DW: Incidentet ndëretnike në Serbi dhe dyfytyrësia e Vuçiçit
Incidentet që ndodhën ditët e fundit në Priboj, një qytet i vogël në kufi me Bosnjë-Hercegovinën, kanë shqetësuar dukshëm popullatën boshnjake në këtë qytet. Por kanë reaguar edhe autoritetet e Serbisë. Gjatë Krishtlindjeve ortodokse më 7 janar, një grup të rinjsh të paidentifikuar në Priboj kënduan “Është Krishtlindje, qëlloni me armë xhamitë”. Ndërsa disa ditë më parë një grup policësh kufitarë të Pribojit kënduan këngë ku bëhej thirrje për përsëritjen e krimeve të Srebrenicës, Vukovarit, Novi Pazarit e Sjenicës. Ndaj 12 policëve ka filluar procedura disiplinore, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiq shkoi për vizitë në Priboj – për të ulur tensionet ndëretnike. Ministri i Policisë, Aleksandar Vulin, deklaroi se “në MPB nuk ka vend për sjelljet si ato në Priboj” dhe njoftoi, se është formuar një grup punues dhe se “organet disiplinore të MPB-së do të vendosin për dënimin e policëve”. Gjatë seancës së Kuvendit të Serbisë, deputeti i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA) të Sanxhakut, Enis Imamoviq, i dërgoi një pyetje Prokurorisë Publike, siç tha ai, “jo për shkak se i beson, por për të tërhequr vëmendjen se sa institucionet inkurajojnë dhe lejojnë përhapjen e urrejtjes ndërnacionale dhe fetare”. Ai rikujtoi se policia ka kryer krime në Sanxhak, konkretisht në Priboj në vitet 1990 dhe se tani jemi dëshmitarë të rritjes së sërishme të kërcënimeve.
Atmosfera e urrejtjes
Stereotipet
Incidentet e përmendura duhet të shihen si pjesë e atmosferës së përgjithshme shoqërore, e cila është krijuar prej shumë vitesh, thotë për DW, Sonja Biserko, kryetare e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi. “Kjo atmosferë është krijuar në radhë të parë nga mediat e kontrolluara prej shtetit, por edhe nga pjesa e komunitetit akademik që vazhdimisht i promovon këto stereotipe për boshnjakët në Serbi, si dhe për myslimanët në Ballkan në përgjithësi. Nuk ka pasur asnjëherë një zbërthim të këtyre stereotipeve, por ato ndizen kur është e nevojshme. Tani definitivisht ka marrë hov dhe është aktualizuar projekti i “botës serbe”, sepse vlerësohet se mund të ketë ardhur koha që të realizohet”, thotë Biserko për DW.
Mbështetja e Dodikut
Ngjarjet në Sanxhak dhe qëndrimi i qeverisë serbe ndaj kësaj pjese, në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet nga qëndrimi i Serbisë ndaj Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës Srpska, e në fund të fundit as nga qëndrimi ndaj Milorad Dodikut, theksojnë bashkëbiseduesit e DW. Goran Miletiq beson se raporti i Serbisë ndaj Bosnjë-Hercegovinës nuk kanë qenë “kurrë më i keq”. “E vetmja gjë që vjen nga Serbia është se ajo është e përkushtuar ndaj Marrëveshjes së Dejtonit. Por në terren është gjithçka ndryshe”. Serbia nuk po luan rol konstruktiv, sepse ka frikë si para luftës në B-H. Sa për Dodikun, ai nuk do të thoshte dhe nuk do të bënte asgjë që nuk mbështetet nga Serbia. Për ata që nuk e besojnë këtë, duhet theksuar se Dodiku është i pranishëm pothuajse në çdo hapje të një fabrike, ure apo ndonjë gjëje tjetër në Serbi. Mesazhi është se Serbia qëndron pa rezerva pas të gjithave që ndodhin në B-H”, thekson Goran Miletiq.
“Faktori i paqes dhe stabilitetit”
Ekstremistët
Drejtori i Civil Right Defenders for Europe Miletiq thekson, se pas qëndrimit dashamirës ndaj grafiteve për Ratko Mlladiqin, “u pa se këto grupe kanë mbështetjen e autoriteteve”. Kjo u pa edhe pas sulmit “vandal të fundit ndaj Pride info center”, që është vetëm disa hapa nga presidenca e Serbisë. Autoritetet nuk kanë ndërmarrë masa ndaj personave që kanë kryer këto sulme, shpjegon Miletiq. Goran Miletiq vëren se hapi i parë në metodologjinë e Vuçiqit është një ndarje artificiale “ku aktivistët e të drejtave të njeriut paraqiten si ekstremistë, të cilët kundërshtohen nga grupe të tjera ekstremiste e ai e paraqitet këtë si një konflikt midis dy ekstremeve”. Ndërsa Vuçiq del në fund dhe e paraqet veten si një politikan të moderuar që zgjidh problemet. “Këtë metodologji e kemi njohur nga koha e Millosheviqit, i cili donte të tregohej shumë më i mirë se radikalët.Por më duket se kjo mënyrë e qeverisjes nuk mund të zgjasë shumë, përfundon Goran Miletiq./ DW