Albspirit

Media/News/Publishing

BDI me 6 anëtarë, Alternativa me 3, përbërja e qeverisë së re të Maqedonisë së Veriut

Në Maqedoninë e Veriut pritet të krijohet qeveria e re e udhëhequr nga Dimitar Kovaçevski.

Qeveria do të numërojë 21 anëtarë në kabinetin e saj qeveritar.

LSDM dhe koalicioni do të kenë 12, BDI gjashtë, ndërsa Alternativa tre ministra.

 Kabineti i ri qeveritar do të ketë një ministër pa dikaster, vend që i takoi Alternativës.

Nga Qeveria po largohen tetë anëtarë të deritanishëm, duke përfshirë edhe Zoran Zaevin. Nikolla Dimitrovi më nuk do të jetë zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, Radmilla Shekerinska largohet nga Ministria e Mbrojtjes, ndërsa anëtar i Qeverisë nuk do të jenë as ministri i deritanishëm i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jagoda Shahpaska dhe ministrja e Kulturës, Irena Stefoska.

Në vendet e tyre duhet të vijnë ministri i deritanishëm i Drejtësisë, Bojan Mariçiq (LSDM) si zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane, Sllavjanka Petrovska (LSDM) në Ministrinë e Mbrojtjes, Bekim Sali nga Alternativa do të udhëheqë me Ministrinë e Shëndetësisë, ministri i deritanishëm i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Jeton Shaqiri (BDI) do ta marrë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Jovana Trençevska (LSDM) do të udhëheqë me MPPS, ndërsa Bisera Kostadinovska Stojçevska (LSDM) e merr dikasterin e Kulturës.

 Admirim Aliti nga Alternativa do të jetë njeriu i parë në MSHIA, ndërsa Xhemail Çupi nga kjo parti është propozuar për ministër pa dikaster përgjegjës për diasporën.

Në qeverinë e re të Kovaçevskit mbetet zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi (LSDM), ndërsa emër i ri është Sllavica Grkovska (LSDM) e cila duhet të jetë zëvendëskryeministre për luftë kundër korrupsionit dhe krimit.

Me dikasterin e drejtësisë duhet të udhëheqë profesori universitar, Nikolla Tupançevski (LSDM). Në Ministrinë e Punëve të Brendshme mbetet ministri i deritanishëm Oliver Spasovski (LSDM), ndërsa funksionet i mbajnë edhe ministrat e Punëve të Jashtme, të Tranportit dhe Lidhjeve, të Financave dhe të Ekonomisë, Bujar Osmani (BDI), Bllagoj Boçvarski (LSDM), Fatmir Besimi (BDI) dhe Kreshnik Bekteshi (BDI). Në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale mbetet edhe më tutje Goran Milevski (PLD/koalicioni i LSDM), ndërsa nuk ka ndryshime edhe në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor ku mbetet ministri i deritanishëm Naser Nuredini (BDI).

Me Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive edhe më tutje do të udhëheqë Artan Grubi (BDI). Në Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave kthehet Lupço Nikollovski.

Mbledhja për zgjedhjen e qeverisë së re e propozuar nga Dimitar Kovaçevski është caktuar për të shtunën, në orën 11. Debati kuvendor për zgjedhjen e qeverisë së re zgjat më së shumti dy ditë, ndërsa zgjedhja e përbërjes qeveritare votohet pas përfundimit të saj, gjegjësisht më së voni 24 orë ditën e dytë ose në këtë rast deri të dielën në mesnatë. Qeveria është zgjedhur nëse për të votojnë shumica e numrit të përgjithshëm të deputetëve në Kuvend./albeu.com/

Please follow and like us: