresë së Jugut, janë ekonomistë që e kanë studiuar këtë fenomen, dhe atë që Schulte e quan “përmbytje” ata e quajnë në mënyrë më pak simpatike “ankuesit e përhershëm Jupit” (yuppie d.m.th. të rinj profesionistë urbane). Për konceptin anglisht mund të kërkosh “yuppie kvetching”). E pse jupitë duhet të punojnë kaq shumë dhe pastaj të ankohen pambarimisht mbi këtë? Këtu, edhe një herë, ka shumë shpjegime. Një shpjegim qëndron te rrethanat përkufizuese të të qenët jupi.
Në një ekonomi ku “fituesi i merr të gjitha”, ka një incentivë të fortë për të punuar, për t’u siguruar se je në anën fituese dhe një mënyrë për ta bërë këtë është që të qëndrosh më gjatë se sa rivalët e tu në zyrë. Është sugjerues ajo që njihet si “shpërblimi për orët e gjata” – pagesa që punonjësit me pagë marrin efektivisht për çdo orë pune që ata bëjnë përtej dyzetorëshit të zakonshëm në javë – e cila është dyfishuar gjatë tridhjetë viteve të fundit.
Paga e lartë nënkupton shpërblim më të madh, gjë që përbën edhe një shpjegim tjetër të mundshëm. Supozojmë se një punonjës i Walmart dhe një menaxher fondesh investimi vendosin që të dy që të bëjnë pushim pasdreke për të parë lojën e bejsbollit të fëmijëve të vet. Për punonjësin, gjysmë dite pagë e humbur do të jetë më pak se 40 dollarë. Për menaxherin e fondeve të investimit, tregtia e humbur e pasdrekës mund të kushtojë miliona, gjë që është shifër e madhe për t’u humbur në këmbim të bërjes tifozë në çastin kur fëmija godet me shkop bejsbolli. E njëjta gjë vlen edhe për ndeshjet e shkollave, darkën e përvjetorit madje edhe për udhëtimin vjetor të familjes për ski; për shkak se kompensohen në mënyrë disproporcionale, këta dy njerëz kanë arsye disproporcionale për të vijuar të punojnë.
Ose ndoshta, njerëzit me mirëqenie e ndiejnë veten nën presion kohor pikërisht për shkak se ata kanë mirëqenie.Psh në vitet 1970, një ekonomist suedez me emrin Staffan B. Linder (13.09.1931-22.07.2000) krijoi frazën “klasa plot shqetësime e kohës së lirë”. Linder argumentoi se ndërsa njerëzit bëhen më të pasur ata do të ndihen në mënyrë të pashmangshme më të shtrydhur, pasi do të ndihen të detyruar të konsumojnë gjithnjë e më shumë mallra për çdo njësi të kohës së lirë. Rrugës për realizimin e saj, parashikoi ekonomisti, gjendet një rritje “e konsumit tw simuluar”. Linder e imagjinon këtë protagonistin e tij të shqetësuar “duke pirë kafe braziliane” ndërsa “tymos një puro holandeze, pi një konjak francez, lexon The New York Times, dëgjon një koncert të Brandenburgut dhe dëfren bashkëshorten e tij suedeze”. Në ditët tona, ky njeri me shumë detyra mund të jetë duke u përkujdesur për një birrë artizanale belge, ndërsa nduk mbi sushi, lexon revistën The Economist, dëgjon Lorde dhe blen bileta për të vizituar të dashurën e tij në Stokholm.
Një nga biografët e Keynes, Robert Skidelsky (25.04.1939- , e ka quajtur esenë “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë” një shumatore të “shumë ambivalencave” të të menduarit të Keynes. Sipas tij Keynes ishte një ekonomist që bëri gallatë me ekonomiksin, një investitor i mençur që përbuzte fitimin e parave, një analist brilant me mendje të mprehtë i përkushtuar ndaj fluturimeve të gëzuara të imagjinatës. Ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër që shkroi, Eseja “Mundësitë ekonomike të nipërve tanë” shpreh utopizmin e Keynes: Jo vetëm që njerëzit do të zgjidhin problemin e plotësimit të nevojave të tyre materiale; ata do të zgjidhin gjithashtu edhe problemin se si të përfitojnë nga zgjidhja e problemeve. Në të ardhmen, imagjinoi Keynes, frytet e kapitalizmit do ta shlyejnë kapitalizmin. “Të gjitha llojet e zakoneve shoqërore dhe praktikave ekonomike… të cilat ne sot i ruajmë me çdo çmim, sado të pakëndshme dhe të padrejta që mund të jenë në vetvete, për shkak se ato janë jashtëzakonisht të nevojshme në nxitjen e akumulimit të kapitalit, ne në fund do të jemi të lirë, të heqim dorë prej tyre”, – shkroi ai.
Është e paktë të themi se është zhgënjyese që gjërat nuk ndodhën në këtë mënyrë – se pabarazia është rritur, se koha e lirë është e paktë dhe se edhe të pasurit ankohen se po pëlcasin nga puna. Dhe sërish kaq shumë gjëra nga këto që ne bëjmë, kolektivisht apo individualisht, sugjerojnë se ne sërish besojmë se të bërit më shumë pasuri është përgjigjja. Rishqyrtimi këtij besimi ndoshta do të jetë një ide e mirë – dhe kjo do të bëhet në rast se ndokush ka kohë për këtë rianalizë.
Përgatiti Geron Kamberi.
Please follow and like us: