Albspirit

Media/News/Publishing

Ambra Hysa: Të fshehtat e shpirtit femëror

Shkëputur nga një bashkëbisedim me vajzat e moshës 16-18 vjeç…
Falë romanit “Lady D” kam depërtuar në shpirtin e shumë vajzave, kam njohur botën dhe dëshirat e tyre, kam njohur vogëlushen brenda secilës grua dhe gruan e hekurt brenda secilës vogëlushe.
Është e rëndësishme për të giithë ne të kthehemi pas në fëmijërinë e hershme, si një formë për ta njohur veten, si një mundësi për të mos e humbur veten.
Strukturat e personalitetit tonë marrin trajtë pikërisht në pesë vitet tona të para të jetës (sipas psikoanalistit të famshëm Sigmund Frojd).  Prandaj është me rëndësi të jemi prindër të kujdesshëm dhe të kuptojmë se cilës strukturë po i japim përparësi, cilën “ego” po ushqejmë, cilin fëmijë po rrisim?
Fëmijëria është e rëndësishme edhe tek të rriturit, ajo zë vend, ka rrënjë të thella dhe duket sikur nuk na lëshon asnjëherë, na ndjek nga pas… si një pasqyrë psikologjike.
Kur kthehem pas në kohe, kujtoj me shumë nostalgji kohën kur edhe unë isha një vajzë e vogël, me shumë ëndrra. Kisha aq shumë ëndrra sa nuk e dija sesi ato do të merrnin jetë, por dija se unë isha e lumtur vetëm kur ëndërroja.
Nuk kisha as idenë më të vogël se si do i realizoja, por gjithçka më shtynte drejt pasioneve të mia.
Falë romanit “Lady D” kam depërtuar në shpirtin e shumë vajzave, kam njohur botën dhe dëshirat e tyre, kam njohur vogëlushen brenda secilës grua dhe gruan e hekurt brenda secilës vogëlushe.
Sot, shkrimi është zëri im, me anë të së cilit dua të përcjell tek ju, një pjesë të vogël të historisë sime, e cila është ende në hapat e saj të parë, por kjo nuk më pengon të ndaj me ju, forcën për të besuar, se ju mund të filloni nga zero dhe se duhet te filloni pikërisht atëherë kur më pak jeni të përgatitura.
Diçka është pak, por e sigurt, të gjitha ju keni ëndrra…
Zemra ju rreh fort për diçka dhe unë dua që ju të kapeni fort pas asaj gjëje, si e vetmja rrugë për të mos humbur, e vetmja rrugë për të rigjetur veten.
Në moshën tuaj, frymëzoheni dhe krijoni modele, kjo nuk ua cenon autencitetin, përkundrazi është një shtysë e madhe për të ecur përpara.
Mentorët tanë shpirtërorë, ndonjëherë nuk janë njerëzit më të afërt, është dikush që ne e shohim vetëm nga ekrani, ama një shkëndijë brenda nesh na thotë se mund të mbërrijmë atje, mund të bëhemi versioni më i mirë i vetes, ajo që ne duam realisht për veten dhe jo përmbushja e pritshmërive të të tjerëve.
Unë dua që ju të ëndërroni e të bëheni të pavarura, të lira financiarisht, por kjo mund të arrihet vetëm duke punuar shumë me veten. Të punosh me veten dhe për veten do të jetë gjithmonë më produktive se të punosh për dikë tjetër. Ditën kur ne e bëjmë këtë diferencë, jeta jonë ndryshon.
Fillimi do të jetë gjithmonë i vështirë, por mbani mend se asgjë që në të vërtetë ia vlen, nuk do të jetë kurrë e thjeshtë.
Kam shkruar librin “Lady D” duke menduar çdo sekondë për vajzat, sepse më dhemb zemra për vajzat, sepse i dua vajzat dhe dua t’i shoh të lira nga paragjykimet, të lira nga çdo barrë që i kanë ngarkuar vetes, të lira të ëndërrojne e të krijojnë mbi bazën e punës dhe të sakrificave, jetën qe duan.
Në kohën që po jetojmë informacioni vjen shpejt, gjithçka në një “click” të vetëm dhe kjo shkakton konfuzion. Në jetën reale ka përpjekje të mëdha dhe shumë vështirësi, nuk ka suksese brenda natës, asgjë e vlefshme nuk ndodh sa hap dhe mbyll sytë. Ne duhet t’i besojmë punës dhe procesit të kohës…
Unë shkruaj, kjo është mënyra ime për t’i përballuar momentet e vështira. Jeta nuk është e thjeshtë, por ju do të jetoni në përditshmërinë tuaj, disiplinën tuaj, vizionin që i vishni jetës. Jeta jonë është po aq e mirë sa produktiviteti dhe vizioni që ne kemi.
Nuk ka asgjë më të rëndësishme se imagjinata, nëse e kombinojmë me punën konsistente atëherë me hapa të vegjël mund të mbërrijmë larg.
Çdo gjë nis nga një hap i vetëm…
Unë besoj se të gjithë mund të krijojmë, kemi lindur për të krijuar…
Një energji të mirë rreth vetes, një version të bukur të jetës, ëndrra të reja dhe mundësi për të filluar nga e para e për të bëre diçka ndryshe.
Ju jeni vajza të reja, nuk ka fuqi më të madhe se kjo, nuk do të ketë asnjëherë…
Mos pranoni asnjëherë një “Jo” si përgjigje për diçka që ju vërtet e doni.
Jeta shpesh na teston, por kjo botë është e këmbëngulësve, bota është e gjitha e juaja.
Për mbyllje, po citoj një shprehje që e mbaj shumë afër zemrës, më inspiron dhe motivon, nga Ralf Valdo Emerson:
“Ditët vijnë e ikin, si disa pamje të vagëta e të maskuara të ndonjë mbrëmjeje miqësore e të largët, por ato nuk thonë asgjë dhe në qoftë se ju nuk i përdorni dhuratat që ato sjellin, ato i marrin përsëri me vete, ashtu në heshtje”.
Please follow and like us: