URSULA VON DER LEYEN: URAT DHE DYERT, SIMBOLE TË BASHKIMIT E FUQISË
Kanë kaluar tashmë njëzet vite që ne, evropianët, mbajmë Evropën në xhep. Euro nuk është vetëm një nga monedhat më të fuqishme të botës. Është para së gjithash një simbol. Mbi kartëmonedhat janë vizatuar ura dhe dyer, sepse këto dy shëmbëllesa tregojnë përsosmërisht se ç’është euro. Euro ndërton ura ndërmjet evropianëve dhe na hap dyert e botës. Euro është fuqia e jonë.
Kujtoj ende ndijimet e saj dite të njëzet viteve më parë: përshtypjen e të jetuarit të një fillimi të ri, një Evrope më të lidhur e më të bashkuar. Ende sot, mbas kaq kohe, është gjithmonë një kënaqësi të kuptosh se ke në dorë një euro të një tjetër Vëndi. Italianët janë familiarizuar me fytyrën e Mozartit nga eurot austriakë, Sagrada Familja të kartmonedhave spanjole, me Marianën e atyre franceze. Më pëlqen shumë kur duke e kthyer nga ana tjetër kartmonedhën gjej burrin vitruvian të Leonardos apo Venerën e Botticellit. Në këtë kalim dorë më dorë arti italian ka arritur në çdo cep t’Evropës. Këto monedha vlejnë më shumë se vlera e tyre monetare. Janë shenja të një kulture të bashkëndarë e të një përkatësie të përbashkët. Euro e ka bërë më të prekëshm bashkimin tonë evropian.
Veç kësaj vlere simbolike dhe të ndjeshme, euro ka ndihmuar edhe në fuqinë ekonomike t’Evropës. Italia që është fuqia e dytë industriale e Evropës, ka patur mirësi të mëdha nëpërmjet shkëmbimeve tregtare në brëndësi të zonës euro. Në sajë të euros ndërmarrjet mund të besojnë në furnizues e klientë të huaj, pa pasigurinë e urdhëruar nga luhatjet e tregjeve valutore. Euro ka pakësuar koston e parasë: i ka bërë të kursejnë familjet që kanë marrë një financim dhe ndërmarrjet që kanë kërkuar një hua. Ka dhënë ndihmesën për t’i mbajtur të qëndrueshëm çmimet për ndërmarrjet dhe konsumatorët. Me një fjalë euro ka mbrojtur kursimet e evropianëve. Është një siguri për t’ardhmen tonë. Nëse euro ka luajtur një rol vendimtar për ekonominë evropiane, rëndësia e tij në nivel ndërkombëtar është e padiskutueshme. Qëndrueshmëria dhe besueshmëria e kanë kthyer euron në një valutë ndërkombëtare faturimi, një rezervë vlere dhe një vlerë rezerve. Sot euro përdoret në gati 40 % të pagesave ndërkombëtare dhe në më shumë se gjysmën e eksportimeve të Bashkimit evropian. E sot po punojmë për të përforcuar akoma më shumë rolin e tij ndërkombëtar. E kemi bërë euron valutën më të përdorëshme për investimet e gjelbëra: gjysma e “green bond” të lëshuara botës është në euro, një e dhënë në rritje në sajë të obligacioneve të reja me të cilët po financojmë NextGenerationEU, planin tonë për rimëkëmbjen. Sot euro është monedha e atyre që kanë në zemër planetin, një rezultat për të cilin jemi krenarë.
Euro është monedha e s’ardhmes, e në vitet që do të vijnë do të bëhet edhe një monedhë dixhitale – sepse ndërmarrjet dhe konsumatorët evropianë kërkojnë siguri e qëndrueshmëri edhe në pagesat e tyre online. Euro online do të jetë i sigurtë, i besueshëm dhe besimdhënës.
Po hyjmë në një epokë të re për monedhën tonë të përbashkët. Është e natyrshme që euro duhet të ndërrojë veshjen. Kartmonedhat e reja do të vijnë në vitet e ardhëshme dhe qytetarët mund të thonë fjalën e tyre mbi pamjen e eurove të rinj. E di se sa italianët janë të dashuruar me fytyrat familiare të kartmonedhave të lirave të vjetra, nga Maria Montessori tek Caravaggio. Jam i bindur se edhe brezi i ri i euros do të dijë të tregojë më të mirën e historisë evropiane, dhe të jetë burim frymëzimi për t’ardhmen. Eurot që kemi në xhep janë dëshmitarë të ecjes që kemi kryer deri tani, dhe janë premtimi që kemi ende shumë për të ndërtuar së bashku.
“Corriere della Sera”, 31 dhjetor 2021 – Përktheu: Eugjen Merlika