Albspirit

Media/News/Publishing

Botohet për herë të parë në italisht autorja shqiptare Mimoza Hysa

Tashmë lexuesi italian ka mundësinë të njihet me krijimtarinë e një prej autoreve më të mira bashkëkohore të letërsisë shqiptare, Mimoza Hysa. Prej 27 janarit në të gjitha libraritë dhe platformat online të blerjes së librave do të jetë i disponueshëm romani i saj i parë i përkthyer në italisht nga Durim dhe Esi Taci, “Le figlie del generale”” (Bijat e Gjeneralit) ” (Besa, 192 faqe, 15 euro).

Mbi Librin

“Bijat e gjeneralit”, historia e Marsinës dhe Martinës, dy binjakeve, bija të një ushtaraku të lartë në karrierë në kohën e diktaturës në Shqipëri. Ndajnë po të njëjtat dashuri për dy burrat e jetës së tyre: për babanë komunist dhe Jetonin “me kleçkë” në biografi. Dy zgjedhje të vështira që përgatisin një tragjedi.  Një romanin psikologjik turbullues, i shkruar në vetë të dytë, si kërkim ngulmues i fajtorit te tjetri, krejt i ngjashëm me veten. Perzonazhe të dyzuar, me zhvillime dhe përfundime të befasishme. Një rrëfim intim për seksin dhe dhunën, për sistemin dhe kaosin, për ndjenjën dhe detyrën, për ambicjen dhe rivalitetin.

“Vajzat e gjeneralit” është një libër me një gjurmë të fortë psikologjike, i cili në Shqipëri ka patur shumë sukses dhe që e zhvendos historinë mes emocioneve dhe fakteve të rrëfyera, me një përmbajtje me ndikim të madh për lexuesin. Një element jashtëzakonisht i rëndësishëm janë zhvillimet e papritura të tregimit, kthesat që autorja ka vendosur mirë në subjekt. Një shkrim i thjeshtë dhe asnjëherë banal, një stil shkrimi linear, por jo i varfër, e bëjnë këtë libër një lexim shumë interesant” shkruan për librin autori italian Raffaele Polo.

Ndërsa kritikja Anna Lattanzi shkruan:

“Një roman me introspektivë të fuqishme ky Bijat e Gjeneralit, nga Mimoza Hysa, libri i parë i përkthyer në italisht nga shkrimtarja dhe përkthyesja shqiptare e vlerësuar me çmime….

Ajo arrin t’i vizatojë personazhet në mënyrë të kristaltë, me konturet e përvijuara siç duhet. Konceptet e shprehura janë të lidhura mirë, çdo histori e di vendin që i takon, në një libër që magjeps lexuesin, duke sjellë me vete lakminë e tij për të vazhduar, faqe pas faqeje”.

“Është pak a shumë një Hiroshimë, kur përmasat e katastrofës i shohim pasi vala goditëse ka kaluar dhe numërohen viktimat. Viktimat janë: dëshira të vrara, zgjedhje të detyruara, liri të grabitura. Duke përshkruar ndjesitë dhe jo direkt realitetin, pasojat dhe jo veprimin, autorja Mimoza Hysa ka mundur të realizojë më së miri një roman tronditës” shkruan autori shqiptar Bashkim Hoxha.

Mbi autoren

Mimoza Hysa, përkthyese, shkrimtare dhe studiuese shqiptare, e lindur në Tiranë në vitin 1967. Ka sjellë në shqip mbi tridhjetë vepra të autorëve të rëndësishëm të letërsisë italiane si: Giacomo Leopardi, Dino Buzzati, Eugenio Montale, Antonio Tabucchi, Claudio Magris etj. Është autore e tre vëllimeve në prozë: “Koha e erës”, 2004, “Vend/imi”, 2007, “Histori pa emra”, 2008, si dhe e studimit monografik “Esenca dhe ekzistenca e Isuf Luzajt”. Fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare si: Çmimin e madh të Përkthyeses së huaj të vitit 2014, dhënë nga Ministria e Kulturës së Italisë, Çmimin e Përkthyeses së Vitit 2018, dhënë nga Akademia Kult, Shqipëri, etj. Aktualisht drejton Qendrën e Botimeve për Diasporën.

Pjesë nga romani:

Nga Martina

S’po më shqitesh, Marsinë. Më ke ngulur çaponjtë në bark. Të jetë ky fati i binjakeve të një veze? Pse u ndamë? Ne ishim ngjitur, jetonim ngjitur, si mund të kishte çarje?  Çfarë ishim ne? Një eksperiment? Rrekem të kuptoj pse më duhet të të rrëfej ty çfarë më ndodh? Nuk jemi më një vezë. Më duhesh vetëm për luftë. Njerëzit, kur nuk kanë luftën, shpikin armikun. Për ta ndier veten gjallë. Për të pasur atë të ndryshmin, të urryerin, vendin ku të pështyjnë. Ti ke qenë xhami i pistë i banjave për mua. Ku më vinte ndot të shihesha. Të ruhesha si djallit. E tërë jeta ime ishte një mundim për të përballuar fatin tim të paracaktuar dhe fatin tënd, që ti e shkrove me duart e tua. Ke qenë një turiste në jetë, Marsi. Nuk u ngule kurrë. Dhe turistët janë terroristë. Të paparashikueshëm. Bëjnë çfarë t’u pëlqejë pa marrë parasysh përgjegjësitë. Jeta nuk është një bredhje pa ideal, pa qëllime, pa vendngulje. Pa tabelë nderi. Pa mure. Ti duhet të ngulesh në një vendin, të ngresh një gardh, të hedhësh rrënjë, t’i mbrosh me gjak, të mos lejosh njeri të t’i përdhosë. Ja, kjo është jeta. Jo të jesh erë e furtunë. Të ndërrosh gjuhë e fis, të duash çfarë është larg, të vrasësh çfarë është afër. Nuk është çfarë të shkrepet të bësh, por çfarë sakrifikon të jesh.  Nuk kam hequr dorë nga kjo ide, dhe as mendoj se do të heq dorë ndonjëherë, por do të isha më e qetë, sikur tani, pas njëzet e pesë vjetësh, të dija se ku dhe çfarë bëhesh. Që të mos më plasësh në dorë si minë.

Nga Marsina

Unë edhe sot u frikem njerëzve që e dinë se ç’bëjnë dhe kanë sigurinë e tepruar në bindjet e tyre, u frikem njerëzve që ndërtojnë sisteme të ngurta, nga të cilat nuk lëvizin presjet, u druhem njerëzve me një gramatikë të pastër dhe me sintaksë të ndërlikuar, ku të gjitha fjalitë lidhen mrekullisht me lidhëza bashkërenditëse e nënrenditëse. Fjali që e kanë sepsenë shkakore dhe prandaj përmbyllëse. U frikem njerëzve që dinë t’u japin përgjigje të gjitha pyetjeve. Unë kam ditur vetëm të ngre pyetje në jetë, Martinë, dhe, nëse jeta më ka dhënë ndonjëherë përgjigje, qoftë edhe të vonuar, jam ndier e pjekur dhe e rritur./diaspora shqiptare

Please follow and like us: