Arbër Gashi: Letër e hapur për Bashkësinë Islame në Kosovë
Më vjen keq, që këto vite tranzicioni Bashkësia Islame në Kosovë (BIK) nuk i shfrytëzoi për të mirën e shqiptarëve në Kosovë, por përkundrazi u lidh me rrymat ekstreme fetare. E them këtë pasi që deri pas luftës, në Kosovë kishte harmoni fetare e cila është duke u zbehur madje shumë, pikërisht nga një grupacion që po thirret në emrin e islamit prej të cilëve BIK- u, asnjëherë nuk u distancua apo nuk kemi parë ndoj reagim të tyre në lidhje me këtë çështje. Jemi dëshmitar se pikërisht rryma vehabiste ka shkaktuar disbalancë dhe përçarje ekstreme duke filluar brenda familjes. Ka shumë familje që kanë shkuar deri tek konfiktet pikërisht për këtë arsye. Shumë prindër janë distancuar nga fëmijet e tyre apo anasjelltas, shumë fëmijë kanë mbetur jetim apo kanë lindur në kampet e Sirisë, pikërisht sepse në xhamitë tona janë lejuar dhe nxitur ligjërata me motive raciste, propaganduese dhe degjeneruese të cilat kanë arritur që shumë të rinjë t’i marrin në qafë duke e përqafuar ekstremizimin që ka quar në sulme dhe vrasje terroriste. Dhe më thoni nëse jam gabim? Pse u dashtë që të rinjët e kosovës të përfundojnë luftëtar të ISIS-it e të shkojnë në Siri të vrasin fëmijë të pafajshëm. Më thoni ju krerët e BIK-ut, a dolët ndonjëherë me ndonjë thirrje që të parandalohet shkuarja atje, të mos vriten në mënyrë barbare “në emrin e islamit” fëmijë të pafajshëm, të dhunohen gra shtatzëna e të bëhen të gjitha të zezat. Gjithë kjo heshtje e juaj, duke mos i denoncuar këta hoxhallarë të cilët nxitën të rinj të shkojnë atje ju bënë lirisht bashkëfajtorë. Pse nuk folët po heshtët?! Më thoni pse asnjëherë nuk ju kundërpërgjigjët atyre hoxhallarëve të cilët natë e ditë kur t’iu vie mundësia fyejnë figurat tona kombëtare, mohojnë luftën tonë për liri dhe sakrificën tonë tejshekullore?! Pse na u dashka që pas gjithë asaj sakrifice të jetojmë si arabë, të vishemi si arabë, pse duhet që femrat shqiptare gjithsesi të mbulohen sipas ligjeratave fetare qoftë në internet qoftë nëpër xhami?! Pse duhet që në shkollat tona laike të futet lënda fetare, a nuk ju mjaftojnë xhamitë dhe medreset?! Keni futur frikë në popullatë sepse hoxhallarët secili që mendon ndryshe e linçojnë, e mohojnë dhe mundohen ta paraqesin “mëkatar” e të “poshtër” në sytë e xhematit. Një gjë dua t’ua them: se si shqiptar që jam unë nuk pajtohem me ju e as ju nuk jeni të shejtë e as më të afërt me Zotin sesa unë apo secili shqiptar i ndershëm që mendon dhe ndihet kështu si unë. Me gjithë këto që i shkruva më lartë qëllimi juaj final është ta riktheni Kosovën në Afganistanin e Europës. Sepse të gjitha ato që proklamoni janë duke marrë atë kahje. Tërnava si kryetar i BIK-ut gjithë këto vite në atë pozitë ka bërë vasalin e Erdoganit. Dihet botërisht! Në vend se ju të kontriboni tek besimtarët tuaj në rrugën e duhur ju e keni devijuar atë.Askush nuk është kundër fesë,por jam kundër tjetërsimit dhe zhbërjes në emrin e fesë. Nuk jemi 95% muslimanë, ashtu siç dëshironi të na paraqisni para botës. Por jemi 95% shqiptarë të Kosovës të besimeve të ndryshme por edhe ateistë e agnostikë. Tendenca për ta tjetërsuar popullatën shqiptare të Kosovës,për ta paraqitur ndryshe në emrin e fesë, është tendencioze e rrezikshme e cila i shkon përshtati vetëm Serbisë dhe armiqve të shtetit të Kosovës si projekt përendimor me rrënjët e saj të lashta dhe vlerat e saj që i mbijetuan fortunave. Dhe në fund: të gjitha ato gra dhe burra që u flijuan për Kosovë, ata fëmijë që vranë e u bënë lule të Kosovës së pavarur, nuk u flijuan që ne dy dekada pas lirisë të tjetërsohemi në emrin e fesë në arabë, turq e grek. Kosova është shtet laik ku duhet të jetojnë të lirë të gjithë dhe ju jeni fajtor që shfrytëzuat një rijni të pafajshme për t’i terrorizuar në emrin e fesë. Kjo nuk ju falet!