PRESIDENTI META, HOMAZHE NË MEMORIALIN E SKËNDERBEUT NË LEZHË
Presidenti Ilir Meta ka kryer homazhe dhe ka vendosur kurora me lule në memorialin e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Lezhë.
Homazhet e kreut të shtetit në nder të Skënderbeut janë kryer në 554-vjetorin e vdekjes së Heroit tonë Kombëtar.
Nga Lezhë, presidenti Ilir Meta u shpreh se figura e Gjergj Kastriot Skënderbeut do të jetë gjithmonë frymëzim për shqiptarët.
“Sot është dita e kalimit në përjetësi e kryeheroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut, të cilin me shumë të drejtë Fan Noli do ta konsideronte shqiptari më i gjallë ndër gjithë shqiptarët përgjithnjë. Sepse është jo vetëm ky heroi ynë kombëtar, që i dha identitetin më të fortë kombit tonë në mbrojtje të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar dhe njerëzor, por njëkohësisht edhe është ky personalitet i jashtëzakonshëm edhe një hero i qytetërimit europian gjithashtu, i cili përcaktoi në mënyrë të pakthyeshme identitetin europian të kombit tonë dhe rrugën dhe të ardhmen europian të Shqipërisë.
Është kjo figurë kaq e madhe që edhe shekuj më pas shërbeu si frymëzimi kryesor i Rilindjes tonë Kombëtar për të ngritur popullin shqiptar në luftën për liri, për shtetformim, për pavarësi dhe është pikërisht Gjergj Kastriot Skënderbeu që me veprën e tij do frymëzojë shqiptarët përgjithmonë”, tha Presidenti Ilir Meta. /tvklan.al