Albspirit

Media/News/Publishing

Besnik Bakiu: Gëzuar, Policia ime!

Dita e Policisë, 13 janari filloi 109 vjet si sot, kur Qeveria e parë shqiptare vendosi themelimin e Forcave të Ruajtjes së Rendit. Në çastin më solemn të historisë sonë, atë të shpalljes së mëvetësisë, burri i mençur Ismail Qemali-Vlora, bëri thirrje për qetësi, bashkim e vëllazëri. Në dokumentin e parë të saj, Qeveria theksonte se: “…tani shqiptarët do të mbajnë qetësinë, ta ruajnë bashkimin me njëri-tjetrin, do të rrojnë si vëllezër me të gjithë…, pas kësaj shpallje do të jepen dënimet më të rrepta kundër guximtarëve”.

Duke hulumtuar nëpër arkiva, për të sjellë një këndvështrim modestish ndryshe për këtë shkrim-përurues, më bëri përshtypje një fakt. Ai i përkushtimit të asaj Qeverie dhe vëmendja kushtuar rëndësisë jetike ndaj ruajtjes së rendit publik dhe jetës së qytetarëve.

Vërej gjithashtu se mbledhja e parë qeveritare, mbajtur më 4 dhjetor 1912, nxori si urdhër-dite masat që duheshin ndërmarrë ndaj njerëzve që nuk donin ta njihnin Qeverinë e re si dhe për organizimin e shërbimit policor jo vetëm në territoret legjitime, por edhe në viset ende të pushtuara të Shqipërisë.

Jo rastësisht Qeveria e Vlorës ngarkoi me këto detyra dy nga mendjet më të kulturuara të saj: Mit’hat Frashërin, të cilin e dërgoi në Mirditë për t’u lidhur me Bajram Currin dhe Lef Nosin, i cili do të hynte në lidhje me Dibrën, duke synuar të vendosej autoriteti i sigurisë i qeverisë në Shqipërinë verilindore dhe lindore.

Është fakt se formimi dhe forcimi i Forcave të Ruajtjes së Rendit u bë paralelisht me sfidat e mëdha të ekzistencës së shtetit, kombit dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Ky tension, urtësi, por edhe kjo vëmendje shfaqet qartë në telegramet e para dërguar prefekturave dhe nënprefekturave të vendit, ku Ismail Qemali, pasi njofton shpalljen e Pavarësisë, porosiste: ”… Lutemi  përpiquni  siguroni sa  mirë qetësinë e vendit dhe rendin publik”, sikurse bënte te ditur se “…është e nevojshme të bëhet një reformim në çështjen e qetësisë publike”, teksa theksonte se “…tue marrë parasysh rëndësinë e Vlorës, veçanërisht në këtë kohë, që është qendra e qeverisë sonë kombëtare, është parë si një nevojë e domosdoshme organizimi i një trupi policor nën drejtimin e një Drejtorie për t’u riforcue rregulli i përgjithshëm, gjë kjo që është e pakontestueshme dhe nuk çfaqet më nevoja për shpjegim”.

Nga këto dokumente dhe sidomos nga data e themelimit, rezulton se Policia është jo vetëm një nga strukturat më të hershme të shtetit shqiptar, por krahasuar me botën e duke iu referuar historisë, rezulton se nuk jemi shumë të vonuar. Kjo pasi sipas shumë autorëve, si kohë e krijimit të Policisë moderne merret viti 1885, kur ajo strukturë shihet si: “pjesë të organizimit shoqëror i cili, në mënyrë të drejtpërdrejtë merret me mirëmbajtjen e rendit, respektivisht parandalimit dhe zbulimit të prishjes së këtij rendi”.

Jashtë çdo klisheje dhe stereotipi, babai i policimit modern, Sir Robert Peel, dy herë Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, është shprehur se “policia është popullata ndërsa popullata është policia”. Edhe në aspektin etimologjik, fjala polici rrjedh nga greqishtja e lashtë “polis”, për të nënkuptuar elementet qytet, qytetar dhe qytetari.

Jo thjesht për erudicion sipërfaqësor, por për të rrokur thellësinë e prejardhjes, theksoj se fjala “police” është njoftuar së pari në frëngjisht në vitin 1250. Duke filluar nga Mesjeta e më vonë, me fjalën “polici” është nënkuptuar e gjithë veprimtaria shtetërore. Madje filozofi Monteskje, në shtjellimet e tij për kuptimin e lirisë, shprehet se: “aty ku ekzistojnë ligjet, liria nuk mund të nënkuptojë veprimet e gjithë asaj që dëshirohet. Liria është e drejtë që të bëhet e gjithë ajo që ligjet lejojnë, nëse një qytetar mund të bënë atë që ligjet ndalojnë, nuk do të ketë liri për askënd”.

Përballë sfidave në mbrojtje të ligjit dhe së ligjshmes është vendosur gjithmonë Policia Shqiptare. Edhe kur e kanë emërtuar milici (sipas italishtes) edhe kur e kanë quajtur xhandarmëri (sipas frëngjishtes) sikurse dhe sot, termi ka ndryshuar, por misioni ka mbetur i njëjtë.

Emërtesat ndryshme gjatë rrugëtimit transformues të Policisë Shqiptare ndër vite nuk dëshmojnë vetëm huazimet, por edhe praninë dhe rolin modelues e të  qenësishëm, që ka luajtur faktori ndërkombëtar në forcimin e modernizimin saj. Ky kontribut, që i ka fillesat me misionin holandez të kryesuar nga William de Veer dhe zëvendësin e tij, Ludvig Thomson, vazhdoi me misionin britanik të kryesuar nga Gjenerali Sir Jocely Perscy dhe është i pranishëm edhe sot me programet e misionet ICITAP, PAMECA, FRONTEX, DCAF, SELEC,CEPOL, Guarda di Finanza, OSBE, SCPA,etj.

Në këtë ditë feste të Policisë, nderimi dhe mirënjohja e parë shkon për të rënët e saj, si dhe për të plagosurit në krye të detyrës, numri i të cilëve, për fat të keq, i kalon ata të një lufte. Emrat e atyre do të kujtohen përjetë, pasi asnjëri prej Tyre nuk shkoi drejt vdekjes me dëshirë apo për t’u shpallur “Dëshmor”.  Por kur vdekja mori sytë e krimit dhe u erdhi pranë, ata nuk u friguan, se koha nuk ishte për t’u menduar, por për ta sfiduar.

Vepra e tyre na mbush me krenari të ligjshme dhe jep shprese, se çdo ditë e më shumë Policia e Shtetit do e përmbushë misionin e saj, duke u vënë në mbrojtje të rendit, sigurisë publike, garantimit e zbatimit të ligjit dhe duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut dhe nderuar çdo shtetas, pavarësisht nga statusi i tij.

Por në këtë ditë, pavarësisht përmasës solemne e festive, nuk mund të rri mos pa e shprehur shqetësimin tim ndaj akuzave publike dhe anatemës së hedhura rishtazi e së fundmi kundrejt Policisë. Edhe pse mes tyre kanë plot kundërshti e jo pak armiqësi, në një pikë anatemuesit bashkohen e kjo ndodh pikërisht kur e drejtojnë gishtin akuzues drejt Policisë. Tek ajo gjejnë “fajtoren e përjetshme”, por jo dështimin e tyre. Dhe Policia ime e mirë, njëlloj si në fabulën e Ezopit, mban vesh se si ata që e turbulluan ujin, e akuzojnë se ishte ajo, Policia, që e turbulloi ujin.

Të nderçim anatemues dhe akuzatorë, po të përdor fjalorin e Nolit, ju kujtoj se Policia është e shtetit dhe jo  e pushtetit dhe aq më pak e qeverisë. Policia është shërbim publik dhe në shërbim të publikut (edhe tuajin) dhe ka vetëm një prioritet: qytetarin, pa dallim etnie apo bindjeje politike, besimi fetar e gjinie, niveli social, prejardhjes krahinore apo nivelit kulturor. Policia është simboli shënjues dhe përfaqësues, është pamja e parë e shtetit dhe, si e tillë, në të gjejmë veten të gjithë qytetarët, aq më tepër dhe ju.

E di se avokatia në raste të tillë është e panevojshme, por nuk mund të rri pa u shprehur se, me gjithë borxhet dhe mungesën e përsosmërisë që ka dhe mund të ketë Policia e Shtetit, punonjësit e saj janë nga atdhetarët  më të përkushtuar të shoqërisë shqiptare.

Kjo nuk e përjashton faktin se individë të veçantë e të inkriminuar kanë mundur të futen në radhët e saj. Por ju siguroj se ata nuk kanë asnjë lidhje shpirtërore e profesionale me Policinë. Përkundrazi, me anë të “kontributeve” të tyre  “extra policore”, ata i janë imponuar policisë dhe e kanë shfrytëzuar atë, pa i sjellë asaj asnjë dobi.

Në këto vite postdiktature Policia shqiptare është ndeshur me shumë kalvarë, ku e kanë damkosur e kryqëzuar. Nuk duhet nxjerrë nga vëmendja se Policia Shqiptare nuk mund të ishte ndryshe dhe nuk duhet idealizuar, pasi ajo është pjesë dinamike e shoqërisë shqiptare, me problematikat dhe rritjet e saj. Gjithashtu nuk duhet harruar se edhe polici është njeri, ka familje dhe përballet me gjithë problematikat dhe vështirësitë që ka jeta e gjithsecilit nga ne, se edhe ai ka të përditshmen e vet në këtë Shqipëri të lodhshme e të drobitur.

 Por, meqenëse shoqëria shqiptare vuan nga amnezia, në këtë ditë jubilare, gjej rastin të risjell në kujtesën e të gjithëve disa fakte “të anashkluara”:

Policia e zhvillon veprimtarinë e saj në një shoqëri ku kultura ligjzbatuese është e mangët dhe ku shkelësit e ligjit kanë prirjen të shndërrohen në kulturë sunduese; Policia vepron në një ambient politik të tejndotur dhe agresiv (kujtoj se jemi i vetmi vend në botë që kemi një ligj për dekriminalizimin e parlamentit dhe politikës); Policia operon në një territor ku mungesave të tjera u shtohen edhe mungesat e adresat e rrugëve dhe banesave; Policia kryen shërbime në një mjedis ku gati 20 vjet popullsia ishte e paregjistruar dhe e pa pajisur me  letër njoftime; Policia përpiqet të zbatojë ligjin aty ku infrastruktura publike (semaforë, kalime e mbikalime etj) lënë shumë për të dëshiruar; Policia shërben aty ku informaliteti është dukuri sunduese; Policia vetëpërfaqësohet në një sistem drejtësie që vetëm drejtësi nuk ka dhënë.

Le të kujtojmë bashkërisht se tre herë në dhjetëvjeçarin e parë të kësaj posdiktature kemi përjetuar cenime të rënda të rendit kushtetues, duke i detyruar partnerët ndërkombëtarë të na dërgojnë forca për rivendosjen e rendit dhe qetësisë. Këtyre i bashkohet gjendja e ristrukturimit “perpetuum mobile” të Policisë dhe reformimi i saj nga 2-3 në vit.

Ky pseudoreformim jo vetëm që nuk kurseu faktorin njerëzor, por nuk kurseu as uniformat dhe simbolet, të cilat janë ndryshuar 6 herë, në 30 vite e jo vetëm për nderin e humbur të tenderbërësve, por edhe për turpin e sehirxhinjve.

Në pjesën më të madhe të tyre këto reforma janë konstatuar me probleme të mëdha etike, metodike dhe teorike, si dhe janë karakterizuar nga nepotizmi, klientelizmi, krahinalizmi dhe antiligji. Vetëm ligji për Policinë e Shtetit, është ndryshuar 7 herë dhe votuar vetëm nga mazhorancat e radhës, madje në 3 raste pjesë të tij janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese. Si të mos mjaftonin këto, u artikulua edhe kanosja përmes ligjit të Vetingut në Polici, i cili u ndryshua 3-4 herë dhe është i pezulluar aktualisht.

Nuk jam vetëm unë që mendoj se ka ardhur koha të hiqet dorë nga “ora zero”. Të nderohet e jo të shkallmohet ajo që, jo pa mund, ndërtoi paraardhësi, qoftë ky edhe kundërshtar politik. Është fyese për një shtet mbi një shekullor, kur kujton se nga viti 1990 e deri më sot, nuk ka asnjë nga 17 drejtorët e Përgjithshëm të Policisë që të ketë konsumuar të plotë e sipas ligjit mandatin e qëndrimit në detyrë.

Është mjaft cinike edhe sot e kësaj dite, kur oficerë dinjitozë policie, të aftë në profesion, të pakorruptuar dhe pa asnjë lidhje me krimin e që  kanë sakrifikuar, janë larguar nga policia, janë rikthyer dhe janë larguar sërish nga puna, vetëm se pushtetet kanë ndryshuar, apo pse janë ndryshuar edhe ministrat e Brendshëm.

Megjithëse jam përpjekur të kem një qasje realiste ndaj fakteve dhe fenomenit, jam i vetëdijshëm se analiza ime  priret nga pozitivja, jo vetëm se mbi 40 vite të jetës ia kam kushtuar policisë, por se sot ndihem edhe i fyer edhe revoltuar ndaj qëndrimeve dhe akuzave që i bëhen policisë. Ndaj në këtë Ditë të Policisë, i bëj apel: Qeverisë,  të rrisë vëmendjen ndaj trajtimit të Policisë. Megjithëse ka vite që ka hyrë në fuqi Ligji i Policisë së Shtetit, akoma nuk janë miratuar aktet për procedurat e përfitimit kompensimit për strehim, sigurimit të jetës dhe mbrojtjes së veçantë,trajtimit ushqimor, etj.

Kur u publikuan pagat, më vinte të ulërija, teksa shikoja se pagat e kryefajtorëve dhe jesmenëve dhe sejmenëve të tyre ishin shumë të larta, kurse policët e gjorë vazhdojnë të shërbejnë në shenjtërinë e varfërisë së vet. Kujtoj se ka gati 8 vite që pagat e policëve jo vetëm nuk rriten, por as indeksohet inflacioni.

I bëj apel edhe Shoqërisë shqiptare, për mungesën e ndjeshme të kulturës demokratike dhe qytetare. Megjithëse jemi dëshmitarë të krimit, edhe pse ai gjallon para syve tanë, ne heshtim ose e shumta mbytemi para filxhanit të kafes apo gotës së rakisë në “vajtime private”. Bëjmë kritika dhe presim që dikush tjetër nga jashtë, të verë dorën dhe të frenojë krimin.

Nuk mund të kemi sukses, pa një reagim qytetar kontestues, dëshirë për ta luftuar atë publikisht dhe frontalisht, “Shoqëritë e pa civilizuara prodhojnë me shumë krim”.

I bëj apel Medies, e cila është kthyer në nekromedia, e mbushur me kronikë të zezë nga mëngjesi në mbrëmje, që rend të numërojë viktimat që humbin jetën në rrugë, det, mal apo diku tjetër dhe nuk gjen asnjë hapësirë për të thënë një fjalë realiste për punën e vështirë që bëjnë kolegët mi të policisë.

U bëj apel edhe kolegëve dhe miqve të mi punonjës policie, se pritshmëria për rezultate domethënëse nga ana jonë është e lartë te publiku. Të mos harrojmë për asnjë çast se raporti me qytetarët, që është A-ja dhe Zh-ja e punës sonë.

Të jemi etikë në komunikim me qytetarët, pasi “imazhi shumë pozitiv i ndërtuar dhe i konsoliduar në këto vite i Policisë së Shtetit në sytë e qytetarëve nuk mund në asnjë mënyrë të cenohet e aq më pak pastaj të lëndohet, duke afektuar gjithë Policinë e Shtetit në optikën e opinionit publik”. Prioritet të kemi në punën tonë standardin unik në zbatimin e ligjit, jo dopio standardi, pasi nuk mund të ketë dy standarde për të njëjtin ligj.

Gjithashtu shtoj se edhe kur nuk mundemi, duhet të duam, të mbështesim dhe respektojmë më shumë njëri-tjetrin. Çdo organizatë në botë, sidomos ato policore, kanë si parim bazë të ekzistencës tyre, vlerësimin dhe respektin ndaj anëtarëve të vet, kod ky që i mban të forta themelet dhe u jep kurajë të shkojnë lart atyre që kanë dhunti dhe prirjen drejtuese.

Së fundi, duke i sjellë në vëmendje thënien e të madhi Albert Kamy, se“…policia është në qendër dhe në kryqëzim të të gjitha problemeve ekzistenciale të njeriut modern”, i apeloj mikut tim të vjetër Ministrit Çuçi, që të vihet në krye e të finalizojë kryerjen e një reforme të studiuar, debatuar, të qëndrueshme, afatgjatë dhe me standarde, për një Polici Shteti të standardeve europiane. Kjo gjë, herët a vonë do bëjë të mundur që edhe Policia  të jetë “e mosvarme”, siç u projektua të ishte edhe shteti shqiptar në deklaratën e tij të parë të Pavarësisë. Jam besimplotë se ai do të jetë avokat mbrojtës i Policisë së Shtetit dhe jo prokuror i saj, pasi me prokurorë e akuzatorë dhe me anatemues, kundër policisë, është e tejmbushur shoqëria jonë.

Please follow and like us: