Albspirit

Media/News/Publishing

Çerçiz Loloçi: Dimensioni i kolegjit AAB në promovimin e shtetit të ri të Kosovës

Kam qenë disa herë i ftuar nga miku im poet Lulzim Tafa, në kolegjin universitar AAB, që ndodhet në Fushë-Kosovë, por që ka edhe disa filale në disa nga qytetet e Kosovës dhe gjithëherë kam marrë emocione të mëdha. Përpos përpjekjeve që bën stafi akademik e personeli ndihmës për ta renditur këtë kolegj ndër më të mirët në shkallë rajonale, kam vënë re madje edhe kam marrë pjesë në disa veprimtari kulturore dhe politike që zhvillon kohë pas kohe duke ftuar personalitete të mëdha nga Ballkani dhe më gjerë.

Në një vështrim panoramik në morinë e veprimtarive që zhvillon kolegji AAB vihet re se janë nderuar nga ky institucion me ‘Doktor Honorsi Causa’ disa personalitete, mes të cilëve Presidenti i Hondurasit, Presidenti i Kroacisë Mesiç, ambasadori i Holandës, shkrimtari argjentinas Ernesto Cahan, studiuesi Uran Butka, ndërsa është shpallur profesor nderi poeti rumun Ion Deaconesku.

Kolegji ka krijuar traditën e çmimeve ndërkombëtare dhe konkretisht çmimi ‘Ali Podrimja’ dhe atë të të Drejtave të Njeriut. Ndërsa me çmimin e parë janë nderuar në ceremoni të veçanta shkrimtari i shquar shqiptar Ismail Kadare dhe shkrimtari boshnjak Jevrem Bërkoviq, në atë të të Drejtave të Njeriut janë vlerësuar ish-zëdhënësi i NATO-s Xhemi Shi, ish-amabasadori i SHBA Uilliam Uoker dhe ish-kryeministri i Italisë Masimo D’Alema.

Ligjëratat me profesorë të shquar nga rajoni, Europa dhe më gjerë zënë një vend të konsiderueshëm në jetën e kolegjit universitar; pa pretenduar se po i përmendim të gjithë kanë ligjëruar në mjediset e tij profesor Andrea Griletta, diplomati amerikan Scott Lang, kreu i federatës së gazetarëve Marc Gruber, profesori skocez Tomas Kamusella, arkitekti zviceran Majkëll Moyer, profesori polak Uolter Zelazny, profesori italian Mikele Montemurra, profesori nga Zvicra Daniel Bernard, kongresisti amerikan Xherri Ueller, profesorët nga SHBA Uilliam Betler dhe Kivin Hill, gazetarja filandeze Suzana Inkinou, eksperti europian Hank de Pauw, përfaqësuesi special i BE Toams Szunyog, etj. Po kështu kanë ligjëruar edhe mjaft individualitete të tjera si profesori turk Uzuboylu, profesori francez Mallet, admiral i NATO-s Foggo, profesorët amerikanë Taylor dhe Jaffe, profesorët lituanezë Garlytska dhe Vitkevicius,  profesorja italiane Pezzoli, profesori gjerman Rotting dhe ai bullgar Peter Borisov.

Takimet e përhershme me ambasadorët e akredituar në Prishtinë janë gjithashtu një aspekt tjetër i veprimtarisë së kolegjit. Ambasadorë nga pothuaj të gjitha vendet perëndimore dhe jo vetëm kanë qenë mysafirë në të tij, përfshi atë të Greqisë, Gjermanisë, OSBE-së, Britanisë së Madhe, Italisë, Hungarisë, Malit të Zi, Norvegjisë, SHBA-së, Francës, Finlandës, Austrisë, Kroacisë, Suedisë, Sllovenisë, Zvicrës dhe të shumë diplomatëve të tjerë.

Kolegji ka nënshkruar një sërë marrëveshjesh të përbashkta me universitetet mjaft të njohura ndërkombëtare dhe vijon të renditet ndër më të mirët në shkallë rajonale.

Natyrisht misioni i parë i çdo universiteti është përgatitja cilësore e kuadrove të rinj dhe duket se këtë mision kolegji AAB e përmbush vit pas viti teksa studentët e dalë nga auditoret e tij gjejnë mundësi punësimi në sektorin publik dhe atë privat brenda dhe jashtë vendit.

Por misioni tjetër, ai i promovimit të shtetit të ri të Kosovës, i vlerave më të mira shqiptare, i arritjeve më të spikatura në arenën ndërkombëtare është një dimension tjetër, që e veçon nga institucionet e tjera universitare.

 

Please follow and like us: