Albspirit

Media/News/Publishing

Dashamir Uruçi: LAPIDARIN E DËSHMORËVE E KANË HEDHUR NE DRIN…!

Në shtator të vitit 1984, në qytetin e Kukësit zhvillohej një veprimtari përkujtimore, në nderim të dëshmorëve të Prishtinës.

23 burra antifashistë, kryesisht të rinj, të gjithë qytetarë të Shkodrës ishin burgosur e më pas dërguar në Kampin e Prishtinës.

Pas një trajtimi shtazarak, më 19 shtator 1944, në të dalë të qytetit të Kukësit të gjithë pushkatohen.

Nën kujdesin e zotit Sulejman Bushati dhe në bashkëpunim me veteranët e Shkodrës dhe Kukësit, pas 40 viteve të rënies së këtyre dëshmorëve për liri zhvillohet në Kukës një veprimtari përkujtimore, ku morën pjesë me qindra pjesëmarrës.

Aty, ”Tek Zabeli” u fol gjatë e u përkujtua me mirënjohje e nderim të thellë, jeta dhe vepra e dëshmorëve të lirisë.

Në mesin e të ftuarve isha edhe unë, si nip i HAMDI URUÇIT, dëshmor i luftës antifashiste, ekzekutuar nga gjermanët së bashku me shumë bashkëqytetarë të tjerë.

Vizituam burgun ku i kishin mbajtur para pushkatimit, vendin ku i kishin pushkatuar e më pas edhe lapidarin e ndërtuar, për të përkujtuar jetën dhe veprën e tyre, në shërbim të luftës kundër pushtuesve nazifashistë.

Kaluan shumë vite dhe rasti e solli të shkoj në Gjakovë nga rruga e Hasit, e rregulluar dhe asfaltuar këto vitet e fundit.

U ndala tek një lokal, bashkë me njerëzit që më shoqëronin.

Më kujtohej se diku afër mund të ishte LAPIDARI, kushtuar dëshmorëve të Shkodrës.

U afrova tek banaku i lokalit dhe pyeta njërin prej atyre që shërbenin:

Unë:

Më falni t’iu pyes se ku ndodhet lapidari i dëshmorëve të Shkodrës, diku këtu afër më duket ka qenë.

Ai: Po këtu ka qenë, pak metra më tej por e kanë shkatërruar dhe e kane hedhur në lumë.

Punë komunistash, kriminela kanë qenë…!

Më ra tavani përmbi krye.

Një djalë i ri, tërësisht i indoktrinuar lëshonte fjalët pa ditur se çfarë thoshte, pa njohur asnjërin prej të rënëve, pa ditur as arsyen se përse gjermanët i kishin pushkatuar.

I thashë se kriminela kanë qenë për ty, ndërsa për mua kanë qenë ndër djemtë më të mirë të Shkodrës e Shqipërisëe.

Më shikoi i habitur e nuk foli më.

I ktheva shpinën, për te mos kthyer as kokën më, tek ai lokal buzë Drinit, sigurisht i ndërtuar pa leje, ashtu siç kanë bërë në vite, militantët e partive që “na solli demokracinë”.

U ktheva pas, në retrospektivë e mendja më shkoi në gushtin e vitit 2011, kur vajtëm në Normandi për dasmën e mbesës sime.

U kënaqëm shumë e vizituam vende të papara ndonjëherë.

Vizituam edhe varrezat më luksoze të botës, në UTAH BEACH, varrezat e ushtarëve amerikanë dhe aleatëve të tjerë, të rënë në lufëen për çlirimin e Francës nga pushtuesit gjermanë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore.

Për ndërtimin e tyre ishin derdhur miliarda dollarë dhe për këtë arsye, luksi dukej hapur.

Varrezat, në nderim të të rënëve në luftë ishin konceptuar në nivele elitare, të rrethuara me gjelbërim e lule, mermerë të cilësisë më të lartë; të mbushura me lapidarë, skulptura e piktura të të gjitha llojeve.

Në shumë rrugë e sheshe të Normandisë, në qytetet dhe rrethinat e tyre ishin vendosur emrat e luftëtarëve antifashistë amerikanë, francezë e të tjerë të rënë në luftën për çlirimin e Francës nga gjermanët.

Kur kthehem në Shkodër më priste një surprize e hidhur.

Në rrugët e sheshet e vendlindjes sime ishin hequr emrat e dëshmorëve antifashiste të Luftës së Dytë Botërore.

Ishte hequr edhe emri i dëshmorit HAMDI URUÇI, xhaxhait tim dhe rrugës i ishte vënë emri i ri “URUÇEJ”, duke ruajtur rrenjen URUÇ e duke i vënë pa miratimin e familjes, prapashtesen përçudnuese “EJ”.

Mohimi i vlerave të luftës antifashiste të popullit shqiptar, që e renditi Shqipërinë krahas vendeve më demokratike të botës është një prej krimeve që u bë në

periudhën e pseudodemokracisë, alla shqiptare.

Ata që e realizuan heqjen e emrave të dëshmorëve, shtatoreve e monumenteve përkujtimore të tyre do të mbajnë një ditë, përgjegjësi ligjore, morale e historike e ne të tjerëve, trashëgimtarëve të tyre, na bie detyra të rikthejmë emrat e tyre të paharruar, në rruget e sheshet e qyteteve të Shqipërise…!

ANTIFASHIZMI ËSHTË VLERË ME PËRMASA BOTRORE DHE SI E TILLË DUHET ÇMUAR E VLERËSUAR PËRJETË!

15 janar 2022.

Please follow and like us: