Ambra Hysa: Lady D.
Fragment
Diana e ndërpreu rrëfimin. E kisha njohur në rrethana të papritura…Ajo erdhi në jetën time si një dhuratë, për të më dhënë leksione; por me siguri, për të më frymëzuar njëkohësisht, të shkruaj historinë e saj. Në shumicën prej faqeve, unë nuk bëj gjë tjetër përveçse i skalis imazhin dhe kujdesem që ta vesh atë me lulet e ndjesive. Megjithatë, lexuesi është i etur, ai me të drejtë më orienton drejt ngjarjeve. Dhe unë, nuk ngurroj ta pyes… Por, Lady D. rrëfen shumë ngadalë, nganjëherë më duket sikur dëshiron që unë t’i zbuloj pjesëzat e historisë, nuk m’i dorëzon ato të gatshme. Ka shumë boshllëqe, të cilat më duhet t’i mbush me intuitë. Nuk i kisha parë asnjëherë sytë e saj të lëngëzoheshin, jo, deri në atë moment. Për Dianën, momenti kur zbuloi sëmundjen e Driamit, kishte qenë më i vështirë, se sa mund ta përshkruajnë dot fjalët; më i vështirë, se ai vetë mund ta imagjinonte. Ajo e kishte lejuar veten të rrëzohej nga dhimbja, duke u inatosur për herë të parë me jetën, që nuk e kursente edhe kur ajo kishte menduar se më në fund, do të ishte e lumtur. Duart delikate dhe shumë elegante, i mbante të shtrënguara, sikur po peshonte aty, të gjithë rëndesën e emocioneve, që i kishin pushtuar kujtesën.
“Vetëm një vajzë e fortë, mund të përballojë me dinjitet dhimbjen”,- më tha. Nëna ime ma ka mësuar këtë dhe unë nuk e harrova asnjëherë. Pasi pushova së qari, atë mëngjes u largova nga vendi ku kisha kaluar natën. Isha e bindur, se Driami qëndronte po në të njëjtin vend, disa metra më larg. Nuk kisha pasur dyshime që ai do të më ndiqte dhe e dinte vendin ku unë “fshihesha” larg botës, për t‘iu dorëzuar qetësisë që më fal nata; më përshkonte të gjithë trupin gjithsesi, dëshira për të qëndruar vetëm.
Asnjëherë nuk jam ndjerë më e vogël si qenie sesa atë natë. Papritmas, nuk ndjeja asnjë madhështi mbi supe, çdo fuqi që unë kisha ishte shumëzuar me zero. Isha e pafuqishme përballë dallgës që po afronte. Nuk mund ta mbroja atë, por e dija që ai ishte përpjekur të më mbronte. Kjo më bënte, akoma më shumë ta dashuroja dhe asnjëherë ta fajësoj.
Gjatë karrierës sime, jam munduar t’i mbroj klientet e mia. Duke besuar se, ndoshta ato do të jenë më mirë të sigurta financiarisht, jam përpjekur t’i bind se, jeta mund të jetohet mjaftueshëm mirë, edhe pa dashurinë; mjafton të kesh komfortin financiar. Askush nuk ka nevojë për dikë, që nuk e meriton në fund të ditës. Ne marrim në jetë, atë lloj dashurie që mendojmë se meritojmë; por disa gra, vërtet mendojnë se meritojnë shumë pak.
Jam përpjekur ta sfumoj mendimin për dashurinë, por asnjëherë nuk e paskam kuptuar thellësisht vuajtjen e tyre. Dhembja që unë ndjeja ato momente, më ka kujtuar shumë gra apo vajza të reja, që humbin gjysmën e zemrës. Edhe pse në rrethana jo fort të ngjashme, dhembja është njëlloj. Të gjitha dhembjet e zemrës, flasin të njëjtën gjuhë.
Asnjë lloj komforti nuk mund t’i qetësojë ato. Kush thotë, që dhembjet e dashurisë janë të ëmbla, gënjen si dreqi.
I kisha shumë frikë ndarjet. Kisha krijuar një fobi ndaj tyre, duke menduar se ato i ndodhnin vetëm të tjerëve dhe se Zoti, mund të të sprovojë disa
herë, por jo, në të njëjtin vend…
Kjo ka qenë arsyeja që më mbante larg lidhjeve të qëndrueshme dhe emocionale, derisa u njoha me Driamin dhe jeta ime ndryshoi. Nuk doja ta dashuroja, edhe pse e dija se ai tashmë kishte rënë në dashuri me mua. Thonë se, shpirtrat takohen përpara se të vijnë në këtë botë. Dhe kur takohen edhe në këtë botë, nuk dinë të shpjegojnë lidhjen që kanë me njëri-tjetrin, ata thjesht e ndjejnë. Lidhja është e pashpjegueshme. Edhe pse mund të shihen për herë të parë; edhe pse nuk kanë asgjë të përbashkët; nuk kanë përjetuar diçka që i bashkon në të shkuarën, ato ndjejnë një lloj afeksioni që i bën aq të afërt, sikur të kishin një jetë, që e njohin njëri-tjetrin.
Kjo është, ajo që ne kishim së bashku; ajo që ndjemë në momentin e parë, kur sytë tanë u takuan përtej fjalëve, përtej asaj që mund të përmbajë një histori dashurie apo një roman.
Në raste si këto, fjalët janë të varfëra, nuk ka nevojë të kuptosh, duhet veçse të jetosh. Të gjithë ata që e kanë takuar shpirtin e tyre binjak një herë në këtë jetë, e dinë mirë përse e kam fjalën.
Unë dhe ai, ishim ‘soulmates’…
Please follow and like us: