Gandi, Gjergj Elez Alia, bajlozët dhe sahanlëpirësit pa shtyllë kurrizore
Eden Babani, Bruksel
Të shtunën, më 8 dhjetor, një grusht politikanësh të ashtuquajtur opozitarë, nga njëra anë, dhe një ushtri e tërë e policisë së shtetit, nga ana tjetër, i shpallën luftë të hapur bazës së Partisë Demokratike. Them kështu, “bazës”, që të veçoj një grup uzurpatoresh të zyrave dhe vulave të saj, nga masa e stërmadhe e anëtarësisë.
Ky fakt është bërë tashmë i njohur për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen, në Shqipëri, në trojet e tjera etnike a në diasporë.
Që nga periudha a foltoreve, te Kuvendi i 11 dhjetorit e deri sot që po shkruaj këto rreshta, Dr. Sali Berisha ka përsëritur pareshtur se lëvizja e tij për rithemelimin e PD-së është një revolucion paqësor i tipit gandist (gandhist), i cli do të përfundojë me hedhjen në koshin e plehrave ortakërinë ogurzezë Lulzim Basha – Edi Rama, pengmarrës të pluralizmit në Shqipëri.
Cilido që ka ndjekur etapë pas etape ecurinë e nismës së liderit historik të PD-së, nuk e ka të vështirë të konstatojë se nga ky “revolucioni paqësor” s’i ka hyrë kujt gjemb në këmbë, s’i ka ndodhur kujt qoftë edhe një gërvishtje e vogël, deri të shtunën e 8 dhjetorit. Atë ditë, po. U lënduan në mënyrë masive protestuesit paqësorë. Jo për faj të Doktorit, por për fajin e të ngujuarve në selinë e PD-së.
Nëse do t’iu referoheshim ekraneve televizive ose mediave të tjera që po u mbijetojnë heroikisht presioneve dhe joshjeve me para të pista, nuk do të ishte vështirë të konstatonim se shumica e shqiptarëve e përshëndesin strategjinë gandiste të zotit Berisha. Dashur-padashur, të vërtetën s’e kamuflojnë dot as mediat e shitura. Sepse faktet janë kokëforta. Sado të manipulohet me komente gazetarësh dhe analistësh të blerë me para kesh ose me tituj këshilltarësh a komisionerësh, kronikat flasin vetë. Njerëzit kanë sy e shikojnë; kanë veshë e dëgjojnë; kanë tru e gjykojnë.
Qëndresa gandiste, e cila mbështetet kryesisht te ideologjia pacifiste e mosbindjes civile, te besimi ndaj Zotit dhe moralit, ka dhënë frytet e veta jo vetëm sa ishte gjallë Mahatma Gandit, por deri në fund të shekullit të kaluar. E vërtetojnë jo vetëm pavarësimi i Indisë më 1946, dy vjet përpara se të ndërronte jetë themeluesi dhe pionieri i gandizmit, por edhe lëvizje të tjera të mëvonshme.
Sjell si shembull lëvizjen ashtu të quajturin revolucion me këngë (révolution chantante), në vitet 1987 -1991, e cila përfundoi me shkëputjen e Vendeve Baltike nga Bashkimi Sovjetik. Pse jo, edhe lëvizjen e sotme jo të dhunshme (non-violence) të Dalai Lamës në përpjekjet e tij për shkëputjen e Tibetit nga Kina, të cilën po e mbështet gjithë njerëzimi, anekënd rruzullit tokësor.
Ç’ është e vërteta, mjaft lëvizje të udhëhequra nga fryma e mosdhunës kanë përfunduar me sukses. Mirëpo, si i bëhet kur të tilla sinjale paqësore e tepër domethënëse, importuar nga mijëra kilometra larg nesh, shpërfillen me arrogancën e dhunës dhe të terrorit?
Në një rast të tillë, tejefund jashtë çdo morali dhe imagjinate, s’ka sesi të mos shfaqet në skenën e së përditshmes trimi mbi trima, Gjergj Elez Alia.
Luftënxitës, do të më akuzojë shumëkush. Jo, aspak luftënxitës. Gjithë jetën time kam qenë paqësor. Ashtu më njohin familjarët, farefisi e miqtë. Ashtu jam shfaqur edhe në opinionin publik si gazetar e njeri i letrave. Ashtu do të mbetem deri në frymën e fundit.
Ama, kundërvënien dhe përballimin me cilindo, nuk e kam fshehur kurrë, sepse s’mund të pajtohem me psikologjinë e nënshtrimit, me predikimin se, po të qëlloi ndokush në njërën faqe, ktheji tjetrën. Përpos të gjithave, unë i takoj shtresës së ish-të përndjekurve politikë, të cilët i mbijetuan diktaturës komuniste, ndër më të egrat në historinë e njerëzimit.
* * *
Figura legjendare e Gjergj Elez Alisë, ka jetuar prej shekujsh në psikologjinë e çdo shqiptari. Jeton edhe sot e kësaj dite. Ajo shpërthen e formësohet simbolikisht, sa herë e lyp nevoja, sa herë shfaqen bajlozë.
Tashmë po bëhen “nandë vjet” që Atdheu ynë u dashur, “nandë varra në trup m’i ka”. Jo simbolikisht, po realisht. Bajlozi i zi ka dalë ashiqare. Jo simbolikisht, po realisht. Madje jo një, as dy, as tre bajlozë, por kushedi sesa po shfaqen dita-ditës më të zinj se kurrë. Më të rëndë se kurrë. Më grabitqarë se kurrë.
Ca zbritur nga qielli. Ca hyrë nga deti. Ca të tjerë, dalë nga fundi i dheut. Mostra më të llahtarshme se Frankenstein.
Bajlozët e sotëm po shfaqen frikshëm njëri më parë se tjetri, ndonëse strukur në strofujt e tyre. Po shfaqen me kravata e të krekosur. Ca pushtetarë e ca kinse opozitarë. Me fytyra burrash e grash. Me tituj profesorësh e akademikësh. Pse jo, edhe me petka diplomatësh?
Bajlozët e rinj s’ka pse të vishen më me rroba çeliku e me përkrenare. S’ka pse të luftojnë me topuzë nga ata që nguleshin dymbëdhjetë pashë nën dhe e ngrinin pluhur dymbëdhjetë pashë mbi re. Ata nuk lypin nga një dash e nga një cucë derë më derë. Ata futin duart në xhepat cilitdo. Në xhepin tim, në xhepin tënd, në xhepin e ne të gjithëve. Cucat i zgjedhin sipas midesë në listat e patronazhistëve. Bajlozët e sotëm shfaqen të modernizuar. Mbyllin dyer me brava elektronike, shkuar Ali Babait me dyzet hajdutët e tij. Dyer e dritare i blindojnë duke harxhuar shuma marramendëse. Godasin me shkopinj bejzbolli e lëshojnë që nga lart karrige të hekurta. Hedhin gaz lotsjellës e helme të tjera me synimin kriminal, që të vrasin jo një, por disa njëherazi.
Ngjarjet e së shtunës së kaluar, e vërtetuan katërçipërisht këtë të vërtetë të pamohueshme.
Cili, pra, i duhet sot Shqipërisë, Gandi, simbol i paqes, apo Gjergj Elez Alia, simbol i atdhetarit luftëtar? Për vete, nuk do ta përjashtoja asnjërin, as tjetrin. Shqipërisë i duhen që të dy, edhe gandizmi indian, edhe atdhetarizmi luftarak.
* * *
Në kohën e foltoreve të Dr. Berishës, botova shkrimin me titull “Lideri lind, nuk promovohet”. Mes së tjerave, vija në dukje se atyre ditëve, përveç aktivizimit masiv të bazës së PD-së, shfaqeshin nëpër ekrane televizive, media dhe rrjete të tjera sociale një takëm politikanësh demokratë “as berishistë”, “as bashistë”, siç pretendonin ata.
Pse u gjallëruan të tillët bash në periudhën e foltoreve?
Dy a tre muaj më parë, druaja ta thosha açik ç’i shtyu ata të kamufloheshin me petkun e asnjanësit e t’u shmangeshin përgjegjësive politike ndaj atyre që u kishin kërkuar votën. Druaja se gaboja.
Sot, ndonëse me të drejtë njëri syresh u trimërua dhe guxoi të sulmonte gjatë një interviste të ngujuarin në seli, them plotgojën dhe pa asnjë mëdyshje se ai dhe të ngjashmit e tij, prisnin të shikonin nga do të anonte peshorja, nga Dr. Berisha, apo nga Basha.
Janë të vonuar dhe të pabesueshëm si politikanë. Politika kërkon bindje dhe veprim, jo duartrokitje si spektator. Aq më keq nëse pret që ndokush nga fusha e lojës (lexo: e betejës) të duartrokasë spektatorin. Të tillët, përveçse sahanlëpirës, bëhen edhe qesharakë.
E mira e tyre është të rivlerësojnë më së pari dimensionet mes vetes, në marrëdhënie me vetveten. Pastaj, edhe me të tjerët, kryesisht me elektoratin e tyre. Madje, jo vetëm si politikanë, por edhe si njerëz të rëndomtë.
Nëse i gënjen mendja se mund të bëhen liderë duke gërmuar me thonj në elektoratin e ashtuquajtur gri, u kujtoj sërishmi se lideri lind, nuk promovohet.