Albspirit

Media/News/Publishing

Itali, shkrimtarja e njohur Irma Kurti, finaliste në Casa Sanremo

 

 

 

 

Romani “Dallgët thërresin emrin tënd” shpallet ndër dhjetë librat finalistë të konkursit Casa Sanremo Writers

 

 

Shkrimtarja shqiptare Irma Kurti hyn në listën e librave finalistë të konkursit të shpallur nga Casa Sanremo Writers me romanin “Le onde chiamano il tuo nome” (Dallgët thërresin emrin tënd) botuar nga Besa Editrice. Konkursi konceptohet dhe organizohet nga i njëjti staf drejtues i Festivalit Italian të Këngës në Sanremo.

Ceremonia finale do të zhvillohet gjatë ditëve të Festivalit të 72-të të Këngës Italiane, pra në ditët e para të shkurtit 2022 dhe në mjedisin e “Casa Sanremo” të përzgjedhurit do të prezantojnë veprat e tyre. Shtëpia e Sanremos është pika e takimit të shumë personazheve të muzikës dhe të kinemasë si dhe vendi ku marrin jetë nisma artistike, muzikore dhe letrare.

Poetja Irma Kurti shprehet kështu: “Është hera e dytë  që vepra ime përzgjidhet në listën e librave më të mirë në konkursin e shpallur nga Casa Sanremo Writers. Për herë të parë kam qenë në Sanremo në shkurt 2019 ku prezantova romanin ‘In assenza di parole’ (Në mungesë të fjalëve). Emocioni që ndjeja atëherë ishte i dyfishtë jo vetëm sepse isha aq pranë botës magjike të muzikës, por edhe pse ai roman është i lidhur me kujtimin e babait tim, mjekut  Hasan Kurti që nuk jeton më dhe bazohet mbi ditarin e tij.

Këtë vit jam vërtet e gëzuar që ‘Dallgët thërresin emrin tënd’ u përzgjodh në listën e librave më të mirë, mbi të gjitha për tematikën që trajton. Romani fokusohet në temën e dhunës fizike e verbale në familje që mbetet një fenomen shqetësues dhe me pasoja dramatike në realitetin e sotëm. Protagonistja përfaqëson ato gra që nuk janë në gjendje të rebelohen ose t’i japin fund një ekzistence të mundimshme të karakterizuar nga dhuna, në emër të dashurisë, ose thjesht për të mbajtur në këmbë një familje”.

 

 

Please follow and like us: