Albspirit

Media/News/Publishing

Fadil Sahiti: PËR LUFTËTARËT E LIRISË

Prosperiteti është më i mirë se varfëria, ashtu si paqja është më e mirë se lufta. Megjithatë, lufta ndonjëherë është e pashmangshme, ajo imponohet. E tillë ishte lufta në Kosovë në vitet 1998-1999. Represioni çnjerëzor i regjimit serb ua bëri të pamundur shqiptarëve të jetonin një jetë dinjitoze dhe në fakt, siç thotë John Locke, shqiptarët kishin dy zgjedhje, ose të vazhdonin jetën me duart nga qielli, ose të luftonin. Ndodhi kjo e fundit. Pa luftë, vështirë se do të kishim lirinë dhe këtë shtet që kemi. Ndërkaq, luftën në Kosovë e bënë shtresa më e mirë e popullit, djem e vajza që të grumbulluar rreth UÇK-së, e kishin barazuar jetën e tyre me lirinë e Kosovës.
Në artikullin e mëparshëm kam shkruar për moralin e ushtarit të panjohur, ushtarit që lufton në heshtje dhe pa mburrje, që nuk kërkon të kapitalizojë sakrificën e tij. Shumica absolute e luftëtarëve të UÇK-së kanë qenë të tillë; nuk e kanë kapitalizuar sakrificën e tyre për liri. Në mes tyre është edhe Vajdin Berisha, i cili prej disa kohësh po përballet me një sëmundje jo të lehtë. Luftëtari i Koshares, Vajdini, bën pjesë në grupin e atyre burrave që tërë jetën e tyre e kanë kaluar në shërbim të lirisë së Kosovës. Siç më tha sot edhe vetë, për të jeta e pasluftës ka qenë ‘qelepir’, pasi në luftë ka hyrë me vetëdije se edhe mund të vritet.
Nuk janë të rralla rastet kur këta luftëtarë të lirisë janë gjendur përballë lloj-lloj stigmash. S’ka dyshim, brenda tyre ka pasur matrapazë, pallavragji, njerëz që kanë kapitalizuar sakrificën për liri gjatë, por sidomos pas luftës. Por, është një fakt tjetër i gjallë, i prekshëm, që i dallon këta luftëtarë të vërtetë nga matrapazët. Është jeta krejtësisht modeste, shpesh në prag të varfërisë, që shumica e luftëtarëve kanë pasur gjatë këtyre 22 viteve.
Teksa po shkruaja këtë, m’u kujtua parimi 80/20 i Pareto-s, sipas të cilit 80% e rezultateve të diçkaje vijnë nga 20% e faktorëve që sjellin ndryshimin. Në Kosovë ky parim ka funksionuar edhe më ashpër. Lirinë e Kosovës e kanë sjellur jo 20%, por vetëm 2% e popullit. Pa mohuar sakrificën e shumë të tjerëve, pasi liria nuk është akt por proces, patriotë të vërtetë Kosova ka pasur dhe ka pak. Popujt e qytetëruar i trajtojnë këta njerëz me respektin më të madh, duke i parë si epitome apo mishërim të njerëzve patriotë. Fatkeqësisht, kjo nuk ka ndodhur në Kosovën e pasluftës. Nuk janë të rralla rastet kur njerëz si Vajdini stigmatizohen, ndihen të vetmuar, të harruar e të lënë pasdore nga shoqëria.
Please follow and like us: