Romeo Hanxhari: Tezat antiamerikane në kampin demokrat
Demokratët shqiptarë luftohen nga administrata e majtë amerikane, për të kënaqur të majtët shqiptarë” dhe “politika e jashtme amerikane bëhet nga lobimet”
Këto janë dy tezat më të çuditshme dhe njëkohësisht më të rrezikshme që kam dëgjuar ndonjëherë për marrëdhëniet amerikano-shqiptare në 30 vitet pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Fatkeqësisht janë guxuar të shqiptohen që pas 9 shtatorit sepse disave u intereson fort që vendimit të “non grata”-s për zotin Berisha t’i vishet një ngjyrim ideologjik i majtë, pra, të paraqitet si rezultat i lobimit të të majtëve shqiptarë dhe amerikanë, dhe kështu të vizatohet zoti Basha si një vegël e së majtës amerikano-shqiptare. Vetë pretendimi se një politikan shqiptar “luftohet” nga amerikanët, është në vetvete një akuzë aspak fisnike karshi miqve të kombit shqiptar siç janë SHBA-të. “Arsyen” se pse amerikanët u dashka të “luftojnë” me tendencë një politikan shqiptar askush nuk mundet ta shpjegojë me gjak të ftohtë, por fakti që kjo tezë artikulohet dëshmon në tërësi fatkeqësisht nevojën për të krijuar një alibi. Ndërsa pjesa se “ky sulm ndodh sepse zoti Berisha është i djathtë” ka pasoja shumë të rrezikshme. Ky është një instrument që tenton të ideologjizojë dhe të ndajë më dysh proamerikanizmin e pastër shqiptar. Në fakt, shqiptarët kurrë nuk kanë bërë dallim politik mes amerikanëve dhe politikanët tanë e kanë respektuar këtë. Shqiptarët nuk janë as pro-republikanë dhe as pro-demokratë. Ata janë thjesht pro-amerikanë të pakushtëzuar. Për shqiptarët ka vetëm një administratë amerikane, të vetme dhe unike, pavarësisht se cilit krahu politik atje i përket Presidenti. Me përjashtim të zotit Rama në një rast në vitin 2016 kundër Trump, kurrë në mënyrë kaq sistematike sa ç’është bërë në këto 4 muaj nuk kish ndodhur që një politikan i rëndësishëm shqiptar të guxojë të theksojë “preferencën” e tij ideologjike për njërin krah të politikës amerikane dhe “distancimin” nga krahu tjetër. Gjithsesi, duke pretenduar sot se “e djathta shqiptare luftohet nga e majta amerikane”, nesër edhe e majta shqiptare mund të pretendojë që “luftohet” nga e djathta amerikane. Kjo krijon dalëngadalë një strehë alibie për “të goditurit” shqiptarë të të dyja krahëve, sepse secili do të pretendojë se akuzohet apo shpallet “non grata” mbi baza politike, madje ideologjike. Po ashtu, ky artikulim saboton besimin e pastër të shqiptarëve te parimet e demokracisë amerikane dhe është embrioni i sigurt i një antiamerikanizmi të nesërm. Ne duhet ta refuzojmë ideologjizimin e pro-amerikanizmit tonë, edhe për faktin e thjeshtë se në politikën pro-shqiptare të Amerikës nuk ka asgjë ideologjike: ka vetëm interes të fortë gjeostrategjik dhe parime të qarta demokratike. Presidenti Widrow Wilson ishte demokrat (i majtë), por ne e njohim vetëm si atë që shpëtoi Shqipërinë bazuar në “parimin e vetëvendosjes së kombeve”. Presidenti Clinton ishte demokrat, pra, i majtë, por ne e njohim vetëm si atë që i shpalli luftë Milosheviçit, bazuar në parimin e mbrojtjes së të drejtave bazë të njeriut. Presidenti Bush ishte republikan, pra, i djathtë, por ne e njohim thjesht si atë që i dha pavarësinë dhe njohjen Kosovës bazuar te parimi i të drejtës së shtetformimit. Pra, amerikanët për ne nuk kanë ideologji: ata janë thjesht amerikanë, pra, miq. Dhe as ne për ta nuk kemi ideologji, por jemi thjesht një komb pro-amerikan, pra, miq.
Për të vazhduar edhe më thellë me provokimin, meqë politika e jashtme e SHBA u bëka me lobime, vallë me lobim e inicioi SHBA ndërhyrjen ushtarake çlirimtare në Kosovë, dhe vallë me lobim po mban praninë ushtarake atje?! Vallë me lobim SHBA po bëjnë të pamundurën për të hequr veton bullgare ndaj hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut?! Me lobim? Jo! Lobimi është vërtet instrument i institucionalizuar komunikimi me politikanët amerikanë, por ama asgjë në politikën e jashtme amerikane nuk bëhet me lobim nëse çështja nuk është brenda parimeve dhe linjave strategjike. Por, ama, nëse ne si shqiptarë ua dhurojmë armiqve tanë edhe alibinë tjetër se “politika e jashtme amerikane bëhet me lobim dhe nuk bazohet në parime”, atëherë vendeve të tjera u lind “e drejta” të bëjnë politikën e vet malinje në rajon duke mos respektuar asnjë parim. A është kjo në përputhje me interesin tonë kombëtar? Nuk besoj. Përfundimisht, interesi ynë kombëtar është e vërteta, demokracia, dhe parimet. Prandaj ne jemi aleatë të SHBA-ve, për këto vlera. Çdo tezë që shkon kundër tyre, shkon automatikisht kundër nesh./panorama