Eralda Baze, një prurje e befasishme në romanin bashkëkohor shqiptar
Shënime për romanin “Dielli më perëndon në lindje”, i autores Eralda Baze
Nga Marash Mirashi
Ndërkohë që je duke naviguar në botën e bukur e të papërkufizuesme të leximit, mund të ndodhë që, teksa kalon faqet njëra pas tjetrës, njeriu që ke përbri, mund të dëshmojë pa një pa dy suksesin e asaj që ti në fakt po lexon. Ai shikon sesi ti po i përpin kapitujt e nënkapitujt një e nga një, me një kërshëri që për një libër, padyshim është sukses. Ti e palos fletën e librit diku në morinë e faqeve sa për t’i dhënë syve pak pushim e nis e merresh me diçka tjetër, si përshëmbull bërja e një kafeje apo ngulja e një gozhde në mur, për të rregulluar një pikturë që të duket sikur anon disa milimetër nga e djathta. Kur kthehesh, tek endja e leximit, tek faqja e përthyer, vëren se libri nuk është më në krahoren e divanit ku e pate lënë pak minuta më parë, por në duart e njeriut që ishte pranë teje, teksa lexoje. Qenka libër shumë fin- thotë ajo. Nga e di ti, sepse vetëm 7 faqe ke lexuar? – Unë e pashë këtë tek reagimi yt, tek shqisat e tua, teksa lexoje ndaj do e lexoj dhe unë!
Kështu ndodhi me romanin “Dielli më perëndonnë Lindje” të shkrimtares Eralda Baze. E mora për ta lexuar vetë dhe e lexuam në fakt, dy veta njëherësh. Sikur ishim në kinema, sikur shikonim një film. E në fund: si mbaroi kështu, sa shpejt, sa drithshëm, sa kuptueshëm, sa dhimbshëm, sa dritshëm!
Pasi e ke përfunduar librin, ti i lë patjetër vetes një kohe reflektimi rreth asaj çfarë ka ndodhur, rreth asaj çfarë ti paralel me leximin, ke kaluar nëpër mend. Nëse kritika letrare ne Shqipëri, do të ishte në ato rrethana që të diktojë në një farë mase se çafë duhet të lexojmë, jam i sigurt që ky roman i vitit 2021, do të shndërrohej patjetër në një “best seller”!
Me të drejtë botuesi, me një kurajo dhe siguri që ia jep vetë përmbajtja e tekstit, në përthyerjen e kopertinës së parë ka aluduar pikërisht edhe mundësinë e të bërit “best seller” të romanit. Vërtetë ky është libri i parë i Bazes, por me plot gojën mund të them se edhe për lexuesin është një eksperiencë e parë kësisoji që ndesh në një stil dhe përqasje krejt autentike. Struktura romaneske është e çimentuar, personazhet të latuar mjeshtërisht. Ngjarjet vijnë natyrshëm si në një realitet të parathënë, ku ironia, humori i skajshëm (i denjë për George Orwell) njohja shumë e mirë e shqipes si dhe dhe sensi i masës, flasin për një autore me një bagazh të rëndësishëm dijesh dhe formash narrracioni, në të cilin sigurisht që nuk depertojnë dot vetëm dedektorët metalikë të Aeroportit të Kajros.
Romani është një vepër thellesisht shpirtërore dhe humane. Një histori dehëse dhe piedestalike, një histori dashurie gjithë plagë, brenga, kumte, zhgënjime dhe rrënime… Të gjitha këto bëjnë që ti shkosh romanit deri në fund me një shpejtësi leximi, ku e ku disa fish më të lartë së makinat e vjetra të Kajros apo benzat e shtrenjtë të Tiranës.
Në libër, veç Miladit dhe Erës (Romeos nga Afrika dhe Xhuljetës nga Ballkani) janë edhe 5 apo 6 personazhe të tjerë secili i skalitur mjeshtërisht, si Viola, shkodranja tipike, Eva, binjakja identike, nëna e mirë e Erës, Nora, Klajdi, gazetari skuth, Valter Bina, e padyshim fisi i Miladit në Kajro, vëllezërit, kunatat në tentativë, etj, etj. Situatat dhe ngjarjet befasuese që ndjekin njëra tjetrën janë ndërthurur aq bukur sa e bëjnë romanin, monolit duke evituar atë që ndodh shpesh në veprat e gjata të prozës, ujin e tepërt apo detajet që ikin larg linjës kryesore, duke çkokëluar tekstin. Autorja, si njohëse e mirë e letërsisë, sidomos asaj të huaj, ia arrin me një thjeshtësi mjeshtërore, të vendosë në vendin e vet më një kujdes të veçantë, gjithcka i duhet për ta ngritur romanin e saj në nivelin sipëror të shijeve të lexuesit të kualifikuar dhe të mençur. Autorja, sa përmes saj aq edhe përmes personazheve , krijon situata të panumërta dhe nga më të paimagjinueshmet që të mbesin në mend. Për një lexues jo shume të stervitur e që nuk e ka vizituar asnjëherë Egjiptin, do të mjaftonte për të marrë dije bazike dhe elegante nga ky roman. Nga ana tjetër, një lexues egjiptian, nëse libri do të përkthehet një ditë në arabisht, do të mund të shikonte një pikturë realiste të kryeqytetit shqiptar, në librin në fjalë.
Autorja nuk është e shkëputur nga asnjë lloj realiteti shqiptar, madje as nga ai egjiptian , herë-herë. Ajo vetë është një produkt i realitetit ballkanik, realitetit shqiptar. Si e tillë ajo ka ardhur në letërsinë shqipe si një autore që me romanin e saj të parë, do të mbahet mend njëherësh si përfaqësuese tipike e një trendi të ri, për ta lubrifikuar, trazuar dhe modernizuar prozën bashkëkohore. Romani që kjo autore, disi me një shperfillje ironike e ka hedhur në qarkullim, duhet të jetë patjetër edhe një test për libra të tjerë që ajo ose i ka shkruar, ose i ka gati për botim, ose ashtu në ekstazën e krijimit, i ka harruar në një cep studioje apo kujtese!