Albspirit

Media/News/Publishing

Alket Veliu: Shoqata patriotike “Çamëria”

Ishte Janari i 1991, diçka po ziente në komunitetin çam. Kishim folur deri atëhere në rrethe të ngushta familjare dhe miqësore, për brengat tona, dhunën barbare mbi popullatën tonë nga bandat Zerviste, shtëpitë tona, trojet, bukuritë e Çamërisë. U gëzuam dhe me ato pak lëshime që na u bënë, si kënga e Çelo Mezanit apo libri i Fatos Mero Rapos “Këngë popullore nga Çamëria” të cilat i treguan pjesës tjetër Shqiptare diçka për ne.
Atë Janar, intelektualë dhe patriotë të trevës tonë u ngritën në lartësinë dhe nivelin që përfaqëson Çamëria duke krijuar Shoqatën e parë në pluralizmin e sapo ardhur në shoqërinë Shqiptare. Kisha fatin të rritesha me këtë frymë në shtëpinë time dhe ta ndjeja adrenalinën në rritje të krenarisë së prejardhjes time jo vetëm për të shkuarën por edhe për atë që po ndodhte atë Janar. Ishte akumulim 45 vjeçar i cili shpërtheu për të kërkuar një të drejtë njerëzore, kombëtare e cila nuk ishte dhe nuk është vetëm e shqiptarëve të Çamërisë por e gjithe kombit tonë.
Duke u spostuar në Janar 1991 duhet të kuptojmë që duhej guxim për të arritur në vendimin që morën ata burra dhe gra të Çamërisë për të krijuar Shoqatën e parë patriotike në Shqipërinë post komuniste. Duke e vlerësuar çështjen çame si një çështje që kërkonte zgjidhje politike, e tillë u bë dhe kërkesa për të patur një Shoqatë Politike dhe e tillë u konsiderua nga ne edhe për vitet që pasuan edhe pse nga Ministri i Drejtësisë së kohës u miratua si Shoqatë Patriotike. Në çdo përvjetor bëhet një bilanc i punëve, çfarë është bërë mirë dhe çfarë mund të bëhej më mirë. Sigurisht çdo analizë duhet bërë duke patur parasysh rrethanat.
Kemi njohur në këto 31 vjet miqtë dhe armiqtë e çështjes Çame ku padyshim miqtë janë Shqiptarët patriotë dhe kurajozë të cilët vlerësojnë kombin përtej bindjes politike dhe armiqtë kryesorë janë dy shtete ai Shqiptar dhe Grek. Kuptojë armikun e dytë por kurrë të parin. Si mundet shteti im për të cilin unë dhe bashkëkrahinasit e mi kemi punuar dhe punojmë, kontribojmë me burime intelektuale, taksa, punë dhe ky shtet na injoron, na konsideron inekzistentë duke mos folur kurrë për çështjen Çame në asnjë organizatë ndërkombëtare gjatë 31 vitetëve pluralizëm? Mos vallë ne nuk jemi pjesë e kombit Shqiptar dhe shteti im nuk na detyrohet për gjë? Kemi parë në këto 31 vjet “dashuri” për çamët por jo për Çamërinë dhe jo për çështjen Çame, por kujdo duhet ti kujtojë që çam pa Çamëri nuk mund të ketë.
Për 31 vjet ju kemi treguar historinë tonë, luftën dhe sakrificat tona për kombin Shqiptar, kulturën, folklorin dhe së fundmi edhe tokat tona në brigjet mahnitëse Joniane. Të gjitha janë një plotësim i panoramës së munguar në dekada për shqiptarët e Çamërisë.
Për 31 vjet kemi kërkuar të flasim me çdo përfaqësues të lartë të shtetit grek që ka vizituar Shqipërinë dhe kemi gjetur jo vetëm refuzimin për dialog por edhe për të protestuar, madje deri në dhunë nga policia pse kemi kërkuar të dëgjohemi nga “miqtë” bashkëbisedues zyrtarisht në gjendje lufte me njeri tjetrin. Sidoqoftë lufta jonë për dinjitet dhe të drejtat legjitime nuk ka ndaluar dhe sdo të ndalojë pavarësisht sfidave.
Në një ditë të shënuar për Shoqatën Patriotike Çamëria dua të shpreh mirënjohjen për themeluesit të cilët nuk janë më mes nesh si dhe të urojë, falenderojë dhe të shpreh mirënjohje për themeluesit të cilët i kemi mes nesh dhe çdo ditë na frymëzojnë për të punuar për çështjen çame.
Padyshim në një ditë si sot nuk mund të lë pa uruar tim atë jo thjesht si një intelektual aktiv i Janarit 1991, bashkëthemelues dhe pjesë e strukturave drejtuese të Shoqatës Patriotike Çamëria në fillesat e saj, por edhe si personin i cili ma trashëgoi dashurinë për Çamërinë në menyrën më të mirë të mundshme.
Please follow and like us: