Albspirit

Media/News/Publishing

Pëllumb Kulla: E gëzofsh Ditën e Lindjes, i dashur Vasil Vaso!

Faleminderit kalendar! Ti na tërheq nga cepi i xhaketës. Ti na godet me gju nën tryezë. Ti na shkul veshin!… Ti na kujton që kemi jetuar me miq e shokë. Që një shok ka sot Ditlindjen! Ke qarë me të edhe ke qeshur. Oh, sa ke qeshur!
Faleminderit Zotit, që të kemi Vasil Vaso! Ditlindja jote e bukur më jep buzëqeshjen dhe më shtyn të mendoj se janë të rrallë njerëzit si ty. Janë të rrallë ata njerëz që e kanë ndër vena atë përqindje humori, aq të lartë sa e ke ti. Ti nuk je vlerësuar aq sa duhet Vasil Vaso! Figura jote mes grumbullit të aktorëve shqiptarë të humorit ka zënë një vend nderi dhe gazi. Gjuha jote e përzier me dialektin e fshatit tënd, Sotirës, ka fituar një qytetari të bukur. Unë qesh me dashamirësi me gabimet e tua, kur shoh që anekdotës ti akoma i thua “anektodë”! Por, ndërkohë, unë kujtoj se sa shumë kam qeshur me tregimet e tua! Oh, sa shpesh të kujtoj!…
Edhe para ca ditësh, në shfaqjen për 80-vjetorin e mikut tonë të përbashkët, Luftar Pajës, kur e mora fjalën përpara sallës plot, të përmenda. Dhe qesha me kujtimet e bukura dhe rikujtova episode me ty, me Luftarin dhe me Xhuljetën… Për ty kujtova ngarkesën e ditës së punës që bëje ti, në atë cep të Shqipërisë që quhet Fier, kur ti punoje si shef reparti në TEC dhe pas dy orësh duhet të bëje dy punë të tjera të njëkohshme: a) Të vije të interpretoje dy monologë në estradë dhe b) me biçikletë të shkoje me ngut, të jepje mësim në Shkollën Industriale.
Dhe atë natën e festës së Luftarit, para mikrofonit, përballë syve xixëllues që kisha përpara, unë u përpoqa të flisja si ty, të të imitoja gjuhën e njohur dhe të tregoja se si ti, mua, regjisorit, më kërkoje që programin ta ndërtoja në një renditje të tillë, që ti të bëje monologun e parë aty në fillim të shfaqjes, të hiqje rrufeshëm makiazhin dhe rrobat e rolit, t’i hipje biçikletës dhe të shkoje t’u jepje nxënësve një orë mësim pastaj të ktheheshe me ngut, të shtroje mbi fytyrë makiazhin tjetër e tek fundi i shfaqjes, të interpretoje para spektatorëve monologun e dytë…
Të gjitha këto punëra, me shpejtësi rrufeje!…
Dhe unë tregova, se si ti një mbrëmje kur vajte të bëje profesorin dhe të zhvilloje orën e mësimit, u shfaqe përpara nxënësve të Industriales, me mustaqet e rolit që sapo ta kishin duartrokitur atje, në skenën tonë, një kilometër më tej…
Kjo ngjarje nuk ka ndodhur. Unë e sajova ngaqë në atë shfaqje për Luftarin, të desha të të kisha të pranishëm edhe ty, aktorin brilant, që unë kam dashur aq shumë.
Njerëzit në sallë që ma dëgjuan këtë “anektodë”, qeshën mjaft, duke të përfytyruar… Ti për ta, erdhe. Unë të solla para tyre…
Ata të deshën fort Vaso, i shtrenjtë. Të deshën fort dhe kish fort të ngjarë të të kenë dashur edhe më shumë se sa më deshin mua. Sepse, pjesa më e madhe e spektatorëve të botës, nuk e vrasin kurrë mendjen, se çfarë merite kanë ata, që prapa perdes shkruajnë dhe i shtyjnë aktorët të dalin nën rrezet e prozhektorëve.
Ah, punë e madhe! Unë lumturoja kur ata ju deshin juve: Luftarin, Xhuljetën, si edhe Fuatin, Todin, Sotirin, Hasanin, Fatmirin, Leun, Vason… Po, po, Vason.
E gëzofsh Ditën e Lindjes, i dashur Vasil Vaso!
Please follow and like us: