Indro Montaneli: Pse Zogu zgjodhi Italinë në vend të Jugosllavisë
Çfarë shkruante në veprën e tij voluminoze “Historia e Italisë” gazetari i famshëm Indro Montanelli në kapitujt mbi Zogun dhe prejardhjen e tij, karrierën, marrëdhëniet me italianët dhe pushtimin e ’39?
Gazetari i famshëm italian, i cili la gjurmë të pamohueshme me veprën e tij jo vetëm në Itali, e shtriu ndikimin e tij edhe në fusha të tjera, duke spikatur pikësëpari në atë të historisë, ku ai ishte në fragmente të saj edhe dëshmitar okular e përcjellës i eventeve më të rëndësishme të kohës. Një kolanë e ribotuar shpesh nga shtëpitë botuese më në zë në Itali, janë edhe vëllimet e “Storia d’Italia”, të cilat kanë njohur më vonë edhe bashkëpunimin e redaktimin profesional të Mario Çervit. E ndarë në shumë seksione e kapituj, sigurisht se për lexuesin shqiptar do të kishte vlerë të dihej vlerësimi që Montanelli jep për një periudhë shumë të diskutueshme të historisë sonë, siç është pushtimi italian, por edhe periudha e monarkisë. Si e shihte dhe çfarë shkruante Indro Montanelli (1909-2001) mbi ish-monarkun shqiptar dhe prejardhjen e tij e të parëve të tij, rrugën që ndoqi për të bërë karrierë, marrëdhëniet me italianët, fqinjët dhe popullin e vet, dhe në fund fare, edhe qëndrimin dhe lëvizjet në ditët dhe orët e fundit para se të niste pushtimi. Përgjigjet e këtyre pyetjeve i gjen të ndërthurura më shumë informacione e detaje të tjera në faqet 204- 215 të Volumit 8, Kapitulli XII, botim i “Rizzoli Editore”, Milano, 1982.
* *
Kundërshtari që Musolini kishte shpikur për t’iu kundërvënë një suksesi që po kishte Hitleri, ishte në fakt i biri i tij. Mbreti Ahmet Zog, siç thuhej, “nuk lindte.” Ai i përkiste një dinastie të bosëve të mafies Mati, që do të ishte pak Kalabria e Shqipërisë dhe emri i tij i vërtetë ishte Ahmet Zogolli. Zogollët, që pas pushtimit turk, ishin të parët që u konvertuan në fenë e Islamit, duke pohuar pushtetin e tyre mbi shtetin, falë mbrojtjes së pashallarëve që gradualisht qeverisën vendin në emër të Sulltanit.
Ata zotëronin disa dele, disa kullota dhe një grup vrasësish, të cilët i përdornin për të mbështetur sundimin e tyre të vogël feudal dhe për të përshtatur sipas dëshirës së tyre, gjakmarrjet dhe luftën guerile, endemike në mesin e atyre barinjve malorë, por nuk rezulton se ndonjë prej Zogollëve kishte pohuar dëshirën për të shtrirë ndikimin e tij mbi atë kanton të papërfillshëm, të banuar nga disa dhjetëra mijëra burra, pothuajse të gjithë analfabetë, të lidhur me mjaft fanatizëm me autonominë e tyre, të cilën turqit e respektuan.
Zakonisht ata lindnin, jetonin dhe vdisnin atje, midis deleve dhe minareve, duke bërë gjueti, duke bërë intriga dhe duke administruar një drejtësi arkaike nën pemën e fikut. Ahmeti ishte ndoshta i pari i dinastisë së tij që e zgjeroi horizontin e ambicieve të tij.
Lindur në vitin 1895, ai studioi në Akademinë Ushtarake në Kostandinopojë, por kur Shqipëria kaloi, pas luftërave ballkanike, nën sundimin e Vjenës, ai u transferua në ushtrinë austriake – mjeti që përdorte Perandoria Habsburge për të themeluar elementet e ndryshme kombëtare nga të cilat ishte përbërë – dhe atje ai u bë kolonel. U shkarkua në fund të Luftës së Parë Botërore dhe mbeti pa gradë, pa para dhe pa flamur, ai u kthye në Mat, por nuk u mësua me vegjetimin si paraardhësit e tij.
Regjimi demokratik që kishin vendosur traktatet e paqes në vend ishte, sigurisht, një mashtrim, por lejonte këdo që të bënte përpara. Ahmetit i mjaftoi emri për t’u bërë deputet i rrethit të tij dhe për të hyrë kështu në lojën e pushtetit. Ambicia e tij ishte servirur mirë nga trashëgimia dinake e Zogollëve, me një guxim të shquar dhe një mungesë totale të skrupujve. Para të tridhjetave ishte ministër i Brendshëm, një pozicion të cilin ai e përdorte për të shumëfishuar miqtë, t’i binte në qafë armikut dhe menjëherë më pas të instalohej si President i Këshillit. Kur, në zgjedhjet e ardhshme, ai u mund nga liberali Fan Noli, nuk pranoi t’i lëshonte atij vendin dhe u përpoq të vendoste diktaturën. Ai nuk pati sukses për shkak të mungesës së forcave brenda dhe mbështetjes nga jashtë, dhe i detyruar të shpëtonte veten, u largua për në Beograd. Tashmë, e dinte se askush nuk mund të sundonte në Shqipëri përveçse si prokonsull i një fuqie të huaj dhe në mesin e atyre që pretendonin për dominim – Italia, Greqia dhe Jugosllavia – ndoshta ai mendonte se kjo e fundit ishte më e besueshme. Kështu duhej të dukej dhe ai me jugosllavët, të cilët hezituan shumë për ta bërë “ushtarin” e tyre. Kur më në fund e vendosën, Nikola Pashiç – një lloj Gioliti serb (kryeministër italian) dhe njohës i mirë i njerëzve – duke vënë mbi tryezë një numër qesesh plot sterlina floriri, duke i shtyrë drejt tij, e pyeti: “Dhe tani Zog, sa kohë do të duhet për të marrë para nga italianët dhe të kalosh në anën e tyre”? – Ndoshta Zogu nuk e bëri atë që kishte parashikuar Pashiç vetëm për sterlinat. Si mbrojtës, italianët kishin më shumë pikë se jugosllavët në avantazh: Së pari, nuk kishin vazhdimësi territoriale me Shqipërinë, gjë që i jepte më shumë pavarësi kësaj të fundit, pastaj ishin më në gjendje ta ndihmonin nga ana ekonomike dhe në fund, pas ardhjes në pushtet të Musolinit, dhanë dëshmi të një aktivizimi diplomatik shumë më agresiv dhe të vendosur. Megjithatë, pasi kishte përvetësuar sterlinat e Pashiçit, Zogu përvetësoi dhe ato të Musolinit, të cilit pak i interesonte kjo; vetëm të jepte disa garanci të suksesit, dhe nga kjo pikëpamje nuk ishte e gabuar. Me ushqim të dyfishuar, Zogu e rimori shpejt pushtetin dhe u kurorëzua dhe President i Republikës, por kjo nuk i mjaftoi. Tri vjet më vonë, ai mori një kurorë të vërtetë, atë të Mbretit, që Musolini ia dha në shkëmbim të një deklaratë besnikërie të pavdekshme ndaj Italisë, që e shqiptuar nga një njeri si Zogu, vlente aq sa vlente. Musolini u tregua naiv dhe kjo u pa menjëherë. Pasi u bë mbret, Zogu e mori seriozisht mbretërimin, duke marrë qëndrimet e pavarësisë dhe duke treguar shpesh arrogancë, që dikur rrezikuan të provokonin një krizë në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe në vitin 1934, Zogu refuzoi të rinovonte traktatet tregtare me Italinë dhe nënshkroi një me Jugosllavinë. Këto veprime u justifikuan pjesërisht nga politika e Romës që e kryente detyrën e saj si “mbrojtëse” shumë keq.
Ndihmat e mëdha më pas përfunduan duke shtuar llogaritë private të Zogut dhe të preferuarve të tij, por edhe ato ndërhyrëse dhe paternaliste. Kjo politikë dukej e bërë me qëllim që të fyente ndjenjat e një mbreti si Zogu që pa tradita dinastie, u përpoq të kompensonte me gjeste krenarie kombëtare dhe shkëlqimin e një oborri operetash. I fshehtë dhe dyshues, Zogu e konceptonte politikën si një intrigë pallati, në të cilën, megjithatë, ishte një mjeshtër. Rrallë shfaqej në publik, kërkonte nga të gjithë, madje edhe nga diplomatët italianë, duke filluar nga kreu i misionit, ministri Jakomoni, të respektonte një ceremonial të përpiktë, ku fliste pak dhe nuk hapej me askënd. Ndikimi i vetëm që ushtronte ishte ai ndaj familjes dhe në veçanti ndaj motrave, që prej tij kishin marrë gradën e gjeneralëve dhe të veshura me uniformë, luanin në pallatin mbretëror motin e mirë dhe të keq. Ato ishin anti-italiane edhe kishin frikë se Roma do t’i jepte mbretit një grua italiane që do t’i shpronësonte.
Në të vërtetë, ky ishte projekti që Roma kishte, dhe për ta realizuar, dikush i kishte sugjeruar gjithashtu të “sakrifikonin” për Zogun një princeshë të linjës së gjakut mbretëror të Savojës, por nuk ishte gjetur ndonjë aq e gatshme dhe më pas ishte kthyer tek një baroneshë e cila, megjithëse italiane, kishte prejardhje të drejtpërdrejtë dhe mbante emrin e kampionit më prestigjioz të nacionalitetit shqiptar: Skënderbeut, por për Zogun kjo ishte një masë e përkohshme, me krenari e refuzoi atë dhe për të ripohuar pavarësinë e vet, dëshironte të bënte një zgjedhje të tijën. E bëri mbi një fotografi ku ishte një vajzë hungareze, që ia kishte propozuar sekretari i tij. Zogu e refuzoi vajzën, por e mbajti fotografinë dhe e ftoi në Tiranë origjinalen: Ajo ishte Geraldine Apponyi, trashëgimtare e një familjeje të madhe hungareze e rënë nga vakti; nuk kishte asgjë përveç emrit dhe një fytyre të ëmbël, e njëjtë edhe në karakter. Dasma u mbajt më 28 nëntor 1937, në njëzet e pesë vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë ( Shënim i përkthyesit: këtu, me shumë gjasa, kemi të bëjmë me një lapsus të vetë autorit, gjë e cila mund të ketë ardhur nga mosthellimi apo neglizhenca e tij ndaj këtij detaji historik, pasi dihet tashmë se dasma në fjalë u zhvillua në prill 1938) dhe ishte një tjetër burim i fërkimit, këtë herë më të thellë me Italinë. Jo vetëm për shkak se Zogu kishte refuzuar një nuse italiane, por edhe për kundërshtitë e vrazhda që iu bënë, veçanërisht nga motrat gjenerale, të dy përfaqësuesve italianë, të cilët ishin Çiano për qeverinë dhe Duka i Bergamos, i Shtëpisë së Savojës.
Ishte mëse e kuptueshme se: Kriza, për arsye të parëndësishme, ndodhej tashmë në ajër, por ka shumë mundësi që edhe acarimi i Cianos, t’i ketë dhënë një shtysë përshpejtimit të saj. Por as Zogu, në mungesë të një ideje, ose për shkak të krenarisë, nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë. Ndoshta ai mendonte se Italia nuk mund të bëjë pa të dhe sigurisht, u mbështet dhe nga të motrat për këtë bindje. Geraldina nuk mund t’i ofronte asnjë ndihmë, qoftë edhe me anë të këshillimit. Shumë e re në moshë (ajo ishte njëzet vjet më e re se ai) dhe pa përvojë, ajo e gjeti veten krejtësisht të papërgatitur për të luajtur rolin e vështirë të Mbretëreshës. Për më shumë, ajo ngeli menjëherë shtatzënë dhe burri i saj, edhe pse dukej shumë i dashuruar me të, vepronte ende si një mysliman, i cili nuk i jep rëndësi fjalës së gruas. Por, sipas një tjetër hipoteze, ai kurrë nuk kishte pasur ndonjë iluzion në lidhje me stabilitetin e fronit të tij, përkundrazi, Zogu donte t’i jepte fund aventurës së tij në mënyrën më të hijshme, duke e shtyrë pavarësinë deri në sfidën e radhës. Ndoshta po përgatiste kthimin e tij në momentin kur rregullat e lojës europiane të kishin ndryshuar. Megjithatë, edhe pse i mungonte etika, atij nuk i mungonte karakteri.
Në fakt, u bë mëse e qartë kur goditja gjermane në Çekosllovaki i dha Ciano-s një mundësi për të kryer planin e aneksimit të Shqipërisë, plan që “vlonte” prej kohësh. Ministri i Jashtëm kishte marrë urdhra që jugosllavët t’i kishin “duart e lira” për të vepruar në Shqipëri, sipas klauzolave të fshehta të traktatit të vitit 1937: Musolini kishte marrë në dorë raportet që e tregonin Shqipërinë si një vend “të pasur, të pasur me të vërtetë” dhe parashikonin një ndërhyrje të mundshme gjermane në atë zonë, për aq kohë sa kjo ndërhyrje mbikëqyrej nga italianët. Në këto përshkrime, “sociale” të Cianos, nuk mungonin edhe idetë anti-Zog. “Ky popull, ku kushtet e mjerimit në të cilat jeton, na sjell ndërmend fshatrat e largëta kineze përgjatë Jang-Ce…. “120,000,000 lirat e mjerueshme, të cilat përbënin buxhetin e shtetit, përdoreshin për blerjen e diamanteve, rrobave, makinave që motrat e Mbretit i reklamonin me pamaturi të vazhdueshme”. Falë kësaj taktike, Ciano, në maj të vitit ’38, arriti të bindte Duçen, të jepte aprovimin e një përgatitje të përgjithshme.
Ndërkohë, delfini i Duçes, i cili ishte jashtëzakonisht i pamatur në zgjedhjen e taktikave të politikës së tij, parashikoi edhe vrasjen e Zogut. Më 27 tetor të vitit 1938, ai vuri në dukje në ditarin e tij: “Aksioni fillon me vrasjen e Mbretit (duket se do jetë detyrë e Këshilltarit Koçi përballë një tarife prej dhjetë milionësh), lëvizjet përgjatë sheshit, udhëzimi i bandave besnike ndaj nesh (pothuajse të gjithë komandantëve, përveç atyre të KMIA), lutje Italisë për ndërhyrje politike dhe ushtarake, nëse është e nevojshme, ofrimi i kurorës së Mbretit dhe aneksimi i mëvonshëm. Jakomoni siguron se çdo gjë mund të bëhet në bazë të rregullave, me një muaj paralajmërim. “Një manovrim i tipit ‘Anschluss’ me pak fjalë, si aneksimi i Sudeteve. Deri në atë moment, Ciano kishte reaguar me iniciativën e vet. Ekzistonte tashmë një duel mes Cianos dhe Zogut, pra Musolini do e bazonte aprovimin ose pengimin e aneksimit, në përputhje me stadin e ngjarjeve në rend ndërkombëtar. Rënia e Stojadinoviçit, një mik i madh i Cianos, në Jugosllavi, kishte komplikuar akoma edhe më shumë situatën. “Duart e lira”, nuk mund të vepronin si më parë dhe Zogu e dinte mirë këtë. Ideja e vrasjes se Mbretit, ishte venitur.
Indro Montanelli: Shqipëria një dhe njëmijë
Gazetari i mirënjohur italian Indro Montanelli e kishte patur që herët në fokusin e tij vendin tonë, të cilin në kohën e Mbretërisë edhe e ka vizituar. Prej mbresave të asaj vizite lind libri i tij i njohur “Shqipëria një dhe njëmijë” (1939)një tekst me shumë vlera historike qëështë përkthyer në shqip nga Aurel Plasari. Ja një fragment nga ai libër:
“Kështu filloi procesi i kthimit përbrenda të shoqërisë shqiptare dhe i mbetjes djerrë të tokës: dy plagët kundër të cilave Shqipëria lufton ende sot. Kështu sidomos filloi ajo dukuri shkallmimi kombëtar, me kristalizimin e klasave në kasta, me paralizimin e trafiqeve dhe të çdo shkasi tjetër qarkullimi, qarkullimi gjithçkaje: idesh, prodhimesh bujqësore, kulture, shpresash. Turqia – me shkathtësi nga këndvështrimi i saj, që ishte këndvështrim i një sunduesi absolut ushtarak – e ndali historinë shqiptare në feudalizmin mesjetar, nga i cili ajo sa po dilte mundimshëm.
Turqia nuk përbëri, ajo shpërbëri. Nëpërmjet joshjes me karriera ushtarake, ajo i thithi vendit elementët më jetësorë. Klasën e vjetër drejtuese e zëvendësoi me një të re, vasale të Stambollit, e përforcoi atë me privilegje, e ndihmoi për konstituimin e latifondit më ogurzi, e bëri të parrezikshme për pushtetin qendror, duke ngjallur dhe ushqyer në gjirin e saj xhelozi dhe rivalitete familjare, duke ngritur një bej kundër një tjetri dhe të gjithë kundër pashait. Bujqësia birej, e vrarë nga prona madhe e tokës dhe nga varfërimi demografik; atë e vinte poshtë blegtoria. Tregtia me jashtë mori teposhtjen; brenda vendit qarkullimi ndeshte në pengesat e feudalëve të vegjël të fuqizuar, në mungesën e rrugëve dhe të mjeteve të komunikimit që askush nuk kishte interes të ndërtonte. Një zotëri në qendër të kardashllarëve të vet, mandej një tjetër zotëri në qendër të të tjerëve kardashllarë të vet dhe kështu me radhë, të shumëzuar për njëqind ose për njëmijë: dhe mes këtyre zotërinjsh dhe mes këtyre kardashllarësh nuk kishte marrëdhënie të tjera veç luftërave mbas pritash që i kundërvinin njërin ndaj tjetrit edhe që i thellonin shkepjet duke çelur urrejtje dhe duke lënë trashëgimi gjaku.
Hera-herës ndonjë prej këtyre bejlerësh dhe pashallarësh përftonte një program kryengritjeje kundër Stambollit dhe politike të pavarur. Por këto sipërmarrje provoheshin për ambicje vetjake të ndonjë prijësi guximtar, jo në emër të një kryengritjeje çlirimtare për rikonstituimin e njësisë dhe të pavarësisë së atdheut. Nuk ishin dukuri Ringjalljeje, por Rilindjeje, një Rilindje më shumë e errët se e shkëlqyer, e luajtur prej prijësish gjenialë, të veçuar, që kur e kur mëtonin ta thjeshtonin vendin në një despotat vetjak,Valentinë me tre shekuj vonesë, sikurse tre shekuj e vonuar ishte edhe jeta politike shqiptare.
Më i famshmi qe Aliu i Tepelenës, pasha i Janinës, që në një çast ia pati dalë të bashkonte në pushtetin e tij Greqinë, Epirin, Tesalinë dhe Arbërinë jugore e qendrore. Tejmase i zgjuar, ushtar guximtar dhe mizor, diplomat pa skrupuj, mecenat i shkëlqyer mbas mënyrës së vet. Mbaroi në moshën shtatëdhjetetetëvjeçare (më 1824), me kokë të prerë nga Mahmudi II që asgjësoi tek ai rebelin jetëshkurtër të fuqizuar. Ndërsa në veri, në viset e Shkodrës, Mahmud Bushati dhe i biri Kara Mahmud dhe së fundi i nipi Mustafa qenë një dinasti komandantësh sypatrembur dhe që të tre përfunduan të vrarë.
Mirëpo qenë aventura dhe aventurierë, jo kryengritje kombëtare: bëma teke, mbështetur prej bandash në rastin më të mirë besnike ndaj kreut të tyre si person, jo ndaj një ideje, kur nuk ishin mercenarë vënë në lëvizje vetëm nga dashuria për paratë. Mandej ishin gjithnjë të paktë, një dorë trupash me pagëtyrë, ndërsa e shumta i qëndruan besnikë pushtetit qendror edhe si detyrim fetar, ngase tanimë rezistenca fetare qe shpartalluar, e thjeshtuar në ndonjë bastion të paarritshëm malësor të veriut, ndërsa muslimanizmi merrte dhenë. Krerët rebelë ishin përjashtim. Rregulli ishte besnikëria ndaj Portës, ngjitja e shkallinave në postet e larta të drejtimit të administratës dhe ushtrisë turke: Shqipëria i dha Stambollit tetëmbëdhjetë vezirë të mëdhenj, të parin nënmbret të Egjiptit, Mehmet Aliun, dhe një ajkë trupash fort të bukura. Kjo besnikëri u dokumentua në çastet tragjike të teposhtjes turke, në fund të shekullit të kaluar, gjatë luftërave kundër rusëve: atëherë shqiptarët rendnin e luftonin për Gjysmëhënën. Edhe qe ky qëndrim që i shtyu Fuqitë nënshkruese të Traktatit të Shën Stefanit të 1878-s, i cili gjithsesi ishte mjaft i rëndë për Stambollin, t’ia njihnin Turqisë pjesën më të madhe të truallit shqiptar disa krahina të të cilit iu caktuan Malit të Zi, Serbisë dhe Bullgarisë”.