Historia e familjes Durazzo në Xhenova/Gjergj Durrësaku largohet më 1387
Në historinë e familjes me origjinë shqiptare Durazzo, të larguar në kohën e fillimit të dyndjeve osmane drejt Adriatikut në fundin e shekullit XIV (1387), kanë mbetur jo vetëm emrat e 9 dozhëve (presidentë të Republikës), dhjetëra senatorëve, kardinalëve dhe peshkopëve të shumtë, por dhe emrat e shumë ambasadorëve dhe konsujve të dërguar nga Republika e Gjenovës në kryeqytetet e Evropës.
Gjashtëmbëdhjetë ambasadorë Durazzo dhe shumë “inviato straordinario” (i dërguar i jashtëzakonshëm) do t’i gjejmë gjatë dy shekujve jo vetëm në Vatikan, Napoli apo Venecie, por së pari në metropolet e Evropës: në Paris, Madrid, Londër, Stamboll, Vjenë, Lisbonë e gjetkë.
Vetëm arkivat diplomatike të Republikës së Xhenovës do të mund të na zbulonin histori e ngjarje që lidhen me traktatet dhe negociatat e fshehta, me luftërat dhe armëpushimet, me paqen e vetë Evropës, ku si protagonistë ishin dhe këta ambasadorë, origjina e të cilëve vinte nga një vend i vogël si Shqipëria, buzë Adriatikut.
Roli i tyre në skenën ndërkombëtare ishte jo i pakët, pasi interlokutorë të tyre ishin ata që bënin politikën e botës: Louis XIV, Karli II-të i Anglisë, Sulltani Muhameti IV dhe Veziri i Madh Qiprilli, perandoresha e Absburgëve, Mari-Tereza dhe më pas biri i saj perandori Josef II, disa Papë të Vatikanit, mbreti i Napolit apo princat e principatave italiane.
Historia e kësaj dinastie fillon në vitin 1387, ku familja e Gjergj Durrësakut largohet nga Durrësi, si pasojë e dyndjeve osmane në kërkim të një fati tjetër, por Gjergji nuk e mendonte se po drejtohej drej një fati të lavdishëm.
Familja e Gjergjit kishte mundur të arratisej nëpërmjet një anijeje pirate e cila zbarkon në Sicili, atje shiten si skllevër dhe nuk kalon shumë kohë dhe Gjegj Durrësaku i shkruan një letër lutjeje dozhës së Gjenovës ku e informon për këtë padrejtësi që i ishte bërë. Ai ishte shitur në Sicili si skllav ndërkohë që në Durrës kishte gëzuar statusin e qytetarit të lirë.
Nuk dihet se përse dinastia e rafinuar aristokrate kishte këtë mbiemër, a ishte pikërisht ky mbiemri i Gjegjit apo duke qenë se vinte nga Durrësi, në momentin që u regjistrua si skllav u mbajt shënim edhe qyteti nga vinte, dhe kjo mbeti e dokumentuar për njëfarë kohe.
Durazot e fituan lirinë dhe shkuan të jetonin në Xhenova, në qytetin e eksploratorëve, ku filluan një biznes. Ishin të mprehtë dhe ambiciozë. Fillesat e tyre në tregti u imponuan nga një epokë ku perëndimi kërkonte mallra luksi nga Orienti. Europianët e kishin kupruar rëndësinë e kanellës, erëzave dhe të mëndafshit, dhe kështu e fillojnë biznesin e tyre, duke hapur një punishte mëndafshi.
Deri këtu asgjë e jashtëzakonshme, por si e arritën kulmin e shkëlqimit?
Në vitin 1528, në fakt, ata paraqiten në regjistrin e fisnikërisë Liguriane, nën krahun e familjes Grimaldi, me titullin “fisnikë të rinj”, domethënë ato familje që kanë arritur gradën e të thjeshtëve. Dhe do të jetë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë që familja do të bëhet një nga më të pasurat në kryeqytetin Ligurian.
Dokumentat na tregojnë se Durazot e fituan pasurinë nëpërmjet një borxhi, në bixhoz, ata fituan dhe “viktima” e tyre u detyrua t’i jepte disa prona dhe detyrimisht edhe titullin e markezit. Më vonë Durazot do të shkëlqejnë edhe si bankierë.
Fajdet në shek XV-XVI ishin të ndaluara nga kisha dhe ata menduan që të nxirrnin një institucion bankar, duke bërë kështu që në një farë mënyrë bankat e para në Europë të themeloheshin nga Durazot. Monarkët i vizitonin shpesh Durazot, por nuk ishte një raport vetëm mes miqsh, realisht ishte një marëdhënie midis klientit dhe bankierit.
Ata njihen edhe si art dashësa të mëdhej, në dy pallatet kryesore të Durazove të cilat sot janë pallatet më madhështore dhe më mbresëlënse të Gjenovës, Palazo Durazzo dhe Palazo Balbi, janë të zbukuruara me afreske dhe piktura të artistëv emë të mëdhej të historisë së artit botëror.
Për Durazzot pikturonte Rembrand dhe Van Dyck, si dhe kishin në koleksionin e tyre edhe piktura të Mikelanxhelos. Një fakt interesant që ia vlen të përmendet është guximi i tyre në bërjen e pikturave. Në ç’mënyrë? Ata pikturat e tyre i bënin në këmbë, në një kohë kur vetëm mbretërit ishin të lejuar në këmbë kurse aristokracia lejohej vetëm bust.
Shembuj të kësaj kemi pikturën e Katerina Balbit, pinjolle e familjes Durazo, apo edhe Marçelino Durazo.
Arritje tjetër siç u tha edhe më lart e kemi edhe në fushën e politikës dhe diplomacisë, ku Durazot ishin mjaft imponues dhe e imponuan influencën e tyre në të gjithë Europën. Duke qenë se ishin diplomatë të mprehtë, Gjenova lejohej të lundronte përgjatë brigjeve të Orientit dhe të kryente këmbime tregtare, luks të cilin nuk kishte as Spanja dhe as Portugali.
Dhe në mungesë të këtij favori eksploratorë të famshëm si Vasko de Gama etj, duhej t’i binin rrugëve tregtare tërthorazi për të mbërritur në destinacionet e dëshiruara (kryesisht Indi).
Me fillimin e Revulucionit francez fillon edhe rënia e Durazove. Aristokracia rëndohet me taksa dhe ardhja e Napoleon Bonapartit në Gjenova heq disa prestigje të familjes, pavarësisht faktit se pushtuesi i ri i Europës shfaqi gjithmonë një respekt për dozhën e fundit të pushtetshëm të Durazove, Xhirolamo Durazo, zemra e të cilit gjendet sot në një urnë në panteonin e Parisit.
Sigurisht mbeten akoma shumë të panjohura, të cilat do ta plotësonin përfundimisht historinë legjendare të kësaj familjeje, pinjollët e së cilës ishin qytetarë të mëdhenj të Evropës, të cilët ngado ku shkuan, ngjallën veç simpati për vlerat e tyre humaniste, për kulturën dhe dashurinë e tyre për artin./diaspora shqiptare