KOSOVA DUHET TA PADISË SERBINË PËR GJENOCID
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”, me rastin e ditës së përkujtimit të gjenocidit në Kosovë, ka ndezur qirinj në shenjë respekti e përkujtimi për viktimat në Kosovë.
Organizatorët thanë se padija ndaj Serbisë është obligim ligjor që duhet ta bëjë shteti i Kosovës.
Zëvendëskryetari i Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, Adnan Asllani tregon se gjatë viteve 1998-1999, forcat serbe kanë vrarë qindra civilë shqiptarë dhe kanë dëbuar shumicën e popullsisë shqiptare dhe kanë dhunuar me mijëra gra.
Asllani: Forcat serbe gjatë zbatimit të gjenocidit kanë vrarë mbi 10 mijë civilë shqiptarë
“Duhet të kujtojmë këtu se gjatë luftës në Kosovë më 98, 99 forcat serbe gjatë zbatimit të gjenocidit kanë vrarë mbi 10 mijë civilë shqiptarë, kanë dëbuar dhunshëm shumicën e popullsisë shqiptare të Kosovës, duke shkatërruar atyre edhe dokumentet e identifikimit, kanë dhunuar mbi 20 mijë gra shqiptare dhe kanë rrënuar objekte banimi në qytete, objekte kulturore e arsimore, monumente të trashëgimisë kulturore e etnike shqiptare. Sot ndërsa ne kujtojmë viktimat e gjenocidit në Kosovë, ditë kjo që përkon nga aktet më të tmerrshme gjenocidare, masakrën e Reçakut, drejtësia ende nuk është vendosur por akoma më keq Serbia vazhdon duke fsheh krimet duke mohuar e hedhur të pavërteta e kështu duke lënduar ndjenjat tona për të afërmit tanë që ajo na i ka vrarë e masakruar”, ka thënë ai.
Kurse, udhëheqësi i kësaj qendre në Kosovë, Bukar Duholli, shtoi se shteti i Kosovës ka obligim njerëzor të bëjë padi kundër Serbisë, mirëpo sipas tij kjo ende nuk është kryer.
Dugolli: Padia që duhet ta ushtrojë shteti i Kosovës kundër Serbisë është një punë e pakryer
“Padyshim që çështja e sensibilizimit edhe të faktorit të brendshëm dhe të jashtëm të krimeve të gjenocidit që ato të bëhen të njohura dhe të pranohen të tilla dhe padia që duhet ta ushtrojë shteti i Kosovës kundër Serbisë është një punë e pakryer deri më tani e që është obligim njerëzor i kësaj shtrese, i kësaj gjenerate, të cilët pa dyshim që kanë kontribuar në bërjen e shtetit por unë mendoj që misioni nuk është kryer deri sa të përgjigjen të gjithë ata për krimet e gjenocidit dhe krimet që i kanë bërë në Kosovë ndaj popullsisë shqiptare”, thotë ai.
Organizatorët thanë se të gjithë ata që nuk kanë pas mundësi të marrin pjesë në këtë aktivitet mund të ndezin qirinj në qytetin apo ballkonin e shtëpisë ose banesës së tyre.