Arbërie Nagavci: Mirënjohje SHBA-BE për studentët e Kosovës!
Studentët, hulumtuesit dhe inovatorët e Kosovës mund të shfrytëzojnë mundësitë e jashtëzakonshme të “Horizon Europe” dhe “Fulbright”.
Kuvendi i Kosovës sot ka ratifikuar ndër tjeta dy marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare: Marrëveshjet e MASHTI me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin “Horizon Europe” dhe atë me Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë për Programin e shkëmbimit akademik “Fulbright”.
“Fulbright”, si program me reputacion të lartë do t’iu mundësojë studentëve tanë që të studiojnë në universitete prestigjioze amerikane, por edhe stafit akademik mundësi rrjetëzimi dhe hulumtimi me institucione hulumtuese amerikane. Duke e pasur parasysh rëndësinë e këtij programi, këtë vit kemi dyfishuar fondin.
“Horizon Europe”, ku Kosova merr statusin e asociuar në program me të drejta të plota, është programi kryesor i Bashkimit Evropian për financimin e punës kërkimore dhe inovacionit me buxhet të përgjithshëm prej 95.5 miliard euro.
Këto dy programe, përveç që janë me interes të veçantë për zhvillimin e vendit tonë, janë edhe mundësi që të jemi pjesë e vlefshme e përpjekjeve botërore për të adresuar sfidat dhe për t’i zgjidhur ato në të mirë të zhvillimit dhe mirëqenies së njerëzimit.
Uroj që studentët dhe komuniteti akademik e shkencor të shfrytëzojnë sa më mirë që të jetë e mundur këto mundësi të jashtëzakonshme për ngritje akademike dhe zhvillim të hulumtimit dhe inovacionit.
Falënderoj të gjithë deputetët që i votuan projektligjet për ratifikimin e këtyre marrëveshjeve shumë të rëndësishme për Kosovën!
Faleminderit Bashkimit Evropian!
Faleminderit Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Please follow and like us: