Albspirit

Media/News/Publishing

USHTARI MË I VOGËL NË BETEJËN MË TË MADHE TË BOTËS

(Ushtari antifashist 6 vjeçar Sergej Aleshkov dhe mijëra fëmijë në mbarë botën u përfshinë në të gjitha frontet e Luftës së Dytë Botërore, pavarësisht moshës dhe vullnetit të tyre. Ishte lufta ku nuk funksionoi legjislacioni dhe konventat mbrojtëse për fëmijët sikurse për popullsitë e pambrojtura, civilët, objektet e kultit, vlerat kulturore të njerëzimit etj).

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

 

Lufta e Dytë Botërore ishte konflikti më i madh ushtarak në historinë e njerëzimit, në të cilën u përfshinë 78 shtete ose dy herë më shumë se sa në Luftën e Parë Botërore. Makineria luftarake e botës në LIIB përfshiu 110 milionë njerëz, pa përfshirë këtu “luftëtarët e shumtë të rezistencës” në mbarë rruzullin tokësor. Dëmet e shkatërrimet e LIIB përllogariten në rreth 935 miliard dollarë amerikanë, 55 milionë njerëz humbën jetën dhe mbi 30 milionë invalidë. Koalicioni i madh antihitlerian ishin SHBA, Britania e Madhe dhe ish-BRSS. Ushtria Gjermane numëronte më tepër se 7,5 milionë ushtarë, BRSS kishte të inkuadruar nëpër frontet e ndryshme të luftës afro 10 milionë ushtarë, Ushtria Amerikane rreth 3 milionë trupa, Britania e Madhe 1 milion ushtarë, Franca dhe kështu me radhë shtetet e tjera antifashiste. Historiografia botërore e ka përllogaritur LIIB në 6 vjet e 1 ditë, nga 1 shtator 1939 – 2 shtator 1945, ndërkohë që për shqiptarët lufta filloi në ditën e pushtimit italian më 7.4.1939. Lufta pëfshiu rreth 2 miliard njerëz dhe pati rreth 62 milionë të vrarë. Të gjitha luftërat kanë një çmim të shtrenjtë për popujt, që paguhet me çmimin e gjakut. “Beteja e Stalingradit”, ndër më të mëdhatë e njerëzimit ishte një seri betejash midis gjermanëve dhe sovjetikëve, të cilat u zhvilluan nga 23.8.1942 deri më 2.2.1943 në periferi dhe në qytetin e Stalingradit/Vollgogradit. Kishte dështuar marrja nën kontroll e fushave të naftës të Kaukazit për të siguruar sasitë e nevojshme të naftës, për vazhdimin e luftës. Është vlerësuar se ka qenë beteja me më shumë se 1.500.000 njerëz (ushtarë dhe civilë) të vrarë nga të dy palët. Hitleri inkurajonte me gradim të Fridrich Paulusit në rangun e marshallit për heroizmin dhe vetëmohim, por tri ditë pas gradimit, më 2 shkurt 1943 Marshal von Paulus u detyrua t’u dorëzohej sovjetikëve bashkë me 22 gjeneralë dhe 91.000 ushtarët e mbetur të ushtrisë naziste në këtë front. Beteja 200 ditore e Stalingradit e zhvilluar në rreth 100 mijë km/katrorë, tejkaloi të gjitha betejat e mëparshme të historisë së botës, ku u përballën mbi 2.1 milionë trupa gjatë gjithë betejës. Gjeneralët e Stalinit, Marshalli Zhukov dhe Aleksandër Vasiljevski edhe pse qyteti u bombardua masivisht nga forcat ajrore gjermane mundën ta shtonin ushtrinë e tyre, të rrisnin potencialin dhe u mbështetën me ndihmë edhe nga aleati i tyre, ShBA. Historianët kanë shkruar gjatë për qëndresën e Stalingradit, sikurse edhe për ndëshkimin e ushtarëve që tregonin “dobësi”, sepse në fakt urdhri ishte “kushdo që tërhiqej nga beteja të pushkatohej” dhe statistikat shpesh janë edhe kontradiktore mbi  trupat ruse që u vranë në këtë mënyrë. Nga ana tjetër edhe kur gjermanët zotëruan 88% të qytetit në nëntor 1942, kishin harruar se rezistenca e Ushtrisë së Kuqe sovjetike nuk do të rrëzohej bashkë me qytetin e shkatërruar, por do mbijetonte me të gjithë mënyrat duke kthyer raportin e forcave dhe mjeteve në favor të tyre. Faktet flasin për triumfatorët e Luftës së Dytë Botërore u luftua nga viti 1939 deri në vitin 1945 midis fuqive të “Boshtit” (Gjermani, Itali, Japoni) dhe “Aleatëve” (Britaninë, SHBA dhe Bashkimin Sovjetik etj). Nga rreth dy milionë njerëz vdiqën në Stalingrad dhe Betejën e Kurskut si beteja më e madhe e tankeve në histori, me mbi 6000 mjete të blinduara të përfshira, deri në ditët tona vjen një histori e vërtetë e “ushtarit më të vogël në moshë nën uniformë në Betejën e Stalingradit”.

 

MILIONA USHTARË FËMIJË NË LUFTË

Miliona fëmijë vuajtën tmerret e Luftës së Dytë Botërore, miliona të tjerë të mbetur jetimë për shkak të veprimeve ushtarake dhe mizorive të kryera nga trupat brutale pushtuese të Gjermanisë por dhe të kundërpërgjigjes antifashiste botërore. Shumë fëmijë përjetuan tmerret e luftës edhe në Shqipëri, duke iu bashkuar formacioneve antifashiste partizane që tashmë janë të njohura dhe të përgjithësuara edhe në vepra artistike, si partizani Velo. Ndërkohë që në planetin tonë brezi i fëmiljëve të LIIB përjetuan një prej tragjedive më të mëdha të shekujve, ku makineria e luftës solli një brez të përvuajtur. Pjesëmarrës të dpd në luftë kanë qenë me qindra mijëra në të dy kampet luftarake. Edhe fëmijët realisht luftuan, vecanërisht në Luftën e Madhe Patriotike të 1941-1945, por edhe më gjerë. Por ka një emër që nuk harrohet lehtë. Sergej Aleshkov është pjesëmarrësi më i ri në Betejën e Stalingradit, 6 vjeç sipas burimeve në Lindje dhe në Perëndim, edhe pse në fakt janë rreth 25000 fëmijë që u angazhuan dhe luftuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, megjithëse arkivat ruse flasin për 3500 fëmijë gjatë Luftës së Dytë Botërore, me moshë më pak se 16 vjeç, përfshi të rinj të grupeve guerile. Personazhi që sjellim sot për lexuesin është një histori e vërtetë e një djali të mitur që ju bashkua Ushtrisë së Kuqe kur ishte gjashtë vjeç. Kur pushtuesit  gjermanë sulmuan fshatin e tij vranë gjithë familjen e tij, djali i vogël Sergej vrapoi në pyll, ku u gjet nga ushtarët sovjetikë, krejt i dobët, i uritur, i tramatizuar dhe i mbuluar me zgjebe nga pickimi i insekteve. Ushtarët e frontit rus e morën nën kujdes dhe posaçërisht nga drejtuesi ushtarak Mikhail Vorobjev. Shpejt do “harronte” dramën e tij familjare dhe do ngrohte zemrën e shpirtin tek luftëtarët e frontit të parë, duke kënduar dhe recituar poezi për ta dhe duke shërbyer në shtabin e rregjimentit ushtarak, duke merituar titullin “Bir i Rregjimentit”. Ishin këta “fëmijët e luftës”, që kishin harruar të qanin brengat familjare të ngelur jetim në një Atdhe ngadhënjimtar në fitore, por të mbytur nga dhimbjet e gjakut. Fëmijët e luftës janë heronj dhe meritojnë të përmenden, të shkruhet dhe të zënë vendin e merituar në histori, ndoshta edhe më shumë se të rriturit, që luftën e kishin “detyrë” dhe “mision”.

 

HISTORIA E PAZAKONTË E USHTARIT FËMIJË JETIM!

Fëmijë të shumtë gjatë LIIB vdiqën të vetëm në kushte të tmerrshme, ndërsa të tjerët u torturuan dhe u gjymtuan nga hitlerianët që po përpiqeshin të zhduknin popujt sllavë, disa u vranë nga nazistët, që qëllonin fëmijët “vetëm për argëtim”, një pjesë e tyre e degdisën në kampet e punës  me idenë e rindërtimit të “Gjermanisë së Madhe”. Nga ana tjetër, fëmijët e rezistencës ndaj mizorive gjermane janë propoganduar për angazhim e trimëri, për heroizmave në kufijtë moshorë. Historia e ushtarit më të ri të Ushtrisë së Kuqe është e njohur deri në kufijtë e një legjende pavarësisht se është skalitur në muret e historisë luftarake të fitimtarëve. Është fakt se përpara se të fillonte operacioni gjerman “Barbarosa” ndaj Bashkimit Sovjetik, Sergej Aleshkov jetonte me familjen e tij në një fshat që quhej Gryn në rajonin Kaluga të Rusisë perëndimore. Sergej Aleshkov ishte djali i vogël i familjes “Aleshkov”, vetëm 6 vjeç në verën e 1942-it, pasi ishte lindur më 1936. Pushtuesit gjermanë nazistë ekzekutuan nënën dhe vëllain e tij të madh përpara syve të tij, “për mbështetje ndaj partizanëve rusë”, të Ushtrisë së Kuqe, pasi gjithë burrat e fshatit ishin thirrur nën armë për të përballuar agresionin. Pas vrasjes së familjarëve të tij, ndërkohë që babai i tij kishte vdekur përpara fillimit të luftës, djali i mbetur jetim shpëtoi krejt rastësisht. Kur ende fshati i tij, digjej e bastisej, djali u shpëtua nga shpejtësia e mendimit dhe e veprimit të shpejtë i një gruaje fqinjë që me vetëmohim e hodhi nga dritarja e një kasolleje dhe i bërtiti që të ikte sa më shpejtë dhe të fshehej në pyllin pranë fshatit. Kështu djali i vogël arriti të fshihej në pyll, sipas këshillës së fqinjës që e ndihmoi për t’u arratisur. Fëmija brodhi për ditë e natë i plagosur dhe i uritur nëpër pyllin e vjeshtës, por në një nga ditët në vijim atë e gjetën partizanët rusë. Luftëtarët e kishin gjetur Sergejin në kufijtë e mbijetesës, të mbuluar me baltë, të uritur, të veshur me rroba të grisura, por kujdesi për t’i shëruar plagët, dhe pasi e lanë dhe e ushqyen dhe i bënë një uniformë posaçërisht të vogël të Ushtrisë së Kuqe. Kështu që nga ai moment u bë ushtari më i vogël në front dhe nën mbrojtjen e mbështetjen e trupave të Ushtrisë së Kuqe, ndërsa ata luftonin në beteja. Djalin jetim e morën me vete kudo ku shkonin dhe ai bashkë me luftëtarët provoi realisht tmërret e luftës, të manovrave, të sulmit, mbrojtjes dhe të tërheqjes, të marshimeve të gjata përmes linjave gjermane. Në një përballje luftarake Sergei Aleshkov plagoset në këmbë, por ai ishte me fat nga mbështetja e madhe që i bënë luftëtarët e Regjimentit 142 të Këmbësorisë të Ushtrisë së Kuqe, regjiment i cili komandohej nga majori Vorobjov. Në pushimet e luftimeve dhe ndërmjet betejave, ushtari i Rregjimentit, ngrinte moralin duke kënduar poezi dhe këngë, dhe gjatë betejave ai transportonte municion në trupat e vijës së parë, duke i mbajtur ato të furnizuara aty ku mbaronte municioni, si dhe me mesazhe të transmetuara që i dërgonte në postë. Gjithë ushtarët e regjimentit luftarak të vijës së parë të luftës e trajtuan djalin sikur të ishte biri i tyre.

 

HISTORIA E PABESUESHME E USHTARIT MË TË VOGËL NË LIIB

Komandanti i Regjimentit Majori Vorobjov ishte bërë më shumë i njohur nga djali jetim se sa nga sukseset e padiskutueshme luftarake. Kështu ai mundësoi që ta adoptonte ushtarin më të vogël të frontit Sergeji Aleshkov dhe bashkë me gruan e tij të dashur, Nina e cila ishte infermiere u bënë më shumë se prindërit e tij biologjikë të rënë në luftë. Në një rast sulmi një bombë goditi vendin ku vepronte regjimenti që drejtohej nga Majori Vorobjov, në sulmin e ashpër që gjermanët bënin gjatë Betejës për Stalingradin. Dheu bllokoi hyrjen dhe rrezikonte jetën por i ngelur i bllokuar brenda, me fare pak ajër Sergej u përpoq të hiqte vetë mbeturinat nga hyrja, por nuk ishte mjaftueshëm i fortë, në atë periudhë vetëm 7 vjeç, por edhe në këtë rast ia dolën ta nxirrnin atë gjallë nga rrënojat. Ishte koha kur gjermanët nazistë bombarduan rëndë zonën, ndërsa ushtar Sergei vraponte nëpër zinxhirin e bombave që binin në llogoret përreth, ku u raportonte ushtarëve të frontit se çfarë kishte ndodhur edhe në një rast me majorin Vorobjov që rrezikonte jetën. Njoftimi që u bëri djali kurajoz grupit të shpëtimit bëri që në sa e sa raste të shpëtonte jetë njerëzish. Në këtë betejë nga më të mëdhatë e njerëzimit mori plagë u gjakos sikurse miliona të tjerë, por pas plagës në këmbë. Pas betejës lajmet për trimërinë e guximin e tij u përhapën në të gjithë ushtrinë dhe për trimërinë e tij, Sergej Aleshkov u nderua me “Medaljen për Trimëri Ushtarake”. Në një rast tjetër në luftë, ndërsa ishte i vendosur në Dnjeper, djali luftëtar zbuloi dy burra të fshehur në kashtë afër, që ishion vrojtues raportues të nazistëve dhe që po vëzhgonin në interes të grupeve të zbulimit të artilerisë që po hidhnin pradha artilerie mbi zonat civile. Raportimi i tij bëri që zbuluesit gjermanë si dhe artileria e tyre të merrte një kundërgoditje të rrebeshme artilerie. Episode lufte, heroizmi dhe trimërie janë të shumta për këtë bir të rregjimentit të dekoruar për trimëri në beteja. Në bilancin e mbrojtësve të Stalingradit ishte padyshim edhe emri “Sergej Aleshkov”, pasi në fillim të nëntorit 1942, Regjimenti i 142-të i pushkatarëve të Gardës ishte transferuar në frontin luftarak të Stalingradit, ku për të gjitha veprimet heroike e trimërore edhe ishte vlerësuar me medaljen “Për Merita Luftarake”, kjo edhe për veprimin e zgjuar e të shpejtë për nxjerrjen nga rrënojat në një gropë të komandantit të rregjimentit major Mikhail Vorobjov që ishte njëherësh edhe babai që e birësoi djalin luftatar, djalin që u bë shpëtimtari i tij pas plagosjes nga një predhë. Përgjatë gjithë luftës ai u shndrua në një rritës të moralit dhe besimin në fitore në momente jashtëzakonisht të vështira, prandaj edhe ishte dhe mbeti “i preferuari i regjimentit”, shkruhej në urdhrin që i jepte dekoratë ushtarit që sapo kishte mbushur moshën shtatë vjeçare. Bashkë me mendaljen “Për merita luftarake”, mori edhe një pistoletë nga trofetë, nga një gjeneral i ushtrisë dhe madje u “gradua” në gradën e “nëntogerit të vogël”. Lufta e Dytë Botërore po ndryshonte jetën e miliona njerëzve të të gjitha moshave. Të gjithë në kohë lufte rrëmbenin armët, por vetëm një regjiment i Ushtrisë së Kuqe në Frontin Lindor kishte një ushtarak në radhët e tij, i cili ishte vetëm gjashtë vjeç, që pas dekorimit thirrej “Toger i ri”.

“DJALI I REGJIMENTIT” – NË MEMORJE TË NJERËZIMIT

Rrugëtimi luftarak i djaloshin Aleshkov ishte tejet e vështirë dhe ai për pak u mbyt duke kaluar lumin një lumë (“Severny Donets”), ndërsa në një rast tjetër, automjeti me të cilin po udhëtonte ndeshi në një minë., por fëmija mbijetoi për mrekulli. Në një rast, si për shaka, ushtarët e regjimentit i veshën një uniformë togeri të vogël, por kjo sa si kushtoi jetën djalit të vogël. Rripat me shkëlqim të shpatullave tërhoqën vëmendjen e pilotëve gjermanë, të cilët lëshuan një breshëri mitraliere që nga lart nga avioni drejt “oficerit” të ri. Një plumb e goditi djalin që po vraponte në thembër, plagë që i ngeli si kujtim gjatë gjithë jetës, por që babai i tij si dhe ushtarët që e veshën djalin me uniformë togeri e vuajtën shumë dhe qortuan veten. Megjithatë ishte një “kujtim” nga lufta. Lufta përfundoi me fitoren e Aleatëve mbi boshtin Romë-Berlin-Tokjo. Bota iu kthye paqes. Këtu kishte përfunduar edhe rrugëtimi luftarak i ushtarit më të vogël, rrugëtim që përfundoi në Poloni, ku e kishte thirrur Gjenerali Vasily Chuikov, komandanti i Armatës së 62-të ruse, në të cilën shërbente ushtari i vogël. Gjenerali urdhroi që djali të dërgohej në shkollën ushtarake “Suvorov” në qytetin e Tulës dhe si suvenir, komandanti ushtarak i dha Aleshkov një pistoletë trofe “Broëning”. Shkolla Ushtarake “Suvorov” e hapur më 1944 dhe vijoi aktivitetin deri më 1960 duke nxjerrë 900 të diplomuar (nga të cilët 16 gjeneralë dhe 132 kolonelë), ndërkohë që është rihapur sërish më 1.9.2016). Nxënësit e shkollës ishin luftëtarë fëmijë, “bij të regjimenteve” të zbritur nga lufta. Do t’i duhej të përballej me sfida të tjera të jetës përtej misionit të tij në luftë si postës me gazeta e letra, si korier udhëzimesh, si ndihmës në front, si zbulues të vrojtuesve e zbuluesave të armikut etj. Edhe pse i ri në moshë ai kishte aftësi të kufizuara nga dëmtimet në këmbë dhe më tej Sergej Aleshkov dhe nuk mund të ishte i sukseshëm për ëndërrën e tij ushtarake. Kështu që nuk pati sukses në karrierën e tij ushtarake. Për këtë mori një diplomë juridike dhe jetoi në Urale, por shëndeti i tij vijoi të përkeqësohej. Por pavarësisht kësaj ai punoi në drejtësi dhe me drejtësi, dhe u bë një avokat shumë efektiv, gjithmonë duke përfaqësuar të drejtat dhe interesat e njerëzve të zakonshëm. Në fund të jetës së tij ai punoi si prokuror dhe mbeti njeri i nderuar, duke luftuar vazhdimisht për drejtësi dhe njerëzit e thjeshtë. Ai nuk i harroi kurrë sakrificat e luftës, nderin, ndërgjegjen dhe vëllazërinë ushtarake përgjatë viteve të luftës. Ushtari luftëtar vdiq nga një atak në zemër në vitin 1990, në moshën vetëm 54 vjeçare, por ka ngelur përjetësisht në memorje të njerëzimit, duke u përfshirë masivisht në veprat letrare, historike dhe kinematografike. Ushtari gjashtë vjeçar që luftoi në Luftën e Dytë Botërore në frontin rus ngeli një kujtim i bukur i jetës ushtarake, por deri në fund të jetës u quajt “Djali i Regjimentit”.

 

Datat më të rëndësishme gjatë Luftës së Dytë Botërore

7.4.1939. Pushtimi i Shqipërisë nga ana Italisë fashiste.

1.9.1939. Gjermania fillon pushtimin e Polonisë.

3.9.1939. Franca dhe Britania e Madhe i shpallin luftë Gjermanisë.

10.5.1940. Beteja e Francës. Pasi kishte pushtuar Danimarkën dhe Norvegjinë, Hitleri fillon ofensivën kundër Belgjikës, Holandës, Luksemburgut dhe Francës. Italia i shpall luftë Francës më 10 qershor. Ëehrmachti hyn në Paris më 14 qershor.

17.6.1940. Franca kërkon armëpushim. Mareshali Philippe Pétain kërkon pushimin e luftimeve. Më 18 qershor, gjenerali de Gaulle bën thirrje për rezistencë. Armëpushimi nënshkruhet më 22 qershor. Gjysma e veriut të Francës është e pushtuar.

Korrik 1940-maj 1941 – Beteja e Anglisë. Ofensivë e Luftëaffes.

22.6.1941. Operacioni “Barbarosa”. Gjermania hap frontin e lindjes dhe sulmon BRSS-në. Pas shumë sukseseve, Ëehrmachti ndalon në portat e Moskës si pasojë e kundërofensivës sovjetike. Rrethimi i Leningradit vazhdon 900 ditë.

7.12.1941.Pearl Harbour. Në Haëai, forcat ajrore japoneze sulmojnë papritur bazën kryesore amerikane në Paqësor. SHBA hyn në luftë, konflikti konsiderohet botëror.

20.1.1942. Shfarosja e hebrenjve. Konferenca e Wannsee vendos ”zgjidhjen finale” për eliminimin sistematik të hebrenjve. Gjashtë milionë hebrenj dhe pesë milionë të deportuar politikë gjejnë vdekjen në kampet e përqëndrimit.

2.2.1943. Beteja e Stalingradit, pikë kthese mjaftë e rëndësishme e LIIB. Mbi 91.000 trupa naziste dhe 22 gjeneralë kapen rob nga ushtria e kuqe.

6.6.1944. Operacioni Overlord. Hapja e forntit të perëndimit. Më shumë se 156 000 ushtarë amerikanë, britanikë dhe kanadezë kalojnë La Manshin dhe zbarkojnë në plazhet e Normandisë.

8.5.1945. Rënia e Rajhut III. Gjermania naziste kapitullon pak ditë pas vetëvrasjes së Hitlerit dhe marrjes së Berlinit nga Ushtria e Kuqe. Ndërsa për Rusët është 9 maj  1945 (për çështje të orës së Moskës).

2.9.1945. Kapitullimi i Japonisë. Më pak se një muaj pas bombardimeve atomike të Hiroshimës dhe Nagasakit, Japonia kapitullon duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

 

Please follow and like us: