Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Erdogani inaguroi pushtimin ekonomik

 

Në internet qarkullon një foto se si një makinë vinç, me dy ustallarë në kovë, mbulojnë faqen e shembur të një banese. Arsyeja, nga që do vijë Erdogani. Apo aty diku kalon Erdogani dhe që mos të dukemi për ibret të Zotit, po e mbulojmë. Nga kjo kuptojmë se godina në fjalë ndodhet në Laç ku sot Erdogani dha çelsat e 522 shtëpive etj., për më tepër bash në ditën e pervjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Unë nuk po merrem me këtë fakt se sot po çahet interneti me patriotizëm nga njëra anë dhe nga ana tjetër me heshtje varri nga përkrahësit e Ramës. Por një fjali shkurt duhet thënë, sa për Turqinë dhe Erdoganin që tashmë ka dy dekada në pushtet, të gjithë ish-at janë çmendur nga dashuria për ‘të. Me Fatos Nanon, me Sali Berishën, pa diskutim dhe ky qillotaxhiu. Kjo rrjedh nga edukata tashmë gangrenë e jona, ndihmat. Tek ne ndihma nga jashtë është mendësi shekujsh. Mirë për çështje të mëdha a kur të duhet lëvizësh malet, por edhe për thërrimet, ne jemi gati të hapemi dyersh. Ndaj mos u habisni sot me faktin se përse Erdogan po vjen bash në përvjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Ju ka blerë, totalisht… aq të dëshpëruar jemi sa mbulojmë rrënojat me mushama të vizatuara, mushama murale. Kur e pyet dikë në lidhje me këtë fakt, të thotë nuk kemi. Megjithëse është një planifikim bajat se nuk besoj që një bashki, a një komunitet, a një biznes të mos ketë pesë muratorë e dy bojaxhinj për të ndrequr një fasadë. Mirëpo, të mbysin, të thonë nuk kemi. Dhe është e logjikshme sepse, aq shumë pagesa sa ishin bërë për qokë, nga fond i gjoja inceneratorëve, përqindje kjo e ajo, mediash e këshilltarësh. Me emra i publikoi ai zotria, por shqiptarët po merren me luftën Berisha-Basha, për më tepër u mjaftuan me arrestimin e Lefter Kokës dhe aq. Megjithëse faqe të tëra prokurash ishin aty me përqindje të dhëna në dorë, deri gjoja këshilltarë për Bashkitë më të humbura të vendit. Bordero paralele, një për vete një për shtetin, informalitet apo krimi ekonomik i mirëfilltë. Por prapë shtypi merret me Berishën, merret me Bashën. Lekun e tyre e kanë vjedhur ata që bëjnë të kulluarit nëpër studiot e telvizioneve, vetë televizionet, gazetarët, shqiptarët i dëgjojnë me sytë zgurdulluar. Ore, ju kanë vjedhur, ata janë hajdutë, nuk e kanë për turp të dërgojnë fëmijët nëpër shkollat e botës me lekët tuaj, ju shqyheni sysh. Puthni ekranin kur shajnë Berishën. Nuk thonë një gjysmë fjalë se ju kanë rrjepur, jo vjedhur, por rjepur. Evokojnë konfliktin, jo vjedhjen. Kurse qeveriu evokon ”miqësinë” tradicionale të vëllait, ndihmën këtë gangrenë të shqiptarëve, edhe pse janë po aq inteligjentë sa hollandezët apo hebrejtë. Nuk ka vendi ynë as tulla e as llaç. Nuk kemi as krahë punë…, pika neve. Dhe i gëzohemi Erdoganit si kalamajtë plakut të krishtilindjes a plakut të vitit të ri siç e quanin komunistët, përfshi bllokmenët shqiptarë. Vjedhin Shqipërinë për vete dhe e ndertojnë atë me ndihma sikur të jemi popull invalid. Ky është realiteti shqiptar, jo ai që thotë Edi Rama dhe kompania e tij. Erdogani ju ka ndërtuar xhamitë, shtëpitë, spitalet, ju bën të mbuloni fasadat e rrënuara me mushama, ju kërkon rishikimin e historisë etj. Ka të drejtë, sepse na kanë mbytur invalidët, jo shtetarët. Shkurt jemi kthyer në një vend invalid. Vend pordhaxhinjësh.

Please follow and like us: