Albspirit

Media/News/Publishing

Frank Shkreli: Edhe një dëshmitare e krimeve të komunizmit enverist kundër fesë, shkoi në amshim

Radio Vatikani në gjuhën shqipe njoftoi se me 2 Janar, 2020 ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare, Motra Marie Kaleta – murgesha shqiptare, e cila me dëshminë e saj për vuajtjet gjatë komunizmit – bëri të përlotej edhe Papa Françeskun në vizitën e tij në Shqipëri, në shtator të vitit 2014. Ajo ndërroi jetë këto ditë, por dëshmia e saj jeton!

Mesha dhe ceremonia e varrimit u kryesuan nga Kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Angelo Massafra, Kryeipeshkëv metropolit i Shkodër-Pultit, së bashku me Ipeshkvin e Sapës, imzot Simon Kulli, me Ipeshkvin e Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, si edhe me meshtarë e rregulltarë të tjerë.  Tashmë, motra imcake, që nuk reshti së dhëni dëshminë e saj të krishterë, pushon tek Varrezat e Rrmajit, nga ku vijon t’u flasë të gjithë atyre që duan të mësojnë nga jeta e saj, thuhet në njoftimin e Radio Vatikanit. Motra Marie Kaleta, është një nga dëshmitarët e fundit të qëndresës së klerit e të besimtarëve katolikë gjatë komunizmit. Populli i dioqezës së Sapës, sidomos besimtarët e famullisë së Shën Nikollit në Pistull, e përcollën si i ka hije një qëndrestarjeje dhe dëshmitarjeje të krimeve të komunizmit.

Ajo i përkiste Urdhërit të Murgeshave Stigmatine – e cila së bashku me Kardinalin e sotëm shqiptar, Ernest Simonin, e bëri të përlotej Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2014. Maria Kaleta ka lindur më 10 nëntor 1929, në Nënshat të Zadrimës- Shkodër, nga prindërit Engjëll e Shuke Kaleta. Së bashku me prindërit, u zhvendos më vonë në fshatin Pistull, ku shkolla vendore mban sot edhe emrin e Marie Kaletës. Emri i saj, në mos për dëshminë personale – sado që edhe ajo është një dëshmi e fuqishme – është i lidhur me dëshmitë e martirizimit të klerit katolik gjatë komunizmit, pasi motër Kaleta, apo halla Marie, siç e quanin të gjithë për respekt, ishte e mbesa e dom Ndoc Sumës, i lum martir, viktimë e komunizmit. Në moshën 10-vjeçare, ajo hyri në Kuvendin e Motrave Stigmatine në Nënshat të Zadrimës e pas një viti, pasi i bindi të gjithë për dëshirën e patundur të saj për t’u bërë murgeshë, pavarësisht nga mosha e njomë, më 11 dhjetor të vitit 1940 e çuan në Kuvendin e Stigmatineve në Shkodër. Aty jetoi 7 vite, deri më 1946, kur komunistët e sapoardhur në pushtet në Shqipëri, i nxorrën motrat nga Kuvendi, sepse Zoti ishte për ta tepër i rrezikshëm duke ia mbyllur edhe Perëndisë portat e Shqipërisë, mendonin ata, një herë e përgjithmonë. Por jo edhe portat e zemrës.

Sipas Radio Vatikanit, murgesha shqiptare Marie Kaleta edhe nën regjimin komunist vazhdoi të mbetej motër stigmatime duke fshehur fenë dhe besimin e saj në të vetmin Zot, të cilin Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës e kishte shpallur ilegal në Shqipëri, duke u mbështetur tek ata pak njerëz që e mbrojtën dhe nuk e paditën as nuk e dorëzuan tek xhelatët e regjimit komunist. Ja edhe dëshmia e Marie Kaletës – rrëfimi i të cilës, për vuajtjet e Kishës Katolike Shqiptare në kohën e komunizmit – që përloti Papa Françeskun gjatë vizitës së tij në Shqipëri në shtator të vitit 2014, sipas Radio Vatikanit në gjuhën shqipe:

“Zoti më mbajti me një fe aq të gjallë saqë më shtynte t’ua dhuroja edhe të tjerëve duke pagëzu, jo vetëm fëmijtë e fshatit, por edhe të gjithë ata, të cilët më kanë ardhë në derë kur kisha sigurinë se, nuk do të më padisnin. Ka shumë ngjarje që më kanë shoqëru përgjatë këtyre viteve kur publikisht ishte e ndaluar të shfaqje besimin. Me thjeshtësinë e zemrës po ju tregoj një ngjarje. Isha tuj u kthy për në shpi nga puna e kooperativës. Gjatë rrugës dëgjoj një zâ që më thërriste. Një grua me një fëmijë në krah më arriti me vrapin e saj. Kërkesa e saj ishte me i pagëzu foshnjën, që mbante në krah. Nga frika, pasi që e dija se ajo ishte gruaja e një komunisti, i them se nuk kam me ça ta pagëzoj, pasi që jemi në mes të rrugës. Ajo, nga dëshira e madhe që kishte, më thotë se kanali përbri ka ujë. Unë i them se nuk kam me ça ta nxjerr atë ujë. Ajo vazhdonte të më lutej për pagëzimin e vajzës. Unë, duke pa fenë e saj, hoqa opangën prej llastiku që kisha veshë. Me të nxora ujë prej kanalit dhe e pagëzova. Falë njohjes së meshtarëve kam pasë fatin të mbaj në një komodinë të Shenjtnueshmin Sakrament, kështu për raste të njerëzve të sëmurë, që dergjeshin në shtratin e vdekjes. Kam kryer shërbimet e fesë, nuk e di se si, në fakt sot kur e mendoj, më duket e pabesueshme, si kemi duru ato vuajtje të tmerrshme, por them me plot bindje se i madhi Zot na ka dhanë forcën, durimin dhe shpresën. Ashtu sikurse me egjrën e shëmbëlltyrës Zoti “priti” pjekjen e plotë para se ta shkulte nga gruni. Edhe pse koha qe e gjatë dhe puna e kooperativës tepër e vështirë, prapëseprap Zoti atyre që i thërret ua jep forcën e vet. Në fakt, në fund ai m’i shpërbleu të gjitha vuajtjet e mia edhe këtu në tokë. Mbas sa viteve të regjimit u rihap Kisha e unë pata fatin me u gjetë si rregulltare, fat të cilin për sa vite e dëshirova sikurse të gjithë meshtarët e murgeshat e vendit tonë”.

Në një bisedё në vitin 2012: me Dom David Xhuxha, Drejtor i programit shqip të Radio Vatikanit motёr Maria Kaleta ka rrёfyer jetёn e saj, ka folur për vuajtjet e besimtarёve, tё klerit katolik dhe tё motrave rregulltare nën rregjimin e egër komunist të Enver Hoxhës. Ishte shoqe me martiren të Lumen Marija Tuçi, që ka vdekur nga torturat më të tmerrshme në kohën e rregjimit komunist në Shqipëri, duke u bërë kështu e vetmja femër që renditet në mesin e 40-të martirëve të parë të Kishës Katolike Shqiptare. Sipas Radio Vatikanit, kjo dëshmi e murgeshës Marie Kaletës për vuajtjet e Kishës dhe të mbarë popullit shqiptar nën regjimin komunist, është një thesar i përbashkët, tejet i çmuar, për kujtesën e përhershme që, “të mos harrohet e kaluara, por të shikohet e të ndërtohet me guxim e ardhmja”, sikur pat porositur Shën Gjon Pali II gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1993. Porosia e Papa Gjon Palit të II në atë kohë, “që të mos harrohet e kaluara”, si dhe dëshmia e murgeshës shqiptare stigmatine, motër Marie Kaleta, e cila me rrëfimin e saj për vuajtjet e Kishës dhe të popullit shqiptar nën komunizëm, e përloti edhe vetë Papën Françesku në Katedralen e Shën Palit në Tiranë më 2014. Janë një këmbanë që ende bie në veshë të shurdhër, për të zgjuar ndërgjegjen morale dhe njerëzore të klasës politike, “post-komuniste” shqiptare, por edhe tek përfaqësuesit e demokracive perëndimore në Tiranë, të cilët refuzojnë të promovojnë një qeverisje dhe një shoqëri më tolerante për Shqipërinë dhe për shqiptarët pa dallim.

Siç dihet, edhe sot tre dekada pas shembjes së Murit të Berlinit : ndryshe nga vendet e tjera të Evropës ish-komuniste, Shqipëria refuzon të dënojë zyrtarisht krimet e komunizmit enverist dhe refuzon gjithnjë të përballet me të kaluarën e errët të asaj periudhe. Siç e kam venë në dukje shpeshherë në të kaluarën, diplomatët perëndimorë në Tiranë me heshtjen e tyre në lidhje me këtë çështje, vazhdojnë të kenë një njollë të zezë në fytyrat e tyre, për veten dhe për vendet që ata përfaqësojnë.

Vura re në portalin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, njoftimin me një ekzaltim krenar e të papërmbajtur, “Urime Shqipërisë për një arritje të jashtëzakonshme, fillimin e anëtarësimit të saj në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për herë të parë në histori”.  “Arritje e jashtzakonshme”?!, mos u tallni! Shqipëria nuk kishte as një shtet konkurent, asnjë vend: pra nga zona gjeografike që përfaqëson Shqipëria në Këshillin e Sigurimit për dy vitet e ardhëshme, që të ishte i interesuar për atë “arritje të jashtëzakonshme”. Pasi vetëm Shqipëria ishte e interesuar nga zona e Evropës jug-lindore, nuk kishte se si të mos votohej, por ky është një subjekt për një shkrim tjetër, ndoshta.

“Arritje e jashtëzakonshme”, për Shqipërinë do të ishte njohja zyrtare e krimeve të komunizmit në Shqipëri dhe përballja me ndërgjegjësi morale me të kaluarën komuniste, ashtu siç kanë bërë shumica e vendeve ish-komuniste, sot anëtare të Bashkimit Evrpian dhe NATO-s, që të mos harrohet e kaluara, siç ka porositur edhe Papa Gjon Pali II në vizitën e tij në Shqipëri, më 1993.  Normalisht, edhe në politikën e jashtme dhe në diplomaci do duhej të kishte përgjegjësi dhe ndërgjegjësim moral dhe etik.

Të falënderojmë për dëshminë tënde të gjallë, Motra Marie – Pushofsh në paqe!

Please follow and like us: